Prishtinë, 5 tetor 2012
Njerëzimi ka nevojë për paqe, dashuri e respekt, e jo për urrejtje e trazira.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava priti sot nuncin apostolik për Slloveni dhe delegat për Kosovë (përfaqësues diplomatik i Vatikanit), Juliuzs Januzs, me të cilin bisedoj për ruajtjen e vlerave fetare.
{jathumbnail}”Jam i nderuar me vizitën që më bëni, kam nderin t’ju njoftoj se ne dhe Ipeshkvia e Kosovës kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Të dy institucionet, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike, në vazhdimësi janë angazhuar për tolerancë , mirëkuptim e harmoni ndërfetare. Këto vlera i kemi të trashëguara nga të parët tanë dhe jemi të përkushtuar që t’i kultivojmë në vazhdimësi” -tha myftiu Tërnava.
Ndërsa, nunci apostolik Juliuzs Januzs, pasi falënderoj Myftiun për pritjen, u shpreh se është për t’u admiruar fakti që në Kosovë ka parë një atmosferë të mirëkuptimit ndërfetare. “Vendi siç jeni ju, jeni shembulli më i mirë se si duhet kultivuar vlerat e mësimet fetare”- tha, ndër të tjerat nunci apostolik.
Myftiu Tërnava e nunci apolostik, Juliuzs Januzs biseduan edhe për ngjarjet e fundit, përkitazi me filmin denigrues për Muhamedin, grafiet ofenduese për Jezusin si dhe protestat e dhunshme në disa vende të lindjes si reaksion për filmin.
Të dy bashkëbiseduesit qenë të një mendje që nuk duhet të keqpërdoret liria e shprehejes për të ofenduar të parët e feve, njerizimi ka nevojë për paqe, dashuri e respekt, e jo për urrejtje e trazira.
Nunci apostolik në takim me Myftiun shoqërohej nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji dhe don Lush Gjergji-kancelar i Ipeshkvisë.