Ekskluzive
Intervistë me Myftiun e Kosovës, Mr. Naim Tërnava
Jam i kënaqur që i Madhi Zot xh.sh. më ka mundësuar të jem në krye të BIK-së në kohën kur Kosova fitoi pavarësinë
D.I. : I nderuari Myfti, ditë më parë Trupi Zgjedhor i BI-së ju rizgjodhi në krye të BIK-së, ç’ do thotë kjo për ju, privilegj, sfidë apo përgjegjësi?
Myftiu Naim Tërnava: Bismilahi- rrahmani- rrahim, unë përmes lexuesve të revistës “Dituria Islame”, edhe një herë dëshiroj të falënderoj Trupin zgjedhor të BIK-së, për besimin që më dhanë duke më rizgjedhur në krye të BIK-së.
Sigurisht që Trupi zgjedhor ka pasur motiv dhe arsye për të më besuar edhe një herë këtë mandat, këtë përgjegjësi, këtë sfidë po edhe këtë privilegj. Besoj që kjo për mua është edhe sfidë, edhe privilegj, por më tepër është një përgjegjësi. Të jesh në krye të një institucioni siç është Bashkësia Islame e Kosovës, vërtet është përgjegjësi e madhe jo vetëm para besimtarëve, por edhe para Krijuesit Suprem, Allahut xh. sh., ngase punojmë e veprojmë në rrethana jo të përshtatshme sa duhet, për ardhmërinë e Islamit në këtë vend ku i Madhi Zot na ka krijuar. Megjithatë, unë si kryetar i Bashkësisë Islame, si Myfti i Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë nëpunësit e Bashkësisë Islame, me imamë nëpër xhami, me këshillat e Bashkësisë Islame, me të gjitha institucionet e BI: Medresenë, Fakultetin e me të gjitha sa janë, besoj që do t’ia dalim që edhe gjatë këtij mandati të punojmë me tërë potencialin tonë në avancimin e çdo gjëje që është e mirë, dhe në luftimin e të gjitha dukurive negative të pranishme në shoqëri. Besoj që këtu do të japim një kontribut shumë të madh, edhe Trupi zgjedhor, dhe Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, që bashkërisht t’i bashkërendojmë punët dhe të arrijmë suksese të reja.
D.I. : Keni qenë në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës 5 vjet, si do e përkufizonit me pak fjalë mandatin e shkuar?
Myftiu Naim Tërnava: Unë për vet jam shumë i kënaqur që i Madhi Zot xh.sh. më ka mundësuar që të jem në krye të BIK-së edhe në kohën kur Kosova fitoi pavarësinë, të jem myftiu i fundit po them në Kosovën e lirë, po pa status, dhe i pari në shtetin e ri të Kosovës. Besoj që kjo është një begati që i Madhi Zot ma ka dhuruar si individ, dhe për këtë sigurisht ndiej një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe. Mandati që shkoi, ka pasur shumë sfida, sepse Kosova kalonte nëpër etapa jashtëzakonisht të vështira.
D.I.: Gjatë mandatit të shkuar keni pasur rezultate dhe sfida, cilat nga rezultatet që keni arritur, dhe sfidat me të cilat jeni ballafaquar, do t’i veçonit?
Myftiu Naim Tërnava: Bashkësia Islame e Kosovës ka pasur sfida të shumta, ka pasur përgjegjësi të shumta , por edhe ka punuar shumë. Them sfida, ngase koha nëpër të cilën kaloi vetë Kosova dhe përpjekjet e vazhdueshme të popullit të Kosovës, Qeverisë e institucioneve të Kosovës, bënë që vërtet të vinte shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kjo bëri që edhe Bashkësia Islame e Kosovës të jepte një kontribut të jashtëzakonshëm. Është dashur që për një kohë të gjatë, vërtet të punojmë shumë edhe brenda Kosovës, dhe sidomos jashtë Kosovës, tek faktori ndërkombëtar, duke u munduar për të sqaruar ashtu siç duhej, gjendjen në Kosovë, ashtu siç ishte, ngase ju e dini që nëpërmjet Kishës Ortodokse të Kosovës, e zotëris Artemije dhe Kishës Ortodokse të Serbisë, në çdo tubim e në takime që kishin ata, ne akuzoheshim edhe si Bashkësi Islame, mirëpo edhe si popull, se vërtet Kosova pas pavarësisë do të jetë një shtet fundamantalist, xhihadist, një shtet kriminal e shumë e shumë akuza të tjera. Dhe, nëse deri para statusit të Kosovës Bashkësia Ndërkombëtare kishte të qartë vizionin politik të Kosovës, asaj i mungonte qartësimi i vizionit fetar në Kosovë, për se neve na është dashur të trokasim në shumë dyer të Evropës, Amerikës, të Lindjes e Perëndimit, për të qartësuar se vërtet ky popull i takon me shumicë absolute besimit islam, ky popull nuk është prej dje mysliman, është tash e 600 vjet, dhe të gjitha këto shpifje e akuza që vijnë nga kishat serbe, si nga ajo e Beogradit po ashtu dhe e Prishtinës, janë akuza pa vend, të cilat kanë qëllime thjesht politike, për të pamundësuar avancimin e Kosovës si një shtet sovran e i pavarur. Mendoj që, në bashkëpunim edhe me institucionet e Kosovës duke u gjendur edhe ne si një faktor me rëndësi përkrah institucioneve të Kosovës), ia kemi arritur këtij qëllimi dhe kemi bërë që edhe shumë faktorë ndërkombëtarë të ndryshojnë konceptet në raport me Kosovën, edhe në aspektin fetar, dhe tash, pas pavarësimit të Kosovës, po shihet se ne kemi pasur shumë të drejtë.
