Prishtinë, 8 korrik 2013
Të nderuar besimtarë,
Vëllezër e motra!
Nesër e martë 09.07. 2013 është dita e parë e muajit të bekuar të Ramazanit, në të cilin i Madhi Zot zbriti Kuranin librin udhërrëfyes dhe drejtues për mbar njerëzimin, përmes së cilit edhe obligoi agjërimin e këtij muaji.
Këtij muaji edhe në të gjallë të Muhamedit a.s. iu kushtua një rëndësi e veçante nga vlerat dhe mesazhet e paqes, solidaritetit dhe mëshirës që ka ky muaj. Edhe nga ne kërkohet një përkushtim edhe më i madh në fitimin e begative dhe të mirave që sjell ky muaj. Muaj ku Allahu hap dyert e mëshirës e rahmetit për të gjithë ata të cilët e kryejnë këtë adhurim më përkushtim e devotshmëri.
Agjërimi i muajt të bekuar të Ramazanit është një prej pesë fondamenteve bazë mbi të cilat sendërtohet feja Islame. Allahu xh.sh thotë:
”O ju që keni besuar, agjërimi është bërë obligim, sikur që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush.”
Agjërimi është rast ideal ku besimtari edhe më forcon bindjen e vetëmohimin, devotshmërinë karshi Krijuesit, ky është edhe qëllimi final i njeriut. Agjërimi është një forcë morale e cila e shtynë njeriun që të jetë edhe më bujar, më i devotshëm më i afërt me njerëzit, ku adhurimi respekti e dashuria ndaj Allahut janë parime kyçe të besimtarit.
Ramazani ka për qëllim të përgatis shoqëri solidarizuese ku mbizotëron dashuria, e respekti mes njerëzve,- njohja e jo largimi është edhe thelbi i mesazhit që sjellë agjërimi i Ramazanit. Duke e ditur se njerëzit nëse nuk i bashkon e vërteta, atëherë do ti përçaj e pavërteta, nëse nuk i bashkon adhurimi i Zotit, do ti ndaj adhurimi i djallit. Pra ky muaj na përkujton edhe çastet e kërkimit të llogarisë nga ana e Zotit për njeriun, për jetën dhe angazhimin e tij në këtë botë.
Ndaj mësimet e këtij muaji porosisin që zemra e shpirti i besimtarëve në vazhdimësi të jenë në shërbim të mirës dhe largimin nga e keqja, duke qenë në gjendje që të pranojnë agjërimin si një disiplinë morale e njerëzore.
Besimtarë të nderuar,
Vëllezër e motra!
Kur të jemi ulur për rreth tryezës në syfyr dhe iftar,duhet ta falënderojmë Allahun për begatit e dhuruara, por ju porosis që të mendojmë edhe për ata të cilët nuk kanë çfarë të servojnë në tryezat e tyre. Të ndajmë nga pasuria jon, ti begatojmë edhe ato tryeza, ti gëzojmë edhe ata fëmijë varfanjak që pa fajin e tyre kanë ardhur në këtë jetë dhe pa fajin e tyre jetojnë në varfëri. Të zgjasim dorën e ndihmës nëse dëshirojmë që ndihma e Allahut të jetë mbi ne.
Le të tregojmë me këtë rast solidaritetin dhe mirëkuptimin, dashurinë dhe mëshirën, sidomos ndaj jetimëve, skamnorëve sepse duke agjëruar ditët e Ramazanit, dhe duke e afruar shpirtin tonë edhe më shumë te Zoti, më shumë do t’i përjetojmë në thellësinë e ndërgjegjes sonë nevojat e tyre dhe përgjegjësin ton ndaj tyre.
Këtu qëndron edhe arsyeja pse agjërimi i muajit të Ramazanit është forma më e lartë e devotshmërisë dhe moralit, e cila rangohet dhe vlerësohet shumë lartë te Allahu xh. sh, adhurim që shpërblehet vetëm nga Ai.
Rikujtimi i vlerave që ka Ramazani na rikthen te Krijuesi dhe na bënë që të shtojmë në veprat e bamirësisë, duke kuptuar mirë misionin e këtij muaji, i cili ka për qëllim lartësimin e shpirtit të njeriut në raport me Zotin, në raport me njeriun duke i rikujtuar obligimet dhe përgjegjësit që i kemi ndaj njëri tjetrit.
Duke iu rikujtuar thënien e Muhamedit a.s.-paça dhe mëshira e Allahut qoftë mbi te, i cili thotë:
”Ai që agjëron Ramazanin me bindje, sinqeritet e përkushtim të plotë, do t’i falen mëkatet e tij të më hershme.”
Kam kënaqësinë që në emër të K.B.I.R.K., institucioneve të saja dhe në emrin tim personal t’ju uroj muajin e Ramazanit, të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona etnike dhe mbar mërgatës kudo që ata gjenden nëpër botë.
Le të shpresojmë që me shfaqjen e hënës së re të Ramazanit, të gjithëve të na shoqërojë mëshira e Allahut dhe falja e Tij.
Edhe njëherë urime ardhja e muajit të Ramazanit!
Myftiu i Kosovës
Naim Tërnava