Mr. Qemajl Morina

Islami në botën bashkëkohore

Më 20 mars bota ishte dëshmitare e një ofensive të re që ndërmorën forcat e koalicionit në drejtim të Irakut. Mbi kryqendrën e Irakut, në Bagdad, dhe në shumë qytete të tjera të Irakut u hodhën me mijëra tonelata bombash të llojeve të ndryshme nga aeroplanë bombardues, si dhe u gjuajtën me qindra raketa nga anijet dhe nëndetëset që ishin vendosur në afërsi të Irakut. Aksioni udhëhiqej nga boshti anglo-amerikan, i ndihmuar nga disa shtete tjera më të vogla, të cilat përveç përkrahjes morale, nuk kishin ndonjë rol të rëndësishëm.

 

Aksioni ishte emërtuar “Çlirimi i Irakut” (Iraqi freedum) që në shikim të parë kishte për qëllim rrëzimin e Sadam Huseinit nga pushteti. Ajo që kishte vështirësuar në fillim aksionin anglo-amerikan, ishte se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk kishte pranuar nxjerrjen e një rezolute të veçantë me anë të së cilës të lejohej sulmi në Irak. Kundër paraqitjes së kësaj rezolute ishte deklaruar boshti franko-gjerman si dhe dy shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit – Rusia dhe Kina. Megjithatë, boshti anglo-amerikan duke u mbështetur në potencialin e vet ushtarak dhe teknologjinë tejet të sofistikuar ushtarake, kishte filluar sulmet pa aprovimin e Rezolutës nga Këshilli i Sigurimit. Ky aksion unilateral nga ana e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, do të ketë pasoja në të ardhmen për prestigjin e Këshillit të Sigurimit.

Sulmet e furishme nga ajri kishin bërë që mbrojtja kundërajrore e Irakut si dhe aviacioni i tij, të paralizohej tërësisht. Në të njëjtën kohë i kishte hapur rrugën kombësorisë për të bërë invadimin e Irakut si nga jugu, ashtu edhe nga veriu. Rezistenca e forcave irakene në fillim dukej se së paku do të kishte sukses për të ngadalëusar depërtimin e ushtrisë amerikane e britanike dhe pritej që beteja vendimtare do të ishte lufta për Bagdadin. Mirëpo ndodhi e kundërta, marrja e Bagdadit u bë shumë shpejt dhe pa ndonjë rezistencë të madhe. Kështu më 10 prill forcat e koalicionit hynë në Bagdad dhe mori fund regjimi shumëvjeçar i Sadam Huseinit.

Pasojat e invadimit të Irakut

Sulmi ndaj Irakut dhe pushtimi i tij nga forcat e koalicionit, shkaktoi protesta të mëdha në të gjitha anët e botës, sidomos në Botën Islame. Pamjet e tmerrshme nga pasojat e bombardimeve në caqet civile, të cilat përcilleshin nëpërmjet ekraneve televizive, rezultat i të cilave ishin vdekja dhe lëndimet e shumta në mesin e popullatës së pafajshme të Irakut, bënin që arsyetimi i një sulmi të tillë të mos ishte aq bindës.

Kështu, i tërë shtypi i Botës Arabe ishte kundër sulmit dhe invadimit të Irakut nga ana e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Aq më parë kur shtohej se qeveria irakiene kishte bashkëpunuar me komisionin e Kombeve të Bashkuara për kontrollimin e armatimit për shkatërrim në masë, i udhëhequr nga suedezi Hans Bliks dhe kryetari i Organizatës së Energjisë bërthamore Muhamed Baradej, duke ia hapur komisionit vëzhgues të gjitha dyert, përfshirë këtu edhe pallatet presidenciale. Kështu, arsyetimi se sulmi po bëhej kinse për shkak të fshehjes së armatimit për shkatërrime në masë nga ana e Sadam Huseinit, ishte i pajustifikueshëm. Në këtë mënyrë simpatia që një numër i konsiderueshëm i muslimanëve kishin pasur ndaj SHBA-së si simbol i lirisë dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, e pakompleksuar nga kolonializmi evropian, si dhe një vend ku muslimanët ishin mirëpritur dhe kishin pasur një trajtim korrekt, sikur kishte nisur të zbehej pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit të vitit 2001. Këtë e kishin shtuar edhe më tepër disa shkrime në vetë shtypin amerikan, si revista “Nesweek” datë 10 mars 2003, për bindjet fetare, të cilat ndikojnë në sjelljet politike dhe ushtarake të presidentit Bush. Se si ndikon tek ai rryma fundamentaliste protestante, e cila është në ngritje e sipër, e ai është njëri prej ithtarëve të saj në vizionin e tij politik. Autori i artikullit “Bushi dhe Zoti”, Havarid Wajnman, përveç të tjerash shkruan: “Seanca e studimit të Biblës dhe lutjet në fillim të çdo këshilli të mëvonshëm. Burrë e grua luten përpara se të shkojnë për të fjetur. Vitin e shkuar, kryetari i grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delej, deklaronte përpara një bashkësie baptiste të mbledhur në Hjuston se vetë Zoti e kishte vendosur Bushin në Shtëpinë e Bardhë, duke dashur që me anë të tij “të krijonte një vizion biblik të botës”.

