( Agim Vinca, “Letër Zotit”, Toena,Tiranë,2008).
Përmbledhjes së fundit të poezive të Dr. Agim Vincës, e titulluar “Letër Zotit”, iu bë një prezantim i mirë në shtypin kosovar. Por, ajo që tërhoqi kërshërinë time ishte prezenca e aspektit fetar në poezitë e autorit. Për arsye se në disa poezi kemi të bëjmë me disa shprehje subtile të protagonistëve , të cilëve u kushtohen poezitë. Që poeti të jetë zë autentik i popullit të vet dhe i protagonistëve për të cilët ai shkruan, ai lypset të depërtojë thellë në shpirtin e tij në të gjitha segmentet. Trashëgimia shpirtërore e një populli është një segment që e pasuron në një masë të madhe krijimtarinë letrare të çdo krijuesi.
Për fat të keq, ky aspekt tejet i rëndësishëm në krijimtarinë letrare të çdo populli ka qenë i anashkaluar në gjysmën e dytë të shekullit njëzet në historinë e letrave shqipe, për rrethana tash më të njohura për të gjithë ne. Bile mund të thuhet se aspekti fetar jo vetëm se injorohej, por përbuzej, nënçmohej edhe satanizohej.
Me demokratizimin e shoqërisë shqiptare inteligjenca është ajo që duhet t’i paraprijë demokratizimit të shoqërisë, duke përfshirë edhe aspektin fetar në krijimtarinë tonë letrare, sepse ai e begaton atë në shumë aspekte.
Për të qenë ndoshta më real dhe më i drejtpërdrejt, mund të thuhet se trajtimi thesarit fetar, nuk ka pasur një trajtim të barabartë në krijimtarinë letrare në gjuhën shqipe. Vazhdimisht shohim se krishterimit i jepet përparësi, kundruall islamit edhepse ky i fundit ka një shtrirje shumë më gjerë. Kjo, në një farë mase mund të jetë rezultat i ndikimit të letërsisë evropiane dhe asaj botërore në krijimtarinë tonë letrare..
Kur është fjala te përmbledhja e fundit e Agim Vincës, “Letër Zotit”, ky ndikim është më se evident. Vet titulli i përmbledhjes, për një shoqëri tradicionalisht myslimane sikur që është kjo e jona, jo vetëm se nuk është i pranueshëm, por mund të jetë edhe ofendues. Filozofia monoteiste e besimit islam nuk e pranon një shprehje të këtillë. Në veçanti kur në përmbledhjen në fjalë nuk ekziston ndonjë poezi me këtë titull.
Në anën tjetër tek protagonistët shihet një disproprcion i elementit fetar në mes protagonistëve të dy besimeve. Sa për ilustrim po përmendim disa shembuj të protagonistëve të krishterë.
Në poezinë :Qiriazët” poeti shprehet:
“Në altar të Atdheut si apostuj rrinë
Ungjill kanë shqipen, kishë – Shqipërinë”.
Një poezi tjetër mban titullin:”Psalm për Shën Naumin”
Kurse në poezinë tjetër e titulluar: “E shqip flasin njerëzit dhe rrugët”, shkruan:
“Bogdani u strehua në kishë,
Hasani në histori”.
Në anën tjetër kur kemi të bëjmë me monumente apo figura shqiptare të proveniencës islame, shihet anashkalimi i plotë i simboleve islame, siç është rasti në poezinë “Shtëpi e Lidhjes”, ku poeti thotë:
“….midis shtëpive të tjera të zakonshme
Ngrihesh ti –
Shtëpi e Lidhjes”, duke e konsideruar edhe Xhaminë e Bajrarklisë, një shtëpi të zakonshme, në kuadër të së cilës ishte “Shtëpia e Lidhjes”, siç e quan poeti.
Por, më eklatant është përshkrimi që poeti i bënë Prekazit, në poezinë “Homazh për Prekazin”, që është një fshat thjesht i përbërë prej pjesëtarëve të besimit islam e përshkruan kështu:
“Prekazi s’ka godina të mëdha
As pirgje e kambana madhështore”.
Për, të gjithë ata që ishin dëshmitarë të tragjedisë së masakrës së Prekazit, u kujtohen xhenazet e familjes së Jasharajve. Po ashtu u kujtohet edhe pamja e fiksuar e kameramanit të Euro Nwzit që kishte incizuar lotin e imamit të Drenasit. Atëherë, përshkrimi i Prekazit, vend i “pirgjeve dhe kambanave”, nuk ka të bëjë me realitetin dhe mund të përbuzës për të vdekurit, por edhe për të gjallët. Poeti për të qenë korrekt me vetveten dhe me shehidët e Prekazit, të cilët me sakrificën e tyre ua sollën Kosovës lirinë, ka mund të përmend simbolet islame: xhamitë dhe minaret.
Është mirë që krijuesit tanë në përdorimin e simboleve fetare të jenë sa më autentikë, duke përdorur ato si një begati që mund ta pasurojë krijimtarinë tonë letrare, por në asnjë mënyrë që ato të krijojnë konfuzion në mesin e popullatës.