Prej sfidave të tjera, me të cilat është ballafaquar Bashkësia Islame e Kosovës në mandatin që shkoi, ishe se brenda Kosovës është dashur të ruhet një unitet i besimtarëve, të bashkërendohen punët mirë, pastaj jemi munduar të kemi një dialog ndërfetar me dy besimet e tjera tradicionale të Kosovës, dhe këtu besoj që ja kemi dalë, edhe pse kohët e fundit Kisha Ortodokse Serbe e Kosovës, e them qëllimisht – e Kosovës, heziton të marr pjesë në takime të kësaj natyre.
Pastaj, elhamdulilah prej Zotit, dihet erdhi pavarësia dhe sot Kosova është e pavarur e u krijuan mundësi për të bërë një punë edhe më të madhe, dhe sigurisht që edhe ne si Bashkësi Islame e Kosovës, do të kërkojmë përgjegjësi edhe më tepër edhe prej vetë punëtorëve të Bashkësisë Islame, mirëpo nga Qeveria dhe nga institucione tjera të Kosovës do të kërkoj edhe realizimin e shumë dëshirave e kërkesave tona.
D.I.: I nderuari Myfti, gjatë mandatit të shkuar Kosova ka kaluar nëpër situata të ndryshme, rikujtojmë trazirat e marsit 2004, procesin negociator për status, 17 shkurtin e këtij viti, miratimin e Kushtetutës së vendit. Ku ishte Bashkësia Islame dhe roli i Myftiut të Kosovës gjatë këtyre proceseve dhe në këto ngjarje?
Myftiu Naim Tërnava: Unë përkufizova veprimet e Bashkësisë Islame më lart, por mund të them se Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë aty ku e ka pasuar vendin e vet, besoj që ka bërë më tepër sesa ka pasur mundësi, ka dhënë fakte për këtë. P.sh. gjatë bisedimeve në Vjenë, BIK nuk është ftuar asnjëherë për të marrë pjesë direkt në këto bisedime, megjithatë anëtarët e Ekipit tonë negociator kanë qenë dhe kanë vizituar disa herë Bashkësinë Islame të Kosovës. Bashkësia Islame e Kosovës ka dërguar në Vjenë, përmes delegacionit tonë, një elaborat të plotë për dëmet që ka bërë Serbia dhe Milosheviçi gjatë dy vjetve të fundit të Luftës në Kosovë në rrënimin e shkatërrimin e objekteve islame, gjë që është pritur jashtëzakonisht mirë. Megjithatë, gjatë konsultimeve që kanë pasur anëtarët e Grupit negociator me Bashkësinë Islame, vlen të theksohet se këtu ka qenë për konsultime edhe Albert Rohan, kanë qenë edhe të tjerë, dhe ne kemi dhënë një kontribut të mirë në këtë drejtim. Pastaj, për sa i përket çështjes së Kushtetutës së Kosovës, vlen të theksohet se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk është tërësisht e kënaqur me vendin dhe pozitën që kanë fetë në Kushtetutën e vendit, madje ne për këtë i kemi dërguar edhe vërejtje me shkrim Komisionit Kushtetues, kemi bërë vërejtje të përbashkëta edhe me Kishën Katolike. Është e vërtetë që askush nga Komisioni Kushtetues nuk ka qenë asnjëherë në Bashkësinë Islame për të diskutuar me ne në lidhje me këtë problematikë, por Bashkësia Islame dhe Kisha Katolike kemi kërkuar dhe pastaj jemi takuar në Qeverinë e Kosovës kemi diskutuar për vërejtjet tona, madje edhe kemi dhënë alternativa konkrete, dhe, me gjithë pakënaqësitë që kemi pasur ne si dy bashkësi fetare, në veçanti Bashkësia Islame e Kosovës, në këtë takim ata janë treguar të pamundshëm që të bëjnë ndonjë ndryshim në projektkushtetutën e atëhershme ose Kushtetutën e tashme të Kosovës.
Bashkësia Islame e Kosovës ka pasur vërejtjen e saj edhe për sa i përket përkufizimit të Kosovës si shtet laik. Unë e kam thënë edhe një herë dhe po e ripërsëris se Kosova nuk është shtet laik, nuk është shtet laik as me planin e Presidentin Marti Ahtisari, por është shtet shekullar, prandaj unë edhe përmes kësaj interviste, i ftoj përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës të bëjnë dallimin në mes laicizmit dhe shekullarizimit, që është një dallim jashtëzakonisht i madh.
Mund të themi që Kosova është shtet shekullar, po jo assesi shtet laik, sepse Kosova ka besimtarët e saj dhe populli i Kosovës është besimtar.
