Prishtinë, 7 gusht 2013
Të nderuar besimtarë,
Vëllezër e motra!
Nesër, 08. 08. 2013 është dita e parë e festës së Fitër- Bajramit, e cila vjen pas kryerjes së një adhurimi një mujor – agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit. Ndaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, organeve dhe institucioneve të saja, dhe në emrin tim personal t’ju uroi festën e Fitër – Bajramit, me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi e mbarësi për ju dhe familjet tuaja.
Të dashur besimtarë!
Gjatë këtij muaji flijuam shumë gjëra, në shenjë respekti e adhurimi ndaj Krijuesit të Gjithësisë. Nesër, që nga agimi e mbarë bota feston. Miliona besimtarë u drejtohen xhamive për ta kurorëzuar këtë adhurim me faljen e namazit të Fitër – Bajramit. Fytyrat e besimtarëve janë të buzëqeshura, ngase me përkushtim e ndershmëri gjatë tërë këtij muaji ishin në adhurim të vazhdueshëm.
I Madhi Zot nuk e humb mundin e askujt. Ai do të shpërblej për këtë dhe adhurimet e tjera.
Derisa besimtari e ka këtë bindje, ai edhe në këtë ditë feste, pas agjërimit të këtij muaji të bekuar reflekton, dashuri, respekt, kooperim, unitet, ndihmë e bamirësi, solidaritet, me shpresën e madhe se Allahu xh.sh do ta shpërblejë atë.
Në këto momente festive kudo shtrihet dora e mëshirës, kjo festë mbjellë gëzimin e harenë në shtëpitë dhe zemrat tona, forcon dashurinë njerëzore.
Fuqishëm na rikujton kujdesin që duhet të kemi për varfanjakët, të paaftit për punë, të sëmurët, që edhe zemrat e tyre t’i mbushim me gëzim e hare.
Vëllezër të dashur!
Ju ftoi që sa më shumë të përkujtoni Krijuesin, adhuroni vetëm Atë, të jeni sa më solidarë. Ndihmoni jetimët, skamnorët,nevojtarët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj. Sofra e Bajramit është simbol, i cili bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin e nderin mes besimtarëve, duke e ditur se ky Bajram vjen pas një muaj sakrifice e adhurimi të pandërprerë, e kjo fisnikëron zemrat tona.
Allahu xh. sh. këtyre njerëzve që kanë besuar dhe kryer obligimet ndaj Tij ju ka premtuar, falje mëkatesh, shpërblim, por edhe xhenetin nën të cilin rrjedhin lumenj e begati të pakufishme, dhe qëndrimin në te përgjithmonë.
Allhu xh.sh. thotë:
”Besimtarëve dhe besimtareve All-llahu u premtoi xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në xhennetin e Adnit …..”.(Et-Tevbe :72)
Të nderuar besimtarë!
Festa e Fitër-Bajramit rikthen edhe njëherë besimtarin në përkushtimin e tij ndaj Krijuesit të gjithësisë, e të cilin e shprehem përmes agjërimit, duke pastruar shpirtin e njerëzve nga urrejtja e xhelozia, nga egoizmi e pangopësia, duke i udhëzuar në respekt ndaj njëri – tjetrit.
Me punët tona të përditshme të kultivojmë paqe,mirëqenie e solidaritet mes njerëzve,të hapim rrugët e lumturisë, kjo është thirrje universale e Islamit për tërë llojin njerëzor. Të punojmë në kalitjen e shpirtit me moral të lartë, duke u përpjekur të depërtojmë në thellësinë e tij për të mbjellur mësimet e fesë.
Duke u bazuar në parimin se të gjithë jemi njerëz, dhe bijtë e Ademit dhe Havasë, ju ftoi që mes njerëzve të dominoi uniteti, vëllazërimi, harmonia, solidariteti dhe bashkimi i ndërsjellë, sepse vetëm kështu jeta do ta ketë kuptimin e saj.
Në fund më lejoni tua uroi festen e Fitër – Bajramit të gjithë vëllezërve dhe motrave tona, në Kosovë, brenda trojeve tona etnike si dhe mërgatës kudo që ata gjenden nëpër botë.
E lus Allahun xh. sh. që t’i mëshiroi të gjithë ata që jetën e tyre ia falën Zotit për fenë dhe atdheun e tyre.
Me fat ju qoftë festa e Fitër – Bajramit!
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava
{youtube}rD3mK3ZBnJ8{/youtube}