Prishtinë, 2 tetor 2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim Tërnava, mori pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik 2018/19, e cila u mbajt në Fakultetin e Studimeve Islame, organizuar nga dekani i këtij fakulteti, prof. dr. Fahrush Rexhepi. Në këtë ceremoni përpos stafit akademik dhe studentëve mori pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit, z. Heset Sahiti së bashku me këshilltarin e ministrit Bytyqi, z. Shkodran Imeraj.
Në fjalën e tij, dekani Rexhepi duke i përshëndetur studentët dhe stafin pedagogjik uroi për një vit të mbarë dhe të suksesshëm dhe theksoi faktin se FSI-ja ofron kushte mjaft të përshtatshme për zhvillimin e mirëfilltë të procesit arsimor. ’’Fakulteti i Studimeve Islame ofron staf të kualifikuar dhe kompetent, literaturë bashkëkohore e profesionale si dhe program mësimor bashkëkohor, i cili përmbush nevojat e studentëve dhe të besimtarëve të trojeve tona. Begatitë dhe vlerat e diturisë në formë përmbledhëse mund t’i kuptojmë edhe përmes haditheve të Muhamedit a.s. i cili ka thënë: ”Kush niset për në rrugë duke kërkuar dije, Allahu do t’i lehtësojë rrugën për në xhenet”,- tha veç të tjerash dekani Rexhepi
Me një fjalë rasti studentëve iu drejtua edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i cili edhe një herë e ritheksoi përkrahjen e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për studentët e këtij fakulteti. “Allahu në ajetin e parë që ia zbrit Muhamedit a.s. i tha lexo, mëso në emër të Zotit, çka do të thotë se nën domethënien e kësaj fjale jeton dhe frymon lirshëm Islami, ndaj kjo prej kësaj fjale nënkuptohet çdo gjë dhe kjo fjalë përmbush nevojat e individit dhe shoqërisë. Ky ajet dhe ajetet e tjera që flasin për dituri neve na motivojnë dhe na shtyjnë që të japin një kontribut për fenë tonë islame, të ngrihemi lart dhe të kërkojmë një dije të bereqetshme që të krijojmë kuadrot tona”,- tha Myftiu. Ai duke kërkuar nga studentët që të jenë vigjilentë dhe të gatshëm që t’i plotësojnë nevojat e vendit me kuadrot prej këtij fakulteti dhe mos të kemi nevojë që të indoktrinohet rinia jonë, ka pasur tentativa që te ky popull të depërtojnë ide që nuk përkojnë me Islamin, nga njerëz që punojnë për interesa të ndryshme parciale, klanore apo çfarëdo qofshin ato.
Myftiu Tërnava kërkoi nga studentët studime të mirëfillta, të dëgjojnë ligjëratat që i marrin nga profesorët dhe që ato t’i praktikojnë duke lënë anash idetë e huaja që janë të rrezikshme dhe që nuk janë tonat. “Duhet t’i luftojmë ato ide të mbrapshta dhe duhet të bëjmë kujdesin të mos depërtojnë te ne, duhet ta dini mirë se në krye të atyre që bartin barrën e Islamit te ne janë këta profesorë që ju mësojnë dhe autoritetet e tjera që punojnë në institucionet e BIRK-ut”,- theksoi Myftiu Tërnava
Një fjalë rasti mbajti edhe zv/ministri i Arsimit, z. Heset Sahiti, i cili, nga a e tij, shprehu edhe një herë gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit që të jenë së bashku në çdo bashkëpunim që kërkohet me Fakultetin e Studimeve Islame. “Kam nderin të jem sot këtu së bashku me ju, ndaj më lejoni që në emër të ministrit Bytyqi dhe në emër të Ministrisë së Arsimit t’ju uroj për fillimin e mbarë të vitit akademik, sidomos me urim të veçantë t’u drejtohem studentëve të rinj. Unë kam një mëzash për ju studentë të dashur, ju dhe Bashkësia Islame jeni gjithnjë së bashku me popullin dhe për popullin, ndaj ju porosis që gjithnjë të kontribuoni në frymën kombëtare dhe në frymën e interesave të shtetit tonë, pra të Republikës së Kosovës”- tha ndër të tjerash zv/ministri Sahiti, i cili i nuk harroi pa përmendur dhe pa uruar rizgjedhjen e dekanit z. Fahrush Rexhepi në krye të këtij institucioni, të cilin e uroi për punë të mbarë dhe të suksesshme.