Dr. Qazim Qazimi

Xhematlinj të nderuar, vëllezër dhe motra, ju telespektatorë që po na ndiqni përmes ekraneve televizive në Kosovë dhe jashtë saj, kudo që jeni, në trojet shqiptare dhe në mërgim, vëllezër myslimanë, paçi paqen e Allahut, mëshirën dhe bekimin e Tij-السلام عليكم و رحمة الله و بركاتة
Tema bosht për të cilën do të flas në këtë ditë festive, është:

HAXHI STRUMBULLAR I DEVOTSHMËRISË KULMORE
Lashtësia e Qabesë në raport me krijimin e njeriut
Në ajetet 30, 31 dhe 32 të sures ”El-Bekare”, Kurani hedh dritë mbi ngjarjen më të rëndësishme të historisë njerëzore, atë të krijimit të njeriut të parë-Ademit a. s.. Natyrisht, se kjo dije autentike është shumë më thelbësore, më e saktë dhe krejtësisht origjinale me premisa hyjnore karshi spekulimeve të ndryshme, të ashtuquajtura shkencore-darviniste, që propagandojnë teorinë e evolucionit dhe procesin e krijimit të njeriut. Duke ditur se Kurani është ligjërim i Allahut, ai na pajis me dituri të thellë e të saktë, dituri e cila na mëson dhe na jep informacion jo vetëm në lidhje me krijimin e njeriut, por gjithashtu edhe mbi qëllimin e këtij krijimi.
Përmes një intonimi të përgjithshëm, Kurani apelon:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ* (الحجرات /13).
“O njerëz! Vërtet Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre dhe ju bëmë kombe e fise, që të njiheni në mes jush. Pa dyshim se më i nderuari prej jush tek All-llahu, është ai që është më i devotshmi.”  
Ndërsa  Pejgamberi Muhammed, në mënyrë të prerë, thotë: “Në Islam nuk lejohet të ketë dallim në mes të bardhit dhe të ziut e as në mes të arabit dhe joarabit  tjetërfarësh përveç përmes devotshmërisë”.
Sikundër me ajetin kuranor të sipërcituar, po ashtu edhe me hadithin e Muhammedit a.s., ajo më e çmueshmja- virtyti  që vlerësohet mbi të gjitha tek Allahu, për myslimanët është devotshmëria.
Nuk ka dyshim se devotshmëria ishte kriter i vlerave hyjnore që nga krijimi i njeriut të parë, Ademit a.s.. Zoti  xh. sh. Ademin a. s. e shpalli pejgamber dhe ia mësoi të gjitha gjërat e nevojshme. Në Kuran thuhet:
وَ عَلَّمَ آدَمَ اْلأَسْمَاءَ كُلَّهَا (البقرة / 31)…*
“ Dhe ia mësoi (All-llahu) Ademit emrat e të gjitha gjërave”.  
Meka si vend i shenjtë, me një qytetërim të lashtë mbahet në mend që nga ndërtimi i Qabesë (Faltores së parë në fytyrë të tokës për falje dhe devotshmëri),e cila është cilësuar si Shtëpi e Allahut, në të cilën adhurohet Ai dhe nuk i bëhet  shok:
ِإنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكاً وَهُدىً لِلْعَالَمِينَ.
 “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme dhe  udhërrëfyese për mbarë njerëzimin”.   
 Kjo faltore e shenjtë dhe absolutisht e para në rruzullin tokësor, gjatë historisë u ndërtua e rindërtua disa herë. Për të është thënë se është shtëpia  e parë e vënë në tokë, rreth së cilës bëri  tavaf Ademi    a.s. dhe njerëzimi pas tij.
Në një variant tjetër e gjejmë se për të parën herë e ndërtoi Shiti, i biri Ademit a. s., pastaj e rindërtuan pejgamberët babë e bir – Ibrahimi a.s. me Ismailin a.s..  
وَإِذْ يَرْفَعُ إِبْرَاهِيمُ الْقَوَاعِدَ مِنَ الْبَيْتِ وَإِسْمَاعِيلُ رَبَّنَا تَقَبَّلْ مِنَّا إِنَّكَ أَنْتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ .
 “ Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: O Zoti ynë, pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka”.
Ibrahimi a. s. ishte i lindur në Mesopotami, sipas disa të dhënave në qytetin e vjetër Ur të Babilonisë dhe,  pas bredhjeve të tij në mes Shamit e Egjiptit, ai pasardhësit e tij i vendosi në Mekë në një trevë jopjellore, pranë Shtëpisë së shenjtë, dhe u lut për ta. Në Kuran kjo paraqitet kështu:

رَّبَّنَا إِنَّى أَسْكَنتُ مِن ذُرّيَّتِى بِوَادٍ غَيْرِ ذِى زَرْعٍ عِندَ بَيْتِكَ الْمُحَرَّمِ رَبَّنَا لِيُقِيمُواْ الصَّلو?ةَ فَاجْعَلْ أَفْئِدَةً مّنَ النَّاسِ تَهْوِى إِلَيْهِمْ وَارْزُقْهُمْ مّنَ الثَّمَراتِ لَعَلَّهُمْ يَشْكُرُونَ.
“O Zoti ynë! Unë vendosa disa nga pasardhësit e mi në një lugine  që nuk mbillet ( që nuk është e pëlleshme), pranë Shtëpisë Sate të Shenjtë. Zoti ynë! Bëji ta falin namazin dhe bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dhembshuri për ta si dhe furnizoi me fruta, ndoshta bëhen falënderues!”.  
Transmetohet nga Ibni Abbasi r.a. se, kur Ibrahimi a.s. përfundoi ndërtimin e Qabesë, atij i erdhi urdhër nga Allahu që t’u lëshonte një kushtrim njerëzve për ta vizituar Qabenë:
وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالاً وَعَلَى كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ

 “Thirri njerëzit për në haxhillëk,: ata do të vijnë  këmbësorë dhe kalorës me deve ( të rraskapitura) prej të gjitha viseve të largëta” .

Ibni Abbasi  shton se Zërin e Ibrahimit a.s. e dëgjuan gjithandej ç’ka në mes Tokës e qiellit; madje, përgjigjja ndaj kushtrimit dëshmohet edhe me realitetin sesi njerëzit vijnë prej vendeve më të largëta, nga të gjitha anët e botës, duke  thënë : (lebbejke Al-lllahumme lebbejke)-Të jemi përgjigjur, o Zoti ynë, Të jemi përgjigjur), dhe që atëherë Qabeja shenjtërohet dhe vizitohet pandërprerë.
Dikur herët në lashtësi, Mekën e administronte fisi Xhurhum dhe më pastaj fisi  arab-Huza’atu, deri me ardhjen e Kusajjit ibni Kilabit nga fisi Kurejsh (njëri nga gjyshat e hershëm të Pejgamberit Muhammed a. s. ), i cili i largoi të tjerët prej aty me forcë dhe shtriu pushtetin e tij  në Mekë.
Një kohë të gjatë arabët trashëguan fenë e gjyshit të tyre- Ibrahimit a .s.- الدين الحنيف , duke besuar Zotin Një e të Vetëm dhe predikonin fenë e Tij.
Në Mekë, aty në afërsi të Qabesë,  lindi edhe pejgamberi i fundit, Muhammedi a.s.,  i cili pjesën më të madhe të jetës së tij (40 vjet para se të shpallej dhe 12 të tjerë pas shpalljes pejgamber) e kaloi në Mekë. Meqë në ato kohë Qabeja kërcënohej për t’u shkatërruar nga dhëmbi i kohës, do ta rindërtonin kurejshitët dhe gurthemlin (Haxheri esvedin, në themel),  me pajtimin e të gjithëve, do ta shtronte Muhammedi a. s.  
Pas pejgamberisë së Muhammedit a.s., Qabesë iu kthye distinacioni i saj i parë, u bë faltore, ku adhurohet e madhërohet  Një Zot i Vetëm- All-llahu xh sh., madje ajo u bë edhe kible, pikë drejtimi për t’u falur, epiqendër, nga drejtohen  të gjithë myslimanët nga mbarë bota, dhe vazhdon të trajtohet si vendi më i shenjtë në fytyrën e Tokës.
Me ardhjen e Islamit si fe monoteiste, Faltorja e parë, Qabeja, fitoi në peshë dhe që atëherë e në vazhdim, vizita e saj- Haxhi do të bëhej obligim i detyrueshëm, së paku një herë në jetë, për të gjithë myslimanët e moshës madhore, të cilët janë të aftë fizikisht e psikikisht dhe që kanë mundësi financiare për ta vizituar, për të kryer Haxhin. Për këtë që themi, i referohemi ajetit kuranor:
وَِللّهِ عَلَى النَّاسِ حِج اْلبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إَِليْهِ سَبِيلاً وَمَن كَفَرَ فَإِنَّ الله غَنِيٌّ عَنِ اْلعَاَلمِين.

…Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush nuk beson, All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit“.    
Kurse Muhammedi,  a.s. apelonte:
يا أيها الناس إن الله قد فرض عليكم الحج فحجوا.
“O njerëz, Allahu jua ka obliguar haxhin, prandaj bëjeni atë“.
Transmetohet nga Ibni Abbasi se Pejgamberi,  a. s. me një rast tjetër ka thënë:
تعجلوا إلي الحج فإن أحدكم لا يدري ما يعرض له.
“Nxitoni ta kryeni haxhin, ngase askush nga ju nuk e  di se çfarë mund t’i ndodhë (nesër)”.

Haxhi është një prej pesë shtyllave-detyrimeve kryesore, mbi të cilat është ngritur Islami. Ai nuk mund të zëvendësohet me asnjë ibadet dhe as bamirësi tjetër. Realizohet në kohë dhe hapësirë të caktuar, saktësisht në  dhjetëditëshin e parë të muajit Dhul-hixhe (sipas kalendarit hënor), dhe vizitohen vendet e shenjta të përcaktuara  bazuar në burimet themelore të Islamit. Qëllimi i kryerjes së Haxhit nuk është çështje humanizmi, turizmi, verimi, kalimi pushimesh apo i motivuar nga epshe, teka, pasione, përjetime e qejfe të natyrës jetësore. Haxhi është ibadet kulmor, një sfidë  me mundime dhe sakrifica të mëdha:

-të vendosësh për të marrë rrugën e Haxhit me të gjitha peripecitë që ka ai;
-të veshësh rrobat e veçanta të Haxhit-ihramin në pikëkufirin e caktuar;
-të vizitosh Qabenë, të sillesh rreth saj duke u lutur e medituar për vlerat e saj;
-të falësh namaz para vendqëndrimit-Mekami-Ibrahimit, ndërtuesit të Qabesë;
-të nxitosh në mes dy kodrinave: Safa dhe Merve, ku bridhte e ëma e Ismailit, Sa’ji;
-të pish ujë prej Kroit të Zem-zemit, për të cilin Pejgamberi a.s.ka thënë:
خَيْرُ مَاءٍ عَلَى وَجْهِ الأَرْضِ مَاءُ زَمْزَمَ فِيهِ طَعَامٌ مِنَ الطُّعْمِ وَشِفَاءٌ مِنَ السُّقْمِ
 “Uji më i mirë në faqen e dheut është uji i Zemzemit; në të ka ushqim që të ngop, dhe shërim nga sëmundja. “ ;
-të falesh në Mesxhidi Haram, ku një namaz ka vlerën e njëqind mijë namuzeve;
-të kalosh natën në ambientet ku për kurban Ismaili u zëvendësua nga dashi;
-të kalosh ditën me ibadet në Arafat, vendi ku u takuan Ademi e Hava;
-të qëndrosh në Xhebelu Rahmeti, nga ligjëroi Muhammedi a.s.;
-t’i falësh të bashkuara (xhem’an) aksham e jaci në Muzdelife;
-të hedhësh gurë në pikat ku u gjuajt shejtani për djallëzinë e tij, në Mine;
-të kthehesh për t’ i bërë edhe një vizitë faltores më të lashtë-Qabesë;
-të qëndrosh e të banosh në Mekë, vendlindja e Muhammedit a.s.;
-të vizitosh shpellën Hira, vendin ku Muhamedi u shpall pejgamber;
-të vizitosh Medinën, vendstrehimin dhe Kryeqytetin e parë të Islamit;
-të falesh në Xhaminë e Pejgamberit, ku një namaz ka vlerën e një mijë namazevesh;
-të nderosh e të admirosh vendbetejat e fitoreve të myslimanëve, – Bedrin, Hendekun, Uhudin, Xhamitë më rëndësi të veçantë në Medinë dhe rreth saj, – është më tepër se kënaqësi, është më tepër se një nder, është më tepër se një admirim, është dhunti me ndjenja dhe emocione të papërshkruara, është obligim fetar dhe përkushtim meritor që ka për qëllim të kapet strumbullari i devotshmërisë kulmore, pastërtia shpirtërore, vlerat sublime njerëzore si dhe prehja shpirtërore e paarritur ndonjëherë para Haxhit, dhe e papërsëritur asnjëherë pas Haxhit, dshe  që bëhet vetëm për hir të Lartmadhërisë së Tij, All-llahut krijuesit të Gjithësisë.
Pejgamberi a.s. tekstualisht ka thënë:
من حج لله فلم يرفث ولم يفسق رجع كيوم ولدته أمه.
“Kush e bën haxhin për All-llahun e nuk e ka zhytur atë dhe nuk ka bërë mëkate , ai kthehet prej tij i pastër nga gjynahet, sikur atë ditë kur e ka lindur e ëma“.
Në një transmetim të Taberaniut përmendet që Ebu Hurejre ta ketë dëgjuar pejgamberin-Muhammed duke thënë:
ما أهل مُهِلٌّ قط ولا كبر مكبرِّ قط إلا بُشِّرَ بالجنة
“Asnjëherë nuk do të ndodhë që një haxhi të bëjë tehlil (të thotë: La ilahe il-la Allah) dhe tekbir (Allahu Ekber) e të mos përgëzohet me Xhennet“.
Ky është Haxhi me obligimet, rëndësinë dhe vlerat e tij sublime, dhe përgëzimi me Xhenet është shpërblimi i Haxhiut.
Xhematlinj të nderuar! Edhe për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë Haxhin, Allahu i Madhëruar e ka bërë të mundshme që edhe zemrat e këtyre besimtarëve t’i freskojë me vepra të mira,  apo thënë ndryshe, me një formë tjetër, në një masë, edhe ata mund të shuajnë zjarrin e mallëngjimit për vizitën e kësaj shtëpie. Këto vepra të mira afrohen me Haxhin, dhe ata që i bëjnë,  kanë gati shpërblimin e haxhilerëve dhe të atyre që kryejnë umren.
Për ne që nuk jemi sot në Haxh, qëndrimi në xhami pas faljes së namazit të sabahut, derisa të lindë dielli e pastaj falja e dy rekateve (në këtë) rast të Bajramit, shkruhen si sevape të Haxhit apo të Umres. Tirmidhiu transmeton nga Ebu Umame, se Pejgamberi a.s. ka thënë:
من صلى الفجر في جماعة ثم جلس يذكر الله عزَّ وجل حتى تطلع الشمسُ ثم قام فصلى ركعتين كتب له أجر حِجة وعمرة تامة تامة تامة
“Kush e fal sabahun me xhemat, pastaj ulet dhe e përmend Allahun derisa të lindë dielli, e pastaj ngrihet dhe fal dy rekate, – arrin shpërblimin e një haxhi dhe umreje të plotë, të plotë, të plotë“.
Edhe falja e jacisë dhe sabahut me xhemat, është krahasuar me Haxhin dhe Umren.
أو ليس قد جعل الله لكم صلاة العشاء في جماعة تعدل حجة ، وصلاة الغدة في جماعة تعدل عمرة