Thënë të drejtën, besoj që në të ardhmen duhet të ndryshojnë disa nene të Kushtetutës së Kosovës. Ju e dini që unë nuk kam marrë pjesë në aktin e promovimit të Kushtetutës së Kosovës, megjithatë duhet thënë se është e arritur e madhe për ne si shtet e popull që tani kemi Kushtetutën tonë, me gjithë vërejtjet që kemi, të cilat shpresoj që në të ardhmen do t’i rregullojmë. Ne duhet të jemi koshientë se kjo kushtetutë ndoshta ka ardhur e gatshme dhe nuk kanë mundur të bëjnë më shumë njerëzit tanë-respektivisht Komisioni Kushtetues, por debati për kushtetutën ka qenë një diskutim më tepër formal sesa real e përmbajtjesor.
Megjithëkëtë, sigurisht që akti i pavarësisë së Kosovës është akti më madhor që ka ndodhur tek kombi shqiptar, në veçanti për ne në Kosovë, ka qenë një ndjenjë e papërshkruar. Ne atë ditë jemi ndier shumë krenarë, jo vetëm unë si Myfti i Kosovës por të gjithë nëpunësit e Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse për atë ditë kanë dhënë shumë më shumë se shumë institucione të tjera, për këtë ekzistojnë dokumentet, për këtë është dëshmi edhe gjaku i derdhur edhe i hoxhallarëve, – 34 hoxhallarë kanë rënë dëshmorë, prandaj jemi ndier krenarë e ballëhapur, dhe ka qenë një akt që vërtet është pritur për sa e sa dekada, prandaj nuk të shpjegohet ndryshe vetëm se të falënderojmë Krijuesin Suprem që na ka bërë të mundur- kjo gjeneratë jona ta përjetojë këtë, edhe pse shumë e shumë baballarë tanë kanë shkuar me këtë dëshirë që të shohin ditën e pavarësisë së Kosovës.
D.I.: Para dhe pas pavarësisë së vendit keni pasur një aktivitet të gjerë jashtë Kosovës, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, me qëllim paraqitjen e realitetit në Kosovë si dhe një lloj lobimi për njohjen e realitetit të ri në Kosovë, sa jeni i kënaqur me rezultatet e arritura?
Myftiu Naim Tërnava: Po, sigurisht, unë e thashë edhe pak më sipër se duhet më shumë punë e angazhim i të gjithëve, por së pari dua të them se më vjen mirë që Pavarësia e Kosovës apo shteti ynë deri tash është njohur nga 53 shtete, që është një e arritje e madhe në këtë drejtim, por sigurisht jemi të kënaqur, se kjo do edhe më shumë punë.
Unë jam angazhuar nga vetë Bashkësia Islame e Kosovës, si para ashtu edhe pas pavarësisë së vendit, dhe kjo nga dëshira që të punoj për vendin tim. Mendoj që kam kontribuar aq sa kanë lejuar mundësitë e rrethanat. E them edhe një herë se asnjëherë nuk ka kërkuar kush nga ne zyrtarisht që të bëjmë e të ndihmojmë apo të lobojmë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, megjithatë ne kemi qëndruar nëpër shumë shtete, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.
Ne nuk jemi qeveri e Kosovës, por, siç e thashë, ne do ta bëjmë punën tonë, sepse kjo na përket, kemi marrë pjesë aktive nëpër shumë kongrese, nëpër shumë seminare, kemi pasur takime të shumta në nivele edhe me kryetarë shtetesh, të ministra e kryeministra dhe në vazhdimësi kemi kërkuar njohjen e Kosovës. Këtu unë dëshiroj, ndoshta nuk është e tepërt, të theksoj që 10 ditë para Pavarësisë së Kosovës në takim me Mbretin e Arabisë Saudite, ndër të tjera, kam kërkuar edhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Pastaj këtë e kam bërë edhe në takim me Kryeministrin e Bahrejnit, atë të Katarit dhe shumë e shumë ministra të tjerë. Pastaj në Egjipt e në vende të ndryshme, po edhe një herë duhet të them, nuk dëshiroj që përgjegjësinë që kemi unë dhe Bashkësia Islame, t’ua hedhim të tjerëve, po në këtë drejtim Qeveria e Kosovës ka bërë shumë pak, e përsërisë, shumë pak në raport me Botën Arabe dhe atë Islame.
D.I. : Myfti, as 8 muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë angazhimet kohët e fundit, si të spektrit institucional e politik të Kosovës, ashtu edhe të Bashkësisë Islame e shoqërisë civile, po edhe të sponsorizuesve të Pavarësisë sonë, – ende shtetet e Botës Arabe e Islame hezitojnë të njohin Kosovën, – si e shihni ju këtë hezitim dhe a pritet të thyhet kjo bllokadë që është e pakuptimtë karshi nesh?
Myftiu Naim Tërnava: Ju e dini se deri tash ende asnjë delegacion zyrtar i Kosovës nuk ka vizituar asnjë qeveri të shteteve arabe; tash së fundi ka qenë ministri i Punëve të Jashtme, ka vizituar Sekretarin e Përgjithshëm të Konferencës Islamike në Xhide, që është një punë e mirë dhe ne e përkrahim shumë.
Unë besoj që, sikur të ishin kombinuar punët më mirë me të gjithë faktorët që janë në Kosovë, do të ishte bërë një delegacion i përbashkët e t’i vizitonte katër –pesë shtete në vende të ndryshme të Botës Arabe. Kjo do të kishte ndikuar pozitivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Unë përsëri do të angazhohem aq sa kam mundësi, kështu më 3-5 janar 2009 do të marr pjesë në një konferencë shumë të madhe ndërkombëtare në Kajro, në të cilën marrin pjesë pjesëmarrës nga mbarë bota;pastaj nga 17-22 janar do jem në Ligën Botërore Islame në Mekë, që është një rast jashtëzakonisht i mirë për kontakte me të gjitha vendet islame, dhe të kërkoj prej tyre njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Unë nuk do të pushoj së punuari dhe besoj që në të ardhmen e afërt do të vijë koha për ta njohur pavarësinë e Kosovës edhe vendet arabe. Mirëpo vlen të theksohet që edhe politika serbe është shumë aktive, sidomos në Egjipt dhe në Algjeri, në këto dy vende që kanë banorë më shumë se vendet e tjera, dhe po ndikohen sigurisht nga politika e tyre. Deri tash është treguar që politika e tyre ka arritur të paktën të stagnojë disa shtete që të mos njohin pavarësinë e vendit tonë. Kuptohet edhe presioni rus është i pranishëm këtu.
Ka punë shumë të mëdha për t’u bërë, ne duhet të bëjmë edhe më tepër, mirëpo kjo nuk do të thotë që Bashkësia Islame e Kosovës nuk e ka bërë punën e vet, e ka bërë dhe e ka kryer në rrethana që na janë të njohura të gjithëve.
D.I.: Myfti, cila është strategjia juaj për mandatin e ri që sapo keni marrë, ngase konsiderojmë se, edhe prioritetet po edhe realiteti, në Kosovë krahasuar me mandatin e parë, kanë ndryshuar?
Myftiu Naim Tërnava: Po, fatbardhësisht që kanë ndryshuar për së miri dhe vërtetë është ashtu dhe unë e besoj atë, por Bashkësia Islame e Kosovës po them duhet të kuptojë përgjegjësinë që ka, së pari; së dyti, Bashkësia Islame e Kosovës nuk bën assesi të lejojë futjen e ndonjë elementi të huaj brenda saj dhe nëpërmjet atij elementi të shkaktohen mosmarrëveshje të shumta, të papritura brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse sot është hapur kjo mundësi në Kosovë.
Si prioritet tash në këtë mandatin e ri që kam, unë i kam dhënë si detyrë vetes dhe Bashkësisë Islame që do të kërkoj në vazhdimësi prej institucioneve tona, prej Qeverisë e Parlamentit, që edukata fetare të futet në shkolla; do të kërkoj dhe sigurisht që edhe Parlamenti e edhe Qeveria do ta kenë parasysh këtë, sepse kjo është një kërkesë e popullit dhe se populli nuk do të pushojë së kërkuari këtë. Edhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të pushojë në këtë drejtim, e mua më vjen fortë mirë që një pjesë e popullit tonë tashmë ka filluar të mësojë për fenë nëpër shkolla, siç janë vëllezërit tanë që jetojnë në Maqedoni dhe ata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Kemi ngelur vetëm ne – Kosova e Shqipëria dhe besoj që edhe këtu do të zgjidhet ky problem. Në të ardhmen e afërt një nga standardet e Evropës do të jetë edhe futja e edukatës fetare nëpër shkolla, e nuk bën t’i shmangemi këtij realiteti; ne duhet ta fusim mësimin e lëndës së edukatës fetare nëpër shkolla.
Myslimanët e Kosovës duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që kanë myslimanët nëpër Evropë, që kanë pakicat islame nëpër Evropë. E kam thënë dhe po e ripërsëris se unë nuk do të kërkoj asnjëherë më shumë sesa të drejtat që kanë pakicat islame në Amerikë, pastaj në Zvicër, në Gjermani e Angli dhe gjetiu në Evrop; ato të drejta që gëzojnë myslimanët atje i duam edhe ne këtu, sepse ata i gëzojnë të gjitha të drejtat e ne ende jo, çka do të thotë se Evropa e ka kaluar këtë problem dhe u ka dhënë të gjitha të drejtat myslimanëve atje, gjë që këtu në Kosovë nuk i kemi.
Por një gjë duhet ta bëj të qartë, ne edhe deri më tash në vazhdimësi u kemi dërguar kërkesa institucioneve tona për këtë problem dhe në një vend ku kërkohet që shumica e besimit islam të realizojë një të drejtë që e kanë pakicat myslimane në Evropë, sigurisht se ne do të shprehim pakënaqësinë tonë, e do t’u drejtohemi me letra edhe instancave më të larta ndërkombëtare deri në realizimin e kësaj të drejte.
Pastaj, si prioritet numër dy, ta quaj kështu, është ndërtimi i Qendrës së madhe Islame në Prishtinë, e cila qe sa kohë flitet e përflitet ende. Komuna e Prishtinës është ajo që nuk ka dhënë përgjigje me shkrim, përgjigje me gojë po, se aty ku ka qenë Tjegullorja, aty do të jetë Qendra Islame. Unë do të punoj që të realizoj këtë projekt madhor.
