Prishtinë, 29 gusht 2013
Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës në mbledhjen e sotme të rregullt, në të cilin qenë të pranishëm 24 kuvendarë nga 30 sa ka gjithsejtë, zgjodhi udhëheqjen e re. Me 20 vota, kuvendarët e BIK zgjodhën për kryetar të Kuvendit, Fadil Hasanin – delegat nga Medreseja e mesme “Alaudint”, i cili deri më tash ka qenë nënkryetari i kuvendit, ndërsa për nënkryetar me 18 vota u zgjodh delegati nga Gjilani, Agim ef. Hyseni.
Pas zgjedhës së udhëheqjes së re, kuvendarët e Bashkësisë Islame të Kosovës shqyrtuan Raportin e punës së Kryesisë së BIK për vitin e shkuar, të cilin pas debati të gjithanshëm e miratuan me vërejtjeje e sugjerime.
Kuvendarët shqyrtuan e miratuan edhe Raportin e Komisionit financiar dhe Llogarinë Përfundimtare për vitin 2012.
Kuvendi i BIK në mbledhjen e sotme miratoj edhe Buxhetin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për vitin 2013. Këto pika të rendit të ditës ka qenë dashtë që të shqyrtohen nga Kuvendi i BIK në tre mujorin e parë të vitit, mirëpo për shkaqe tashmë të njohura edhe për opinion janë shtyrë deri më tash.
Kuvendarët sot morën në shqyrtim edhe Draftin e Komisionit Kushtetuese për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Kushtues, z. Xhavit Qerimi para kuvendarëve dha një raport të detajuar për punën e Komisioni që nga themelimi, hartimi i drafti, diskutimit publik nëpër këshillat e BIK dhe institucionet e BIK, si dhe përpilimin e draftit përfundimtarë.
Kryetari i Komisionit, Xhavit Qerimi tha se drafti ka qenë i gatshëm nga viti 2011, por ka qenë refuzimi kategorik i ish- kryetarit që nuk është vënë në rend dite deri më sot në Kuvendin e BIK.
Me votim, kuvendarët vendosën që kushtetutën ta lexojnë nen për nen, ku krahas draftit të Komisionit Kushtetues, kuvendarët propozuan ndryshimin dhe plotësimin edhe të disa neneve tjera.
Pas shqyrtimit dhe diskutimeve të bëra delegatët e Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës me shumicë absolute të votave miratuan ndryshimet në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës.