Fjala e myftiut të Kosovës, në hapje të konferencës shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtarë”
Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim
I nderuari Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha,
I nderuari kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça,
I nderuari Reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sylejman ef. Rexhepi,
I nderuar Reis Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejziç,
I nderuari ambasador i Kosovës në Shqipëri, z. Sulejman Selimi
Të nderuar përfaqësues të Korit diplomatik
Të nderuar përfaqësues të subjekteve politike dhe jopolitike
Të nderuar studiues
Të nderuar të pranishëm
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të strukturave drejtuese të saj, në emër të besimtarëve myslimanë të Kosovës dhe në emrin tim, t’Ju përshëndes në këtë përvjetor të rrallë, unikal, jubilar e të papërsëritshëm për ne.
Jemi mbledhur këtu nga të gjitha viset shqiptare për të shënuar e festuar 100 Vjetorin e ngritjes së Flamurit, shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar.
Jemi tubuar këtu për të kujtuar dhe për të respektuar të gjithë ata që kontribuuan dhe e shpallën këtë akt madhor. Dhe jo vetëm ata, por për t’i kujtuar e për të qenë mirënjohës edhe ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë.
Po ashtu, shprehim konsideratën tonë të thellë dhe i kujtojmë me pietet gjithë ata breza që e mbollën, e ngritën, e ruajtën dhe e kultivuan ndjenjën komb formues e shtet formues ndër shqiptarët.
Kujtojmë, ato personalitete të ndritura të kombit, të cilët njëqind vjet më parë, të bashkuar rreth një ideali e qëllimi, shpallën aktin e pavarësisë së Shqipërisë, dhe i renditën shqiptarët në mesin e popujve me identitet, kulturë e etni të mëvetësishme, e edhe me shtet të tyre.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i shtetit shqiptar në Ballkanin e trazuar, ishte një mision plotë sfida, sakrifica e mundime, ishte një punë shumë e vështirë. Lindja e shtetit të shqiptarëve në këto kohë kthesash të mëdha, jo vetëm që nuk u mirëprit nga fqinjët tanë, por, për më tepër, i tërboi dhe i egërsoi ata si asnjëherë më parë, për se edhe ia mësynë tokave shqiptare në të gjitha anët, për t’i copëtuar e gllabëruar dhe për ta zhbërë shtetin e sapo lindur shqiptar.
Shqipërisë iu morën me dhunë krahina të tëra, si Kosova, Çamëria dhe territore të tjera të mbetura nën Maqedoni, Malë të Zi e Serbi, të cilat vise jo vetëm se nuk e shijuan pavarësinë, por në vend të saj u përballën me okupimin, gjenocidin, shfarosjen, dhunën, agresionin dhe dëbimin nga trojet e tyre. Këto vise, fatkeqësisht, edhe sot e njëqind vjet më pas, kanë ngelur jashtë trungut të tyre etnik.
Megjithëkëtë, Shqipëria, ndonëse e copëtuar dhe e sfilitur, u bë, kurse shqiptarët, falë vitalitetit të tyre, falë mendjeve të zgjuara e të ndritura të bijve të vet dhe, mbi të gjitha, falë dëshirës dhe vullnetit të Zotit, duke njohur batica e zbatica, ngritje e ulje, rende dhe sisteme të ndryshme shoqërore e politiko-ideologjike, mbijetuan dhe i bënë njëqind vjet histori të shtetit të tyre.
Të nderuar pjesëmarrës!
Konferenca “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, e organizuar nga tri komunitetet fetare islame të shqiptarëve, ka për synim që të ndriçoj dhe të nxjerrë në pah rolin dhe kontributin e dijetarëve dhe institucioneve islame në ruajtjen e ekzistencës kombëtare dhe në ngritjen e vetëdijes politike.
Roli dhe kontributi i ulemasë shqiptare dhe institucioneve të saj, gjatë historisë ka qenë i madh, duke nisur që nga “Lidhja e Prizrenit” me myderrizin e njohur haxhi Ymer Prizrenin, Halim ef. Ramadanin, Ahmet ef. Korenicën, Hafiz Ymer Gutën, Hasan ef. Shllakun, Hafiz Myrteza Luzhën, Jusuf ef. Podgoricën dhe shumë ulema të tjerë nga të gjitha viset shqiptare, “Lidhja e Pejës” me Haxhi Zekën, Shpallja e Pavarësisë me Vehbi e Ismet Dibrën, Daut Boriçin me ulemanë shkodrane, Sherif Langun e Ferit Vokopolën, Hafiz Ali Korçën e Hafiz Ibrahim Dalliun e të tjerë, mbrojtja e Kosovës me Hoxhë Kadri Prishtinën, Rrystem Shportën, Iljaz Brojën, Mulla Idriz Gjilanin e Haki Sermaxhajn, sheh Hysenin e Musa Shehzaden… e shumë e shumë të tjerë, për kontributin e të cilëve, sigurisht më meritor e më kompetentë për të folur janë studiuesit që do të referojnë në këtë Konferencë.
Kontributi i ulemasë shqiptare ishte determinues si në marrjen pjesë aktive nëpër kryengritje të shumta, duke i udhëhequr ato, por edhe duke u dhënë kurajo luftëtarëve të lirisë me këshilla e vepra dhe me autoritetin të cilin e gëzonin në masë. Ulemaja shqiptare ishte e motivuar nga mësimet Kuranore dhe porosit e Muhamedit a.s. që të japin në vazhdimësi kontributin e tyre për liri e pavarësi.
I madhi Zot në Kuranin famë lartë thotë: “…Vërtet Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë gjendjen e tyre…”
Po ashtu, një kontribut të madh kanë dhënë edhe institucionet fetare islame, si xhamitë, meketebet, medresetë, teqetë etj., të cilat ishin çerdhe të përpjekjeve për mbijetesë dhe pavarësi të shqiptarëve, si Kompleksi i medresesë “Mehmed Pasha”, xhamia “Sinan Pasha” në Prizren, medreseja “Pirinazir” e Prishtinës, Medreseja e Tiranës, medreseja e Isa begut dhe medreseja Meddah në Shkup, Medreseja e Madhe në Gjakovë etj. e deri tek kontributi që ka dhënë në dekadat e fundit medreseja “Alaudin” në Prishtinë, ku gjatë viteve ‘89-‘99 u mbajtën 1230 tubime të karakterit politiko shtet formues, nëpër të cilën kaluan kokat më të ngritura e të ditura, për ta bërë Kosovën shtet.
Medreseja Alaudin ishte një vazhdimësi e kontributit të Medresesë së Mehmet Pashës, në kompleksin e së cilës më 1878 u mbajt edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Me atë rast paria Islame i shkruan këtë letër ambasadorit të Francës në Stamboll.
“Me habi kemi marrë vesh se lokalitetet e vendit tonë duhet të kalojnë nën administrimin e Serbisë dhe Malit të Zi, disa të tjera do të bëjnë pjesë në qeverinë e re të Bullgarisë. Në emër të të drejtave njerëzore ne protestojmë dhe të gjithë ne jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha sakrificat për të kundërshtuar këtë. Duke pasur besim te Zoti ne do të luftojmë kundër atyre që do të përpiqen të nënshtrojnë vendin tonë. I lutemi shkelqësisë tuaj t’ia transmetoni lutjen tonë qeverisë tuaj me qëllim që të mënjanohet gjakderdhja”.
Të nderuar të pranishëm!
Pavarësia e shqiptarëve dhe mbijetesa e tyre ndër shekuj nuk është kontribut vetëm i prijësve të njërës përkatësi fetare, por është rezultat i një vetëdije kombëtare e fetare kolektive që ka mbizotëruar tek shqiptarët, është rezultat i tolerancës, i harmonisë e mirëkuptimit, virtyte këto me të cilat dallohet e veçohet ky popull, e të cilat i mbollën e i kultivuan Rilindësit tanë të shquar.
Prijësit fetarë shqiptarë me vokacion nuk ishin politikan dhe politika nuk ishte profesioni i tyre, por ishte vetëdija e tyre morale e politike si sintezë e dy komponentëve kryesore: patriotizmit dhe besimit, që i vuri ata në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit, me të cilat jo vetëm që hynë në histori, por edhe e bënë historinë.
Megjithatë, për shkaqe të njohura, historia jonë nuk është treguar shumë e drejtë ndaj kontributit të ulemasë dhe institucioneve islame. Prandaj, le të shërbejë kjo Konferencë si një nismë e mbarë që të gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë e Shqipërisë dhe ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar e fetar, t’u jepet haku dhe të renditen meritueshëm në panteonin e historisë së kombit tonë.
Të nderuar të pranishëm!
Shënimi i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë sigurisht që nuk do ta kishte këtë rëndësi, këtë aromë dhe këtë ngjyrë pa pavarësinë e Kosovës, pa përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni e Mal të Zi.
Por ky përvjetor si dhe të tjerët, do të vazhdoj të quhet i mangët për sa kohë që shqiptarët nuk do të jenë bashkë.
Në fund, lus Zotin që gabimet historike ndaj shqiptarëve të mos përsëriten, kurse shqiptarët të mos i bëjnë gabimet e njëjta!
Më lejoni që krejtë në fund t’ju lexoj vargjet e fundit të poezisë “Rrofsh o vatan i përkëdhelur” të shkruara në vitin 1942 nga alimi i mirënjohur Kemal Aruqi.
“Flamuri i kuq është simboli i lirisë i popullit tim
Horizontin e vendit tim do ta mbushë me ndriqim
O Zot i Madh! Ti mbroje popullin dhe vatanin tim!
O Shqipëri! Shembjen tënde sytë s’kanë për të na e parë
Liria e pavarësia të qofshin për mbarë”.
Ju faleminderit!
Myftiu Naim ef. Tërnava
28 shtaor 2012