Agresioni izraelit në Gazë po hyn në ditën e tetëmbëdhjetë, pamjet tmerruese që po vijnë nga Rripi i Gazës po ndikojnë në  tërë botën. Protestat nga të gjitha anët po u paraprijnë lajmeve në mediat më të fuqishme botërore, qofshin ato të Lindjes apo të Perëndimit. Kosova, edhe pse, vetëm pak më shumë se nëntë vite më parë ishte në lëkurën e palestinezëve, institucionet e saj, deri më tash ka preferuar heshtjen lidhur me atë se çka po ndodh në Rripin e Gazës.

 

Ndërkohë që me rastin e vizitës së ministrit turk të Punëve të Jashtme, Ali Babaxhan, në mediat kosovare u përmend se në një të afërme të afërt priten njohje nga vende arabe. Dje rrjeti i gjerë i internetit, Islamonline, në gjuhën arabe dhe atë angleze kishte publikuar artikullin me titull: “Kosova, heshtje zyrtare, solidaritet popullor me Gazën”. Ndërkohë që e përditshmja autoritative e Bejrutit “al-Mustakbal” kishte publikuar artikullin me titull: “Solidaritet me Gazën, me fotot e Sheshelit në Beograd”.

Duke u nisur thjesht nga parimet njerëzore, institucionet e Kosovës ka qenë dashur të mos e kalojnë në heshtje një masakër të këtillë çfarë jemi duke parë qe më shumë se tetëmbëdhjetë ditë në Rripin e Gazës, pa marrë parasysh interesat tjera. Por, unë jam më se i bindur se një qëndrim i këtillë indiferent i institucioneve të Kosovës nuk i bënë nderë në skenën ndërkombëtare, por edhe do të jetë një pengesë serioze për njohjet e pritura jo vetëm në kuadër të Ligës Arabe, në të cilën aderojnë 22 vende, ku kemi vetëm 1 njohje. Por edhe në kuadër të Konferencës Islamike ku aderojnë 57 shtete, kurse deri më tani kemi vetëm 6 njohje. Pa hyrë në kalkulime tjera humanitare e njerëzore, të cilat do të vlerësohen pas përfundimit të agresionit izraelit në Gazë. Shtrohet pyetja, se a është e logjikshme që qeveria jonë, për hatër të një shteti, me këtë rast, është Izraeli të humbim një numër aq të madh shtetesh, me të cilat kemi vlera të përbashkëta dhe qe një kohë të gjatë jemi duke kërkuar nëpërmes ndërmjetësuesve të ndryshëm njohjen e pavarësisë së Kosovës? Vlerat e përbashkëta dhe ato njerëzore duhet të manifestohen në praktikë në momentet më të vështira, ku duhet të thuhet e vërteta. Ashtu, siç po vepron kryeministri turk, Tajip Rexhep Erdogan dhe për këtë po gëzon respektin e të gjitha palëve që janë të interesuar për paqe në Lindjen e Mesme.
Në anën tjetër, çdo prononcim eventual i institucioneve të Kosovës, ku mund të mbështetet Izraeli, ashtu siç kishte shkruar sot një  e përditshme kosovare, do të thotë edhe një shtyrje e pa afat e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet arabe dhe  islame, për shkak të hidhërimi të madh që po mbretëron në ato vende për shkak të asaj çka po ndodh në Gazë. Në shkrimet e shumë analistëve arabë, njëra prej arsyeve të  mosnjohjes së  pavarësisë së Kosovës, nga qeveritë e vendeve arabe ishte simpatia e jonë e madhe ndaj Perëndimit. Këtë dëshirë të popujve të tyre, ata e realizonin pa u kushtuar asnjë metalik.

 

 

 

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…