Prishtinë, 30 shtator 2008
Hytbeja e Myftiut të Kosovës Mr. Naim Tërnava e mbajtur në xhaminë “Sulltan Murat” në prishtinë me rastin e festës së Fitër – Bajramit
Të nderuar besimtarë!
Jemi tubuar sot, në këtë ditë madhështorë për të kremtuar në mënyrën më të mirë Fitër-Bajramin, festë kjo që ngërthen ne vetë rikujtimin dhe përkushtimin ndaj Krijuesit të gjithësisë, të cilin besimtarët me devocionin më të madh e shprehen gjatë muajit të madhëruar të Ramazanit.
Në muajin e Ramazanit ne na bashkoi agjërimi që e kemi bërë vetëm për Allahun, na bashkuan ibadetet e namazet, iftari e syfyri, zeqati e sadakaja si dhe solidariteti, bamirësia, mirëkuptimi e përkujdesja ndaj nevojtarëve.
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është bujar i madh, i di qëllimet.” (El-Bekare, 261)un
Janë këto tipare që këtë muaj e bënë më të veçantë nga të tjerët, sepse nëpërmjet tij ne u afruam edhe më shumë tek Allahu, ishim më tolerant, më dorëlirë, dhe më të afërt me farefisin, familjen dhe shoqërinë.
Për ne në Kosovë, kjo festë, këtë vit, ka një domethënie të dyfishtë, ngase për të parën herë e presim dhe e festojmë në Kosovën e pavarur e të pranuar ndërkombëtarisht, për se së pari i jemi mirënjohës Zotit fuqiplotë që na mundësoi ta arrijmë këtë ditë e më pastaj u jemi mirënjohës edhe të gjithë miqve tanë që na ndihmuan ta realizojmë projektin tonë të kamotshëm për liri e sovranitet.
Të nderuar besimtarë!
S’ka dyshim se jeta janë në këtë botë është një sprovë e rëndë, sprovë që duhet të na kalitë e të na e forcojë edhe më tepër imanin e të mos na e dobësojë shpresën e të na e thyejë moralin. Mbi të gjitha, besimtari duhet të gjejë forcë e durim për të përballuar çdo vështirësi a pengesë në rrugën e gjatë të realizimit të shpresave dhe idealeve të veta.
Shpresa tek mëshira e Allahut, kurrë nuk bën të humbet. Meqenëse jemi ende në këtë jetë, ekziston mundësia e pendimit, ekziston mundësia e përmirësimit, sepse Allahu xh.sh. nga mëshira e Tij e pakufishme, na e ka lënë të hapur derën e pendimit. Kurdo që të trokasësh në të gjallët tënd, atë derë gjithmonë do ta gjesh të hapur krah e krah, që të të pranojë në gjerësitë e saj.
I Madhërishmi thotë:
“Thuaj, o robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që fal shumë dhe është mëshirues!”, (Ez-Zumer, 53)”
Parimet universale të islamit konsistojnë në formimin e një shoqërie të shëndoshë, dinjitoze e humane, me vlera të larta etike e të vlefshme, të një shoqërie të barabartë, përparimtare, të lirë, demokratike dhe bashkëkohore, të një shoqërie të njerëzishme, në të cilën të gjithë njerëzit pa kurrfarë dallimesh do të gëzonin lumturinë e vërtetë shpirtërore dhe atë materiale trupore
Roli i njeriut në këtë botë është që ai së pari ta njohë natyrën e ambientin që e rrethon, që në shpirtin e njeriut të zgjojë vetëdijen dhe ndërgjegjen e heshtur të humanitetit dhe të njerëzores, të cilat e shtyjnë dhe e motivojnë për realizimin e idealeve të larta.
Nëse njeriu e kupton drejt këtë mision, padyshim do të jetë një pjesëtar i vlefshëm në shoqëri, e shoqëria mburret me ata që zbukurohen e stolisen me këto virtyte të larta të moralit e të fisnikërisë.
Të nderuar besimtarë!
Fitër – Bajrami vjen si një fllad i cili qetëson dhe gëzon zemrat e besimtarëve, të cilët me dinjitet e përkushtim të pashoq, kryen obligimin e Ramazanit duke iu nënshtruar Allahut fuqiplotë me tërë qenien e tyre.
Le të jetë kjo festë e Fitër – Bajramit si stimulim në përforcimin tonë ndaj ftesës së besimit dhe tolerancës dhe, forcim i zemrave tona drejtë shkallëve të larta të devotshmërisë për të na siguruar prosperitet në këtë botë dhe shpëtim në botën tjeter. Le të jetë festa e Fitër bajramit moment i vetëdijesimit tonë, kur ne do të dimë ta respektojmë dinjitetin njerëzor.
Në këtë ditë feste, ju porosis që t’i nënshtroheni vetëm Madhërisë së Allahut, përmendeni Atë vazhdimisht. Le të jetë shenja e devotshmërisë suaj përulja vetëm për Krijuesin Fuqiplotë. Nëse veproni kështu, atëherë dijeni se vërtet e keni kuptuar rëndësinë e këtij besimi dhe i keni përmbushur kushtet e këtij besimi, andaj me të drejtë shpresoni se do të jeni më të lumturit në këtë botë dhe të shpëtuar e fitimtar në Ahiret. Silluni mirë me njëri-tjetrin, tregojeni zemërgjerësinë tuaj, tregojeni butësinë tuaj dhe dëshmojeni në vepër madhështinë e Imanit tuaj.
Të nderuar qytetarë të Kosovës!
Përfitoj nga rasti, që nga ky vend t’ju ftojë që të kontribuojmë për funksionalizimin e shtetit tonë, të ndërtojmë një shtet ku do të mbretërojë rendi, ligji e rregulli, të ndërtojmë një shoqëri që do të respektojë vlerat qytetëruese të popujve të Kosovës duke respektuar etninë, gjuhën dhe besimin e çdo qytetari të saj, dhe duke u angazhuar për afirmimin dhe kultivimin e vlerave pozitive të popujve të Kosovës.
Në fund, më lejoni që të gjithë juve, besimtarë të nderuar, t’ua uroj Festën e Madhe të Fitër-Bajramit, duke e lutur të Gjithëmëshirshmin që në shtëpitë tona të mbretërojë paqja, harmonia dhe ngrohtësia familjare.
Me fat dhe me shumë gëzime e kalofshi këtë Bajram. Mëshira dhe paqja e Allahut le t’ju përcjellë Juve, familjet Tuaja dhe të dashurit e Juaj, brenda trojeve tona etnike dhe atyre që përkohësisht gjenden në mërgim. Amin!
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim ef. Tërnava