Pastaj unë kam kërkuar dhe do të kërkoj prapë që lagjet e Prishtinës që nuk kanë xhami, siç janë Dardania, pastaj Arbëria, Kodra e Diellit, pra në të gjitha lagjeve ku ka besimtarë, duhet t’u krijojmë mundësi për t’u falur. Me këtë rast dua të them, ndonëse më vjen shumë keq, po që nga paslufta e deri tash, komuna e Prishtinës për xhami ka ndarë vetëm një vend, – tek Fusha e Pajtimit, apo, siç njihet në popull, Bunari i Hajratit, ndërsa ka shumë vende të lira që komuna mund t’i ofrojë për ndërtimin e xhamive, në mënyrë që qytetarëve tanë t’u krijojmë kushte që të falin namazin në kushte normale e jo në borë, lloç e shi.
Gjatë këtij mandati do t’i kushtoj një rëndësi më të madhe çështjes së informimit dhe do të përpiqem që xhamatlinjve tanë t’u krijojmë mundësi që të marrin informacione dhe njohuri fetare përmes radios e TV-së, të cilat shpresoj t’i kemi shpjet.
Një prioritet do të jetë edhe ndërtimi i xhamive atje ku nuk ka, dhe riparimi i atyre që kanë nevojë.
Një kujdes të posaçëm do t’i kushtojmë restaurimit të xhamive tona të vjetra, që kanë vlerë monumentale.
Pastaj do të jenë me prioritet hapja e kurseve për mësimin e Kuranit përmendsh-hivzit e kështu me radhë, kështu që mund të them se do të kemi një lloj rikonstruktimi të brendshëm brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, e këtë jo vetëm në infrastrukturë po edhe në kapacitete njerëzore.
D.I. : Myfti, gjendja e të punësuarve në BIK, dhe sidomos e imamëve në shumë rrethe të Kosovës, është e rëndë, nuk kanë të siguruar rrogë mujore, nuk kanë sigurim pensional, nuk kanë as sigurim shëndetësor, si e shihni zgjidhjen e këtyre problemeve, a ka ndonjë strategji konkrete, që edhe imamët tanë dhe të punësuarit e tjerë të kenë minimumin e kushteve për punë?
Myftiu Naim Tërnava: Unë në lidhje me këtë pikë që po e thoni ju, them që ne jemi të organizuar mirë, dhe diku afër 70% të imamëve mund të themi se marrin pagat mujore anekënd Kosovës; kjo është një e mirë e madhe për ne. Mirëpo kemi edhe vende të largëta nëpër fshatra, ku imamët nuk kanë pagë mujore, po marrin kryesisht nga vetëkontributi i qytetarëve të atij rrethi ku janë të angazhuar. Duhet ta dijë opinioni se ne kemi, nëse llogarisim në tërë Kosovën, afër 2000 të punësuar dhe të sigurosh minimum 500 mijë euro në muaj prej ndihmave vullnetare të popullit; kjo është një sfidë jashtëzakonisht e madhe, kur dihet që ne nuk kemi asnjë të hyrë, ne jetojmë vetëm nga populli. Për këtë problem Bashkësia Islame i ka bërë kërkesë edhe Qeverisë e edhe Parlamentit, që të shikohet mundësia e ndarjes së buxhetit për bashkësitë fetare, sidomos për sigurimin e rrogave, nëse jo për diçka tjetër, unë mendoj që nuk do t; ishte ndonjë barrë e madhe për buxhetin e Kosovës kjo. Ta marrim sikur Qeveria të kishte caktuar për Bashkësinë Islame të Kosovës, diku afër 10 milionë euro në vit, nuk do të ishte ndonjë shumë e madhe. Një praktikë e tillë zbatohet me shumë sukses që moti në Turqi, pastaj në Slloveni, Kroaci e në shumë shtete të tjera. Unë i përmenda shtetet e rajonit, ku ngjashmëritë tona me të tyre janë evidente, e këto që i përmenda, po edhe shumë të tjera, japin rroga për teologët nga buxheti i shtetit.
Nëse këto financohen nga Buxheti i Kosovës, do të bëhen edhe sigurimet që i përmendët ju, si sigurimi pensional e shëndetësor, sepse me marrjen e rrogës do të krijoheshin kushtet që të ndaleshin përqindjet për këto sigurime. Ndërsa në këtë gjendje çfarë jemi ne, mund të them se nuk qëndrojmë mirë, ngase ende Parlamenti i Kosovës nuk ka miratuar ligjin për pozitën juridike të bashkësive fetare. Ne nuk e dimë se a e bën qëllimisht apo, mirëpo kjo punë duhet të zgjidhet dhe bashkësitë fetare duhet të kenë të zgjidhur tretmanin e tyre në këtë drejtim, prandaj edhe një herë them që kjo do të ishte zgjidhja më fatlume në këtë drejtim për Bashkësinë Islame të Kosovës.
D.I.: Myfti, si e konsideroni sot gjendjen dhe ndikimin e fesë në Kosovën e re, në Kosovën që po e krijojmë për çdo ditë, si shtet të pavarur?