Në planin botëror, besimi fetar i Presidentit solli dy pasoja: së pari, ai krijoi një aleancë të çuditshme mes së djathtës së krishterë dhe lëvizjes sioniste, duke shndërruar në këtë mënyrë Izraelin e Ariel Sharonit në aleatin më të afërt të SHBA-së dhe, së dyti, ai justifikoi kërkimin me ngulm të një pozite pushtetare të pakundërshtueshme. Bushi i krishterë nxori në plan të parë në skenën politike amerikane partizanët më të zjarrtë të Izraelit, si nënsekretarin e Mbrojtjes Pol Volfoviç ose Eliot Abramsin, të cilin e emëroi këshilltar për Lindjen e Afërme, pastaj Riçard Perl etj. Në librin e tij, Dejvid Frum skicon ecurinë e Bushit, e cila fillon me një “lloj shpirtimadhërie ndaj Islamit” për të kaluar tek, një bindje se “Islami” përfaqëson një nga perandoritë e mëdha të botës”, të cilën SHBA-ja duhet ta respektojë, sa kohë që një luftë e mundshme, shpjegon Frum, ka si justifikim “sigurimin e një stabiliteti të ri”, i cili do t’i krijonte mundësinë Amerikës “që ta drejtohet rajonin, ashtu siç nuk ka mundur ta bënte asnjë fuqi tjetër, që nga kohët e Perandorisë Osmane, madje edhe të Perandorisë Romake”.

Ndikimi i fesë në vizionin politik të presidentit Bush është pa precedent në jetën amerikane. Ai anon që rrjedhat e tashme politike t’i komentojë në aspektin fetar. Në një bisedë të tij të fundit me radiot fetare, kishte deklaruar: “Terroristët na urrejnë ne, sepse ne i lutemi Zotit në atë mënyrë që ne e shohim se është e përshtatshme për ne”. Në bisedat dhe deklaratat e tij janë të shumta shprehjet fetare. Ai flet vazhdimisht për “Zotin”, për “konfliktin midis së mirës dhe së keqes”. Shprehja e tij “boshti i së keqes” është vetëm një prej tyre.

Njëri prej shkrimtarëve ka vërejtur se presidenti amerikan Bush preferon përdorimin e shprehjes “liri” më tepër se të fjalës “demokraci”, sepse sipas tij fjala “liri” ka kuptim fetar, që nuk ka të bëjë me lirinë e zgjedhjes politike, por kuptimin e “lirisë së zgjedhjes së Zotit” me tërë kuptimin misionarist të krishterë. Sipas revistës “Njuzvik” ndihmësit e presidentit Bush nga ungjillistët shpenzojnë në mënyrë që lufta në Irak të jetë fillim i përhapjes së Krishterimit në Bagdad (Njuzvik, 10 mars 2003) ashtu siç duket në faqen e internetit të priftit Billi Graham, i cili është atë shpirtëror i presidentit Bush – për shkak të etjes shpirtërore të Irakut në kohën e tashme”, i cili ka kuptim shumë domethënës në kontekstin e tanishëm.

