Prishtinë, 17 maj 2019
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shtroi iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava
Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi theksoi se agjërimi vë në pah virtytet më të larta morale të njeriut duke forcuar disiplinën personale si dhe rezistencën ndaj lakmisë dhe tundimit. Besimtarët myslimanë duke agjëruar dëshmojnë përulje dhe përkushtim ndaj Perëndisë, por edhe e forcojnë disiplinën personale si rezistencë ndaj lakmisë dhe tundimit. “Bashkëjetesa në harmoni mes grupeve të ndryshme fetare në Kosovë është një ndër krenaritë tona më të mëdha dhe të gjithë duhet të angazhohemi që kjo harmoni të kultivohet dhe të forcohet sa më shumë edhe në të ardhmen”,- tha presidenti Thaçi.
Në fund, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për përpjekjet edukative të udhëheqësve shpirtërorë të Bashkësisë Islame, me të cilat synojnë që qytetari ynë të përqafojë vlerat themelore të shoqërisë, që të kultivojë më shumë patriotizëm dhe dashuri për atdheun dhe të kuptojë e të përvetësojë demokracinë, respektin për ligjin, tolerancën, mirësjelljen dhe normat e tjera morale të nevojshme për të pasur qytetarë të ndërgjegjshëm.
Ndërsa,në fjalën e tij, Myftiu Tërnava, e falënderoi presidentin për shtruarjen e këtij iftari dhe ndër të tjera tha : “…sigurisht që ne si Bashkësi Islame e Republikës së Kosovës në vazhdimësi do të jemi gati që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e vendit tonë që u krijuan me shumë mund dhe sakrificë, për një të ardhme sa më të mirë të shoqërisë sonë, për një prosperitet dhe për forcimin e shtetit”.
Ai më pas theksoi se është ndjenjë e mirë të bëhet iftar së bashku dhe që të jemi së bashku duke lutur Zotin, Krijuesin e universit që vendit tonë t’i japë të gjithë të mirat.