Prishtinë,26 shkurt 2019

Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Fakulteti i Studimeve Islame, në amfiteatrin e FSI-së në Prishtinë sot u mbajt akademi përkujtimore me rastin e kalimin në ahiret të profesorit Mr. Qemajl ef.Morina. Në këtë ngjarje mori pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava, familjarë, dekani i FSI, prof.dr. Fahrush Rexhepi, përfaqësues të jetës politike e kulturore,stafi akademik i FSI-së, bashkëpunëtorë, përfaqësues të Këshillave të BI të Kosovës, akademik, student, shokë etj.

Në fjalën e tij duke iu drejtuar të pranishmëve dekani i FSI, prof.dr. Fahrush Rexhepi, ndarja nga jeta e prof.. Qemajlit është ngjarje e dhimbshme sepse largimi i tij do të krijojë boshllëk të madh jo vetëm në familje por, edhe në rrethet intelektuale e fetare pasi ai ishte një studiues dhe pedagog i rrallë i fushës së studimeve islame. Profesor Qemajl Morina përveç punës dhe kontributit të tij në BIRK, është edhe ndër themeluesit e FSI-së duke qenë anëtarë i Këshillit themeltarë për hapjen e FSI-së më 1992. Ai mes tjerash po ashtu tha se FSI ka pas nderin që librin e parafundit me titull “Glosari i Nocionëve Fetare” t’ia botoj profesor Qemajlit, ndërsa ndiejmë keqardhje që ai nuk e priti librin e tij të fundit me titull “Studime kontrastive mes arabishtes dhe shqipes në fushën e fonologjisë” i cili tashmë është faqosur dhe është gati për botim. Botues i këtij libri është FSI, dhe e lusim Allahun Fuqiplotë që këtë vepër ta vendosë në peshoren e punëve të mira të tij.

Kurse një fjalë rasti mbajti edhe myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava i cili mes tjerash nënvizoi se sot më ka rënë hise një detyrë e rëndë, ndër më të rëndat në këto vitet e fundit të përvojës time në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, që para jush të shpreh vlerësimet dhe konsideratat e mija dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për bashkëpunëtorin, kolegun dhe profesorin tonë Qemajl Morina, i cili më datën 22 shkurt 2019 kaloi në Ahiret, si një shpirt i qetë e fisnik dhe duke iu përgjigjur urdhrit të Zotit konform ajetit kuranor: “O shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i vetkënaqur e i pranuar! Hyr mes robërve të Mi! Dhe hyr në Xhenetin Tim!” (el-Fexhr, 27-30).

Ai më tutje ka vazhduar duke përmendur se si bashkëpunëtor i hershëm i tij, e them me plotë gojën se urtësia, fisnikëria, përzemërsia dhe mirësjellja e Profesor Qemajlit vërtet rrallë mund të hasen në shoqërinë tonë. Nuk mbaj mend ta kem parë të vrenjtur në fytyrë apo të hidhëruar në dikë. Pavarësisht se në debate edhe mund të kishte mospajtime, pamja e tij e natyrshme ishte e një njeriu të qetë, konstruktiv e mbi të gjitha korrekt me të tjerët.

“Profesor Qemajli ka qenë njëri i shumanshëm, prandaj edhe kontributi i tij është shumëdimensional, si: publicistik, shkencor, historik, gjuhësor e pedagogjik.

Meqenëse kjo botë dhe gjithçka është kalimtare dhe sipas caktimit të Zotit të gjithësisë, kush me herët e kush më vonë, do të kalojmë në botën tjetër, ajo që mbetet pas është vepra e jonë. Në të dy këto drejtime, Profesor Qemajli na ka tejkaluar të gjithë neve. Ai para nesh kaloi në Ahiret, por na ka tejkaluar edhe për veprimtarinë e bujshme në fushën e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe dhe trashëgiminë e gjerë që ka lënë, dhe e cila, me Emrin e Allahut, do të botohet në një komplet të veçantë”-ka thënë myftiu Tërnava

Jemi mbledhur sot për ta nderuar një njeri që prore na ka nderuar të gjithëve, familjen, institucionet në të cilat punoi, bashkëpunëtorët, shoqërinë dhe kohën në të cilën jetoi; një njeri që me tërë qenien ka punuar për përparimin fetar dhe kulturor dhe të gjithmbarshëm të shqiptarëve, një njeri që me penën e tij shumë nga vlerat e dëshmuara e të gjithmonshme të njerëzimit, me punën e palodhshme e sakrifikuese, i ka bërë edhe pjesë të kulturës sonë, por dhe kulturën tonë kombëtare e ka afirmuar nëpërmjet prezantimit të saj në relacione me kulturat e tjera.

Në të këtilla raste fjalët gjithmonë duken të pakta dhe duke u përpjekur për të thënë ato më kryesoret që e kanë karakterizuar Profesor Qemajlin, shumë gjëra të tjera, po aq të rëndësishme, do të na mbesin pa i përmendur.

Por për Profesor Qemajlin do të flitet e do të shkruhet gjatë, shumë gjatë, nëpër katedra, konferenca e simpoziume, nëpër revista shkencore e monografi të veçanta, sepse trashëgimia dhe veprimtaria e bollshme që na e la profesor Qemajli si pedagog, shkencëtar dhe, përgjithësisht, si individ i dalluar i shoqërisë sonë, do të mbetet e përhershme.

Duke e përmbyllur këtë fjalë timen dua të them se, në rend të parë, familja, farefisi i gjerë, miqtë, kolegët, studentët e tij të shumtë, lexuesit e veprës së tij shkencore e humanitare, shoqëria jonë në përgjithësi, me vdekjen e Profesor Qemajlit, kanë humbur shumë; por dhembja nuk duhet të na bëjë të harrojmë se kemi pasur fatin e rrallë që ta njohim një prind, një familjar, një të afërm, një mik, një koleg, një profesor, një dijetar e një pjesëtar të shoqërisë sonë me emrin e punën e të cilit krenohemi të gjithë. Allahu i madhëruar e shpërbleftë Profesor Qemajlin për veprën e tij, kurse shpirtin e tij e bëftë pjesë të kopshteve të Xhenetit Firdevs!

Shpirtit të bekuar e fisnik të Profesor Qemajlit të gjithë t’ia bëjmë hedije një Fatiha!

Në emër të familjes foli Fuad Morina, djali i profesor Qemajlit i cili falenderoi Myftiun Tërnava dhe BIRK- un për këtë akademi përkujtimore. Ai tha se për nëve si familje është nder që të dëgjojmë fjalime vlerësuese për prindin tonë dhe ne si si familje jemi krenar për punën e tij të palodhshme që ka bërë në kuadër të BIRK-ut.
Ndërsa krejt në fund Hfz Safet Hoxha e bëri duanë e hatmes për shpirtin e rahmetlit.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…