Presidenti Bush anon të përkrahë programet ekonomike dhe sociale, të cilat e forcojnë botën. Në aspektin e brendshëm, caktimin e një neni të buxhetit për financimin e organizatave edukative dhe socialo-fetare, si kisha, shkolla fetare etj., gjë që është precedent në historinë e SHBA-së, shumëkush e konsideron fillimin e fundit të qëndrimit neutral ndaj fesë për se e obligon qeverinë kushtetuta amerikane. Në aspektin e jashtëm, presidenti Bush caktoi 15 miliardë dollarëve për luftë kundër sidës (AIDS) në Afrikë, që, në vete ka përmbajtje misionariste po ashtu. Sipas revistës “Njuzvik” aleatët e presidentit Bush në Lëvizjen Ungjillore shpresojnë t’i përdorin mjetet e përmendura për përhapjen e Krishterimit në kontinentin e Afrikës.

Prej pasojave të drejtpërdrejta të luftës në Irak, janë: një numër i madh i civilëve të vrarë irakienë, mbi njëqind ushtarë amerikanë të vrarë, ngritja e çmimeve të naftës, thellimi i ndasisë midis SHBA-së dhe Botës Arabe e Islame, mundësia e humbjes së pushtetit të disa regjimeve proamerikane, izolimi i Shteteve të Bashkuara në botë, si dhe rritja e urrejtjes ndaj saj etj.

Portreti i diktatorit të urrejtur

Nuk ka dyshim se Sadam Huseini është ndër figurat më të urrejtura. Ai çoi në vdekje miliona njerëz, ndër ta edhe anëtarët e familjes së vet. Ai nga pesëmbëdhjetë anëtarë, sa kishte Këshilli i Revolucionit në fillim të pushtetit të tij, të gjithë i kishte likuiduar, me përjashtim të treve që ishin: Izet Ibrahimi, Taha Jasin Ramadan dhe Tarik Aziz.

Katërmbëdhjetë muaj pasi mori pushtetin, në shtator të vitit 1980, Sadami nisi luftën kundër Iranit, luftë kjo që zgjati 8 vjet. U vranë 600.000 iranianë dhe 400.000 irakienë. Helme lufte hodhi edhe mbi iranianët, por edhe mbi banorët e vet. Në qytetin irakien Halabxha, i banuar kryesisht nga popullata kurde, hodhi helme lufte (qyteti kishte 40.000 banorë). Më 1988 rrugët e qytetit ishin plot civilë të mbytur nga helme kimike. Të mbytur nga armë kimike kishte gjithkah, jo vetëm në rrugë, por edhe nëpër oborre shtëpish, nëpër dhoma, nëpër automobila, në dyer të shtëpive. Mbi këtë qytet u hodh helmi iperit. Në Halabxha u mbytën mbi 4.000 veta. Më 1980, Sadami urdhëroi sulm të ri mbi shtetin fqinj. Kësaj radhe mbi Kuvajtin, ku armata e tij bëri krime të shumta, përderisa nuk u dëbua nga atje me luftën e Gjirit Persik, më 1991.

Edhe pas këtyre dy luftërave të pakuptimta dhe të panevojshme, Sadami vazhdoi të qeveriste Irakun edhe më brutalisht. Nën pushtetin e tij irakienëve iu morën pothuajse të gjitha të drejtat elementare të njeriut, të drejtat qytetare, të drejtat e mendimit të lirë, të drejtat fetare etj. Për 24 vjetët e sundimit të Sadamit në Irak, standardi jetësor i popullatës ka rënë në mënyrë drastike, edhe pse Iraku, falë rezervave të naftës, do të mund të ishte një nga shtetet më të pasura në botë, mu sikur Arabia Saudite dhe Kuvajti. Për shkak të sundimit të tij represiv, pjesa më e madhe e intelegjenciës irakene u detyrua të shpërngulej në vendet e ndryshme arabe ose në vende evropiane.