Myftiu Naim Tërnava: Unë jam shumë i gëzuar kur i shoh xhamitë të mbushura përplot, jam shumë i gëzuar kur shoh xhemat dhe sidomos nga të rinjtë tanë. Edhe pse është shtuar numri i xhamive në Kosovë, mund të them që andej rreth 50% falen jashtë xhamive ditën e xhuma, dhe kjo, nga një anë, më gëzon shumë. Më gëzon sepse ky është edhe qëllimi ynë, që feja të mbërrijë tek çdo individ. Kosova tash është bërë krejtësisht një Kosovë tjetër, në të mund të dëgjohet, mund të lexohet, mund të shkruhet gjithçka, sepse nuk ka ndonjë institucion që kontrollon për të mos u folur gjithçka, për të mos u lexuar gjithçka, për të mos u dëgjuar gjithçka .
Shohim se në Kosovë ka tentativa, siç e kam thënë edhe më herët, edhe të organizimit jashtë Bashkësisë Islame të Kosovë, në emër të fesë, dhe kjo shkon direkt në dëm të myslimanëve të Kosovës, sepse nuk është e kotë thënia “përçaj e sundo”! Për këtë arsye vlen të theksohet edhe një herë se politika e Kosovës, e them me plot përgjegjësi, nuk ka fare qasje në Bashkësinë Islame të Kosovës, për se unë e përgëzoj politikën e Kosovës dhe them se nuk ka pasur deri tash as tentativë për t’u përzier apo për të ndikuar në punët e brendshme të Bashkësisë Islame të Kosovës. Mirëpo, edhe kështu e lënë tërësisht, siç është lënë pa kujdesin dhe pa i kryer detyrimet që u takojnë Qeverisë e institucioneve të tjera, ndaj bashkësive fetare, kjo nuk është aspak në rregull dhe është e dëmshme.
D.I. : Por, ç’do të duhej të bënte Qeveria në këtë rast?
Myftiu Naim Tërnava: Për shembull, unë e kam thënë disa herë edhe më herët se ne nuk i kontrollojmë kufijtë e Kosovës dhe as Aeroportin e Kosovës. Këtu në Kosovë tash hyn e del kush të dojë; po them këtu vijnë njerëz në emër të fesë, ka njerëz që vijnë në Kosovë dhe me vete sjellin indoktrinime të natyrave të ndryshme, gjë që neve nuk na shkon për shtati; ka njerëz të cilët vijnë në emër të fesë e rrinë nga një e dy muaj në Kosovë dhe askush s’e di cilët janë, ku rrinë e ç’bëjnë, dhe kjo po sjell shumë pasoja; pastaj ndodh të indoktrinohen, sidomos të rinjtë, kështu që kemi një pjesë të të rinjve që deri dje nuk kanë qenë të përkushtuar për fenë dhe sot kontaktin e parë e kanë me misionarë të huaj, nga të cilët aty për aty indoktrinohen keq, jo drejt, dhe pastaj do të na duhen 4-5 vjet derisa ata të vetëdijesohen e të kthehen e të shohin realitetin e fesë. Një indoktrinim i tillë nuk i duhet Kosovës.
Një organizim jashtë vijës institucionale nuk i duhet Kosovës. Kosovës nuk i duhet ndonjë rrymë tjetër fetare, e kemi të kultivuar këtu e 600 vjet fenë islame dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që dikush nga jashtë të luajë me fatin e myslimanëve të Kosovës, dhe kjo do të arrihet nëse të gjitha institucionet e Kosovës i kryejnë detyrimet që kanë; nuk them që ky të bëhet shtet diktatorial, qoftë larg, shtet demokratik – po, mirëpo nuk është demokraci që të bëjë gjithkush me çfarë të dojë, edhe demokracia i ka rregullat e veta. Në shtëpi fëmijët tanë, nëse i lëmë të bëjnë ç’të duan, kur të kthehemi, shtëpinë do ta gjejmë si mos më keq. Ose brendapërbrenda familjes, nëse fëmijëve tanë ua tërheqim vërejtjen, do të kemi një rend e rregull. Unë angazhohem për shtet demokratik, mirëpo të punohet brenda suazave që ka përcaktuar Kushtetua e këtij vendi dhe Kushtetuta e Bashkësisë Islame të Kosovës, po edhe rregulloret që dalin nga institucionet e ndryshme. Atëherë kemi për të qenë të fortë, unikë, dhe kemi për të arritur qëllimin e fundit, sepse këtu në Kosovë, nëse arrin edhe ndonjë rrymë, ta quaj kushtimisht ekstremiste, përsëri po them, nëse arrin, – atëherë do të ketë pasoja të mëdha edhe për Kosovën si shtet, po edhe për ne si shoqëri.
D.I. : Myfti, ditë më parë, në rrethana të pasqaruara, nga njerëz të panjohur është sulmuar kryetari i Kuvendit të BIK-së, Dr. Xhabir Hamiti. A domethënë kjo që ka shenja të manifestimit të dhunës ndaj institucioneve dhe udhëheqësve të BIK-së?
