Prishtinë, 27 nëntor 2018

Me rastin e shënimit të muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Vitisë, organizoi ligjëratë kushtuar jetës dhe veprës së Pejgamberit tonë të fundit, Muhamedit a.s. Ligjërata u mbajt në xhaminë e fshatit Pozharan, në të cilën para të pranishmëve ligjëroi kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës Sabri Bajgora.

Fillimisht u lexua një pjesë nga Kurani fisnik, e më pas të pranishmit i përshëndeti kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Vitisë z. Husamedin Hoxha.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve kryeimami Bajgora tha se: “Do të doja që këtë ligjëratë timen ta filloja me një ajet kuranor, nga ku Allahu përmend cilësitë dhe epitetet më të bukura me të cilat i drejtohet të Dërguarit tonë. Allahu në Kuran thotë: “O Pejgamber, Ne të Dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues, dhe me urdhrin e Allahut thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues” (El Ahzab, 45-46). Muhamedi a.s  erdhi në kohën më të duhur për njerëzimin, erdhi atëherë kur botën e kishte kapluar errësira e injorancës, erdhi si ngrohtësi dhe dritë për botën e ngrysur e të pashpresë, erdhi si frymëzim i gjeneratave të kaluara, të tashme, e sigurisht se do të mbetet i këtillë edhe për gjeneratat e ardhshme deri në Ditën e Gjykimit.”

Në përshkrimin e personalitetit të Muhamedit a.s., kryeimami Bajgora shtoi se ai ishte baraspeshë ndërmjet materies dhe shpirtërores. “Personaliteti i tij paraqet baraspeshë ndërmjet materies dhe shpirtërores, aftësisë dhe diturisë, ndërsa autoriteti dhe sukseset e tij qëndrojnë pikërisht në atë se gjatë jetës së tij, ai arriti t’i harmonizojë dëshirat dhe përpjekjet e tij me rregullin dhe ligjet që mbizotërojnë në bozë.”

Në fund të ligjëratës së tij, ai nuk harroi pa përmendur edhe rëndësinë e të dërguarit salavat për Pejgamberin a.s., ndër të tjerash përmendi ajetin kuranor në të cilin thuhet: “Me të vërtetë, Allahu dhe melaqet e Tij me madhërim e mëshirojnë dhe e përshëndesin të Dërguarin. O ju që keni besuar, lutuni për të duke rënë salavat dhe përshëndeteni atë me selam” (El Ahzab, 56). Prandaj edhe ne nga ky vend lutemi dhe dërgojmë salavat për krijesën më të mirë që shkeli tokën” përfundoi fjalën e tij kryeimami Bajgora.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…