Ai si diktator dhe despot, kishte uzurpuar tërë pushtetin në duart e tij, të të afërmve dhe njerëzve më të besuar. Ai ishte kryetar i Irakut, kryetar i Qeverisë së Irakut, Komandant suprem i forcave të armatosura, kryetar i këshillit komandues revolucionar, sekretar kryesor i komandës rajonale të Partisë Socialiste Arabe BAAS etj. Ai kishte dhënë urdhër për vënien e portreteve të tij në çdo vend. Në çdo shesh ishin vendosur statujat e tij me lartësi të ndryshme. Sipas disa të dhënave, në gjithë Irakun ekzistonin 3860 statuja të tij, përfundimin e të cilave e pamë edhe ne bashkë me përfundimin e regjimit të tij diktatorial. Zaten, ky ka qenë përfundimi i merituar i çdo diktatori gjatë tërë historisë.

Kush pas Sadamit?

Sulmi mbi Irakun u komentua për qëllime prej më të ndryshmeve, prandaj, se a kanë pasur të drejtë autorët e tyre, varet shumë se si do të rrjedhin gjërat në periudhën e ardhshme, pas rënies së Sadamit dhe regjimit të tij. Nëse populli irakien për më shumë se një çerek shekulli ishte viktimë e veprimeve të sëmura të një despoti të llojit të vet, nga forcat e koalicionit që rrëzuan diktatorin, lypset që atij populli t’i ofrojnë shansin që ai të zgjedhë sistemin dhe prijësin që ai e do vetë. Situata pas luftës në Irak kërkon dy imperativa të tjerë që janë një lloj urgjence:

Njëri ka të bëjë me nevojën e themelimit të një administrate efektive për të siguruar që politikat e reja të tolerancës dhe ekonomisë së tregut po implementohen.

Imperativi i dytë është sundimi i ligjit, që për Irakun si shtet musliman i ka veçoritë dhe specifikat e veta. Sido qoftë, është shumë e rëndësishme që të bëhet çdo përpjekje për të instaluar një sistem gjyqësor të pranishëm dhe jokorruptues. Vendosja e sundimit të ligjit është shumë e vështirë në shumicën e vendeve pasdiktatoriale, por megjithatë do të jetë çelësi kryesor për shërimin e suksesshëm edhe të Irakut.

Opozita irakene në mërgim është tejet heterogjene; në të marrin pjesë mbi 50 përfaqësues të grupeve etnike, politike dhe religjioze. Sipas analistëve evropianë, vëmendjen më të madhe e tërheq lideri i Kongresit Kombëtar Iraken, Ahmet Çelebi, pastaj lideri i Marrëveshjes

Kombëtare Irakene, Ijad Alevi, dhe Seid Abdulaziz el-Hakim, i njohur si vëlla i ajatullahut el-Hakim, lider i shiinjve irakenë.

Çështja nëse sulmi ndaj Irakut ka patur për qëllim rrëzimin e diktatorit dhe despotit iraken Sadam Huseinit, për se as që mund të dyshohet, nxjerr nevojën që të kihen parasysh edhe këto:

1. Ruajtja e unitetit të Irakut dhe moscopëtimi i tij, sepse ndarja e tanishme në tri zona në atë jugore, ku janë të përeqendruar shiinjtë, në atë qendrore, ku janë të përqendruar suninjtë, dhe në atë verirore, ku jetojnë kurdët, ka frikë të jetë një parapërgatitje për ndarjen e Irakut.

2. Vendosja e një qeverie të përkohshme për një afat të caktuar, ku do të merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e partive dhe rrymave të ndryshme e jo të priviligjohen ata, që janë kthyer nga mërgata.

3. Populli i Irakut të jetë ai që disponon pasuritë e tij natyrore e sidomos burimet e shumta të naftës, sepse me këtë do të demantohej se lufta në Irak është bërë për shkak të naftës.

4. SHBA-ja të angazhohet me tërë potencialin që ka, për zgjidhjen e drejtë të çështjes palestineze, sepse, siç thoshte i ndjeri Enver Es-sadat, 99% të letrave janë në duar të saj.

Me këto veprime, besoj se në Botën Islame do të kthehej besimi i lëkundur kohët e fundit ndaj SHBA-së si supërfuqi e vetme botërore që punon për stabilizimin e gjendjes në botë dhe për të mirën e të gjithë popujve pa dallim kombi, ngjyre, gjuhe e feje.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

HIXHRETI I PEJGAMBERIT A.S.– NJË FAQE E RE NË HISTORINË E NJERËZIMIT

(Shkruan: Resul ef. Rexhepi) إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الّ…