Myftiu Naim Tërnava: Edhe në prononcimin tim të mëhershëm e kam thanë dhe jam deklaruar e po deklarohem edhe një herë, se sulmi ndaj kryetarit të kuvendit Dr. Xhabir Hamiti, është një sulm që është kryer nga njerëz tinëzarë, të ligj, të maskuar, dhe, nëpërmjet sulmit që i është bërë Xhabirit, unë e kam thënë se nuk është sulmuar vetëm Xhabiri; në këtë rast është sulmuar edhe vetë Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, për se kam kërkuar dhe kërkoj me ngulm nga organet kompetente, që të gjenden sulmuesit dhe ata, kushdo qofshin, të dalin para gjyqit. Unë nuk po prejudikoj që ky mund të jetë ai apo ky, derisa të mos e japin fjalën e fundit organet kompetente. Ne nuk dimë të akuzojmë askënd me saktësi, mirëpo, kushdo qofshin ata, unë kërkoj edhe një herë që organet kompetente ta zbardhin këtë sulm kaq të lig, që është bërë natën, sepse të ligjtë sulmojnë natën.
Sigurisht që ky dhe një rast tjetër që ka ndodhur para një muaji në Prizren, ku është sulmuar imami i xhamisë Safet Hoxha, përbëjnë dy akte që kanë ndodhur brenda një muaji, dhe këto Bashkësia Islame i dënon rreptë në njëfarë mënyre, po them deri tash nuk ka ndodhur që të çojë dorë dikush mbi hoxhën, mirëpo, fatkeqësisht, paska edhe të tillë njerëz që çojnë dorë edhe mbi hoxhën. Sigurisht që ky akt si i tillë argumenton se në Kosovë ndoshta tashmë kanë filluar (unë nuk po them që ka ekstremistë në Kosovë), mirëpo tashmë sikur kanë filluar disa që edhe në emër të fesë, t’i zgjidhin problemet me dajak (dhunë). Kjo nuk përkon me realitetin kosovar, nuk përkon as me traditën tonë në Kosovë. Unë po lexoj në shtyp, madje edhe dje kam lexuar një shkrim, në të cilin Bashkësia Islame e Kosovës merret në thumb dhe akuzohet për shkak se nuk ka reaguar as me rastin e mbytjes së ish- bashkëshortes që fatkeqësisht ka ndodhur këtu në Prishtinë para më shumë se një muaji; disa herë lexoj shkrime në të cilat ne si Bashkësi Islame akuzohemi se nuk jemi distancuar nga ato ngjarje. Kemi të bëjmë me vdekjen, pavarësisht kush është dorasi, po nuk bën të akuzohemi ne, sepse ne e kemi ngritur zërin. Unë vetë kam shkuar e kam parë në familjen e viktimës, mirëpo ne nuk mund të japim përfundim për shkaqet e krimit. Këtë duhet ta bëjë prokuroria. Aktin si akt e kemi dënuar dhe e dënojmë pa asnjë hezitim, siç kemi dënuar çdo akt të tillë, ngase vrasja është kundër parimeve islame.
D.I. : Myfti, kohët e fundit në Kosovë është hapur një debat rreth Islamit tradicional tek ne, a i duhet ky debat tash Kosovës dhe a ia vlen të merremi me këtë?
Myftiu Naim Tërnava: Shikoni, Islami është Islam, nuk ka Islam tradicional dhe Islam bashkëkohor. Dihet se Islami është Islam që del nga burimet kuranore dhe thëniet e Muhamedit a.s .Mirëpo, këtu mund të bisedohet për qasjen ndaj Islamit, pra për qasjen në të kaluarën ndaj Islamin, mbi Islamin dhe rreth Islamit, dhe për qasjen tash në kohën tonë. Është e vërtetë e madhe që ka ndryshuar një qasje në raport me Islamin, i ndikuar edhe nga faktorë të ndryshëm, së pari nga faktori i një pjese të zhvillimit të teknologjisë, pastaj nga aspekti i bindjes… madje edhe nga aspekti i gjendjes ekonomike, sociale, politike, kulturore… dhe këtu tek ne, ky debat nuk bën të hapet si për Islamin, po si i qasemi ne Islamit. Këto probleme në Kosovë mund të zgjidhen mjaft shpejt, nëse ekziston një gatishmëri për t’u zgjidhur, nëse nga faktori politik i Kosovës Bashkësia Islame, me apo pa vetëdije, NUK margjinalizohet. Përndryshe probleme të shumta do t’i lindin politikës së Kosovës, jo nga Bashkësia Islame, po nga margjinalizimi dhe nga mosmarrja me probleme të vetë besimtarëve të Kosovës. Dhe me këtë që theksova, nuk dua të them assesi që do të lejojmë që Qeveria të përzihet në punët tona të brendshme, ama ajo duhet t’i kryejë punët e veta. Për shembull, ndodh të vijë këtu X shoqata prej X vendi të botës, dhe të marrë rolin e një Bashkësie Islame në Kosovë dhe njerëzit që janë kompetentë për këtë, Qeveria a Ministria përkatëse, të mos merren fare me këtë problem, dhe ai të sillet këtu si të dojë. Unë një ditë pata këtu në zyrën time një të huaj dhe i thashë: “Mor zotëri, po të vija unë në shtetin tënd dhe të bëja atë që po bën ti këtu, ç’ do të më kishte ndodhur”? Ma ktheu: “Do të burgoseshe menjëherë”.
