Dr. Milazim Krasniqi
Shefi i Zyrës gjermane në Kosovë, Peter Rondorf, bëri të ditur këtë javë disa të dhëna që kanë të bëjnë me azilantët shqiptarë të Kosovës në vendin e tij dhe me politikat e kthimit të tyre në Kosovë. Ajo që ra posaçërisht në sy në prononcimin e diplomatit gjerman, është se ka raste kur shqiptarë të Kosovës, për të fituar statusin e refugjatit në Gjermani, kanë ndërruar identitetin dhe janë deklaruar si ashkalinj, e madje edhe si rusë!
Kjo përpjekje për ndërrim administrativ të identitetit, në shikim të parë paraqet një gjendje alarmante sociale të këtyre njerëzve. Ata njerëz kanë ikur nga Kosova në periudhën e represionit që zbatohej në vitet nëntëdhjetë, ose janë deportuar gjatë ditëve të spastrimit etnik, që zbatoi regjimi i Milosheviqit. Me të shumtën e rasteve është e mundur të kenë humbur pasuritë që kanë pasur dhe të mos kenë mundësi të punësimit.
Por, ajo që është esenciale në këtë rast dhe që e bën më të përballueshme këtë gjendje të tyre sociale, është se shkaktari që i ka detyruar të largohen nga Kosova, më nuk ekziston në Kosovë. Prandaj, kthimi në vendlindje është i lirë dhe megjithatë mundësitë janë pakrahasimisht më të mëdha, për ta organizuar jetën në vatrën e vet.
Pra, në prapavijë të këtyre përpjekjeve absurde për të fituar strehim në Gjermani, edhe me kusht që të ndërrohet identiteti etnik, më shumë se gjendja sociale, ka hise vetë mentaliteti parazitar i krijuar ndërkohë. Duket se jo pak njerëz që janë mësuar të jetojnë nga ndihmat humanitare, nga përkujdesja e të tjerëve dhe nuk e kanë krijuar vetëdijen se duhet të ballafaqohen me vështirësitë e jetës e të fitojnë mjetet për ekzistencë me punën e vet.
Kjo mostër e njeriut parazitar nuk është vetëm në Diasporë, po është e pranishëm edhe në Kosovë, dhe është krijuar po ashtu në vitet nëntëdhjetë, nga ndihmat humanitare që vinin nga Diaspora, po edhe pas luftës, nga vala e ndihmave emergjente të dy viteve të para.
Kur u shikohet prejardhja, shihet se shumica e këtyre kontingjenteve parazitare janë nga zonat rurale. Nëpër fshatrat e Kosovës mund të shohësh të rinj që sorollaten me telefona celularë në dorë, me vetura që i ngasin me shpejtësi të pakontrolluar rrugëve të pluhurosura e me veshje që janë më shumë të tinejxherëve që frekuentojnë diskotekat. Dhe shumica e këtyre të rinjve, që me trup jetojnë në fshat, me mendje janë gjetkë. Ata ëndërrojnë se si të ikin nga Kosova e të mbërrijnë në Zvicër ose në Gjermani me rrugë klandestine.
Në fakt, në Kosovën e pasluftës është shkaktuar një shartim i panatyrshëm social dhe mental. Është e ditur se kudo në Europë popullsia që jeton në zona rurale, merret me bujqësi e me blegtori dhe ka një mënyrë jetese më tradicionale nga ajo e qyteteve. Por, në Kosovën e përmbysjeve të mëdha të luftës, është përmbysur edhe rendi tradicional i jetesës, dhe ka hyrë tashmë një sistem i çoroditur i vlerave, ku fitimi i shpejtë dhe pa mund, dhe veçmas ikja rrugëve të botës, është bërë si ideal i shumicës së njerëzve. Rrjedhimisht, ky mentalitet i shartuar, më parë se t’i adaptohet jetës tradicionale e të ndershme në fshat, zgjidhjen e kërkon qoftë dhe në ikjen jashtë Kosovës, e në jetesën në kampe azilantësh ose në manastire bamirëse.
Nuk është pa pjesën e vet të përgjegjësisë për këtë gjendje të shfytyruar sociale e mentale as vetë Administrata në Kosovë. Edhe katër vjet pas përfundimit të luftës, ende nuk ka një politikë të skicuar të zhvillimit rural, të kthimit në fshat të atyre që kanë gjetur strehim të përkohshëm me anë uzurpimesh nëpër qytete, si dhe stimulimi i punës në sektorët e bujqësisë e të blegtorisë.
Zyrtari gjerman në prononcimin e tij tregoi se Qeveria e vendit të tij mbetet e vendosur ta përfundojë procesin e kthimit të azilantëve shqiptarë të Kosovës, pavarësisht se sa bëjnë ata përpjekje për t’u konvertuar në ashkalinj e rusë. Mbetet që vendosmëri të tregojë edhe vetë Kosova në riatdhesimin e tyre dhe në motivimin e tyre që të kthehen në identitetin e tillë, ku puna e ndershme është themel i dinjitetit njerëzor.