Prishtinë, 24 prill 2019
Në vigjilje të muajit të bekuar të Ramazanit, në teatrin “Isref Begolli” në Pejë, u mbajt tribuna fetare “Parapërgatitja shpirtërore dhe fizike për muajin e agjërimit”, në të cilën ligjëruan kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës Sabri ef. Bajgora dhe doktor Agron Rexhepi.
Fillimisht me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryetari i KBI të Pejës, Musli ef. Arifaj, i cili uroi për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, me shpresën tek Allahu që të kemi një agjërim dhe ibadete të pranuara dhe nga ky muaj të dalim fitimtarë dhe me gjynahe të falura.
Më pas, para të pranishmëve, rreth përgatitjes për muajin e bekuar të Ramazanit foli kryeimami Sabri ef. Bajgora, i cili potencoi faktin se është njeri fatlum, ai që e arrin muajin e Ramazanit, ngase është muaj i bereqetit, muaj i rahmetit dhe muaj i përzgjedhur për shumë urtësi.
“Sahabët e Pejgamberit a.s. i luteshin Allahut për gjysmë viti me lutjen “O Zot mundësona me prit Ramazanin”. Ramazani është muaj i përzgjedhur për shumë urtësi, bereqet dhe të mira, është muaj i Kuranit, ngase në një prej netëve të këtij muaji, në natën e madhe të Kadrit, Allahu e zbriti shpalljen e Tij të fundit në tokë për Muhamedin a.s. Ishte kontakti i fundit qiellor me tokës, sepse pas Muhamedit a.s. më nuk do të ketë pejgamber të tjerë. Me bindje të plotë mund të themi se, të lumtë ata që e presin Ramazanin, ngase po ta dinin njerëzit për mirësitë e muajit të Ramazanit, do të dëshironin që krejt viti të ishte Ramazan.”
Kryeimami Bajgora foli edhe rreth përgatitjeve që duhet të ketë besimtari për muajin e Ramazanit, duke potencuar se: “Ramazani është mysafir që vjen një herë në vit, ndaj për këtë duhet të përgatitemi fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht, sepse në këtë muaj nuk janë vetëm agjërimi dhe namazi ibadete, por edhe frymëmarrja dhe gjumi i besimtarit janë ibadete. Ky muaj te besimtari ngjallë emocione të papërshkrueshme, ditët dhe netët e këtij muaji ndryshojnë prej muajve të tjerë. Andaj prej nesh kërkohet devotshmëria në këtë muaj, e nëse këtë nuk e arrijmë, atëherë nuk kemi arritur t’i marrim begatitë dhe nimetet e këtij muaji. Nëse nuk kemi arritur që t’i lëmë fjalët e këqija, shpifjet dhe punët e liga, atëherë nuk e kemi arritur misionin që duhet ta kemi në Ramazan.”
“Muaji i Ramazanit konsiderohet edhe muaj i Kuranit, ngase në të zbriti Kurani, siç thotë Allahu xh.sh.: Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). (El Bekare, 185). Qëllimi i agjërimit është që ne të dalim fitimtarë, faqebardhë, që ne të na bëj që punët e mira që i bëjmë në këtë muaj të bëhen rutinë edhe për muajt e tjerë. Allahu xh.sh. në një hadith kudsij thotë: “Çdo punë e birit të Ademit i takon atij, me përjashtim të agjërimit, agjërimi është Imi dhe Unë për të shpërblej.” Ky muaj sjellë kënaqësi shpirtërore kur bashkohemi në namazet ditore, e në namazin e teravisë, pastaj në sofrën e syfyrit dhe të iftarit.”
“Lusim Zotin e Madhëruar që të na e mundësoj ta agjërojmë këtë muaj të bekuar dhe të dalim fitimtarë nga ky muaj, që në fund të krenohemi për namazin, ibadetin, dhikrin tonë dhe të jemi prej atyre që do të hyjnë në xhenet nga dera Rejjan, dera e agjëruesve. Lusim Zotin që të na i largojë mospajtimet tona, të jemi prej atyre që pendohemi me pendim të sinqertë. Një lutje të veçantë do e bëja për nënat, bashkëshortet, motrat tona për mundin e përgatitjes së iftareve dhe syfyreve. Lusim të Madhin Zot që t’i shpërblejë me xhenet. Allahu na e mundësoftë të agjërojmë muajin e Ramazanit,” përfundoi fjalën e tij kryeimami Bajgora.
Më pas para të pranishmëve rreth temës agjërimi dhe shëndeti foli doktor Agron Rexhepi, i cili tha se në muajin e Ramazanit, harmonia shpirtërore dhe trupore duhet të jenë së bashku, që të jemi në harmoni me Krijuesin tonë.
“Nuk ka asnjë obligim që e ka bërë Allahu, e që të mos jetë për të mirën e njeriut. E falënderojmë Zotin që na e mundësoj t’i afrohemi këtij muaji, ndaj nuk duhet të lejojmë të na ikin të mirat e këtij muaji. Sot, psikologët botërorë preferojnë që njeriu të meditojë për 5 deri 10 minuta brenda ditës, në mënyrë që të largojë stresin ditor, e ne na ka bekuar Allahu me faljen e pesë namazeve ditore.”
Dr. Agron Rexhepi foli edhe për aspektin mjekësor të agjërimit, të cilin e quajti lloj diete: “Agjërimi nga aspekti mjekësor është një lloj diete, që për qëllim ka rikalibrimin e trupit, ndërsa nga aspekti fetar ka për qëllim rikalibrimin e shpirtit. Nutricistët botëror sot rekomandojnë agjërimin e dy ditëve gjatë javës, që për këtë ne kemi mësimin e Pejgamberit a.s. për agjërimin e të hënave dhe të enjteve. Nuk ka ndonjë moshë të caktuar për fillimin dhe përfundimin e agjërimit. Porosisë që t’i mësojmë fëmijët me agjërim, deri në momentet kur ata të munden, njashtu edhe për personat e moshuar, të cilët nuk kanë ndonjë sëmundje që e pengon agjërimin, të fillojnë me agjërim.”
“Sa i përket ushqimeve, porosisë që nuk duhet të jenë në asnjë mënyrë vetëm iftari dhe syfyri, por të jetë edhe një shujtë pas namazit të teravive. Iftari duhet të bëhet me ujë, larg çdo pije të gazuar, me 2-3 hurme, ngase hurma është një fryt i rrallë që i përmban të gjitha që i duhen organizmit,” tha mes tjerash dr. Agron Rexhepi.