Unë me këtë rast nuk po them t’i burgosim, po t’ua tregojmë udhën nga e kanë, t’u japim biletën, dhe të ikin nga kanë ardhur. Neve nuk na vyen asnjë misionar p.sh. nga Tora Bora, absolutisht nuk na duhet këtu, sepse kemi boll kuadro tonat.
Besoj që institucionet tona, fatkeqësisht, Islamin e kuptojnë ende si diçka të huajën për identitetin tonë, sa kohë që Islami është pjesë e identitetit shqiptar, dhe kjo nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë.
D.I. : Myfti, kohët e fundi në Kosovë po edhe më gjerë në viset shqiptare, hoxhallarë po edhe teologë të ndryshëm, japin fetva nga më të ndryshmet, pa u konsultuar me institucionet që janë bartëse të fesë islame, dhe fetvatë e tilla shpesh sjellin edhe kundërshtime e konflikte në mesin e besimtarëve?
Myftiu Naim Tërnava: Fetva dihet se kush jep në Kosovë. Është Bashkësia Islame e Kosovës ajo dhe ka Komisionin për Fetva, prandaj njerëzit mund t’i drejtohen me shkresa të ndryshme. Ne ulemi, i diskutojmë problemet dhe japim feta. Megjithëkëtë, ka prej njerëzve e ka edhe nga hoxhallarët, fatkeqësisht, që po i japin të drejtën vetes që të japin përgjigje, edhe pse Allahu ka thënë “kurr mos u ndal në atë për çka s’ke dije” ose të gjykosh për diçka. E disa po gjykojnë me hamendje dhe po krijojnë një huti në mesin e besimtarëve. Nuk është e bollshme vetëm të njihet Islami, por Islamin duhet të dish edhe ta interpretosh; nuk është e bollshme vetëm të lexosh Kuranin dhe Hadithet e Muhamedit a.s., e të dalëshme të thuash – ja unë do të dal e ta shpjegoj dinin. Ka shumë që e lexojnë, po nuk e kuptojnë, prandaj vërtet njëherë duhet të kuptohet si duhet e pastaj të shtjellohen gjërat e të interpretohen drejt, prandaj nuk është e drejtë e asnjë imami që të japë fetva të nivelit që nuk i përket atij, siç janë tema delikate për të cilat lypset një forum kompetent, nga njohës të mirë të çështjeve dhe me autoritet e integritet. Megjithëkëtë, imamët kanë detyrat e veta që t’u përgjigjen besimtarëve për pyetje praktike, që kanë të bëjnë me fushën e fikhut.
Po duhet ta dini se edhe këtu ka interesa të ndryshëm, ka njerëz që marrin edhe rrogë nga shoqata të ndryshme dhe sigurisht që ata duhet të çojnë pak ujë edhe andej nga financohen, edhe pse ne, fatkeqësisht, një pjesë të konsiderueshme të tyre nuk i dimë se kush janë.
D.I. : Myfti këto ditë përsëri Kosova është në qendër të debatit, por kësaj radhe për Planin 6- pikësh të Ban Ki Munit, për se spektri politik i Kosovës për disa ditë u ndodh në amulli e tension. Cila është porosia juaj për udhëheqësit shtetërorë e politikë të Kosovës?
Myftiu Naim Tërnava: Ju e dini që unë ditë më parë kam takuar edhe Shefin e misionit të EULEX, Iv dë Kërmabo, i cili ishte për vizitë tek unë, dhe ne qëndrimin e Bashkësisë Islame e kemi bërë të njohur. 6- pikshi solli një shqetësim shumë të madh për qytetarët e Kosovës, po edhe të gjitha institucionet e Kosovës janë marrë me këtë problem. Dihet që edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit janë marrë me këtë problem, dhe aty është marrë për bazë edhe plani 4-pikësh i Qeverisë së Kosovës. Këto dihen dhe më kthim mbrapa nuk ka, por Qeveria jonë duhet të jetë edhe më aktive dhe të ruajë unitetin veprues, se ka përgjegjësi të madhe, sepse ka dalë nga vota e popullit. Jemi të bindur që Qeveria jonë nuk do të pranojë më asgjë që ka të bëjë me Serbinë. Ne Serbinë e njohim vetëm si shtet fqinj, dhe konsideroj se 6-pikëshi tashmë është jofunksional dhe joaktual, por neve na duhet më shumë syçeltësi dhe një punë më e madhe .
D.I. : Myfti, në emër të redaksisë së revistës “Dituria Islame” dhe në emër të lexuesve, ju urojmë për marrjen e besimit që të udhëhiqni BIK-në edhe në 5 vitet e ardhshme. Njëkohësisht ju urojmë, me dëshirat më të mira, suksese në realizimin e objektivave tuaja!
Myftiu Naim Tërnava: Faleminderit prej jush dhe, përmes jush, përshëndes të gjithë lexuesit, kurse juve – suksese në punët tuaja!
(intervistoi: Ramadan Shkodra)