”A nuk jua ka bërë Allahu namazin e jacisë me xhemat, si diçka që kap vlerën e një Haxhi, dhe namazin e sabahut me xhemat, si diçka që kap vlerën e një Umreje?!“.
Vëllezër e motra, Islami është fe që përfshin të gjitha aspektet e jetës shpirtë¬rore e materiale të njeriut; është fe që në vete përmban rrugët e posaçme të lumturisë dhe të mirësisë; është fe që zgjidh të gjitha problemet e farës së njerëzimit. Sipas Islamit, trupi dhe shpirti i njeriut kanë nevojat e tyre, dhe ato duhet të respektohen e të baraspeshohen tërësisht. Islami llogarit e mban parasysh të gjitha elementet dhe aspektet e natyrës së njeriut dhe kujdeset për qenien e ndërlikuar të prirjeve materiale e shpirtërore të tij. Islami përcakton sistemin e jetës në baza morale, shpirtërore po edhe  materiale.
Në jetë, përveç përjetimeve të dhimbshme, të vështira, të rrezikshme, dhe vuajtjeve të shumta, ka edhe përjetime të bukura, të lumtura dhe shumë gazmore. Bile, hareja e lumturia janë më të shprehura në jetë, sesa hidhërimi e vuajtja, por duhen ditur mënyrat dhe format e jetësimit të tyre. Është feja ajo që na mëson për ta arritur lumturinë dhe tejkalimin e vështirësive në dy botët. Është Feja islame ajo që na mëson se, pos botës materiale kalimtare (Dynjasë), ekziston edhe bota shpirtërore e amshueshme (Ahireti). Jeta fizike dhe kjo botë janë të përkohshme, kurse shpirti dhe bota e pastajme (Ahireti) janë të amshueshme.
Vëllezër të nderuar! Ishte ditë e shënuar dhe  kënaqësi e veçantë kur disa nga hanxhinjtë tanë udhëtuan për herë të parë me pasaporta të Republikës së Kosovës, por nuk duhet harruar se – ditën kur ne po përgatitemi për ta festuar këtë festë të madhe me më të dashurit tanë, ditën kur ne këtu po falim namazin e Bajramit të Kurbanit në Kosovën e lirë; ditën kur me miliona  haxhinj sot, pas shumë obligimeve dhe punëve të mundimshme të Haxhit, gjuajnë gurët në një vend të përcaktuar në hapësirë dhe kohë; ditën kur ata i bëjnë edhe një vizitë Qabesë për qëllime madhore; ditën ku me miliona myslimanë të tjerë  presin kurbane,- flijojnë në shenjë obligimi dhe solidarizimi me sakrificën e qenies njeri- gatishmërisë së Ismailit a.s. që të bëhej kurban, jo vetëm për të treguar devotshmëri ndaj Allahut dhe respekt ndaj babait të tij, Ibrahimit a.s.,  por, edhe për mirëqenien e gjithë njerëzisë, sot, ne këtu, krahas festimit, kemi obligim moral e shpirtëror, atdhetar e fetar, që t’i përkujtojmë dhe të lutemi për ata shpirtra të mëdhenj që sakrifikuan dhe flijuan veten e tyre, duke u bërë kurban për mirëqenien e të gjithë neve, por gjithsesi obligimi ynë është edhe më i madh, që edhe në familjet e tyre, në këtë festë të madhe, të hetohet ambient festiv, e të mos ndihen të harruar, të braktisur apo në varfëri të skajshme dhe – vetëm kështu fitohen sevapet e mëdha.
Vëllezër dhe motra, Bajrami për besimtarët duhet të sjellë dashuri, miqësi, afrim, vëllazërim, pajtim e mirëkuptim në mes njerëzve. Është dëgjuar Pejgamberi Muhammed të ketë thënë:
 ( لا يحل لمسلم أن يهجر أخاه فوق ثلاث أيام)
 ”Nuk lejohet për myslimanin ta braktisë vëllanë e tij ( të mbajë hidhërim ndaj tij) më tepër se tri ditë”. Prandaj, Bajrami nuk do të jetë bajram, po qe se nuk përballojmë hidhërimet, zemërimet e urrejtjet në mes nesh. Pra, shtrini dorën njëri – tjetrit, uroni e përhajroni në këtë festë të madhe, vizitoni të afërmit, farefisin, fqinjët, miqtë, dashamirët dhe fatoni e përgëzoni, sepse këto vlera janë pjesë përbërëse e Bajramit dhe e traditës sonë të lavdishme.
Zot i Madh e i Vërtetë, Zot i jetës dhe i vdekjes, Zot i ditës së besës! Ne, këtu, nga kjo tokë jona e bekuar dhe në këtë ditë të madhe, jemi të kthyer drejtë Qabesë së madhëruar, andej ku haxhinjtë po kryejnë Haxhin,  Ty po Të falemi, Ty po Të adhurojmë, Ty po Të lutemi, dhe vetëm prej Teje mirëqenie e mbarësi kërkojmë, prandaj na i prano të falmet dhe lutjet tona! Amin Ve El-hamdu lillahi Rabbi El-Alemin!

(Ligjëratë e mbajtur më 8 dhjetor 2008 në xhaminë “Sulltan Murat” të Prishtinës me rastin e festës së Kuban- Bajramit)

 

 

 

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…