Të nderuar vëllezër besimtarë!


Ramazani është muaj ndryshe nga muajt tjerë. Është muaj i mirësive të shumta, muaj të cilin Allahu i madhëruar e veçoi për vlerat, ngjarjet, mësimet dhe shpërblimin e madh. Nga kjo perspektivë, Ramazani është gëzim andaj me gëzim e kanë pritur brezat e parë dhe kështu, me gëzim, e presim edhe ne. Në fakt, këtë pritje me këtë dashuri e mall, na e ka mësuar i dashuri ynë, Muhamedi ﷺ, i cili, siç transmetohet, me rastin e ardhjes së Ramazanit, iu merrte myzhde besimtarëve duke iu thënë:
» أتاكُم رَمضانُ شَهرٌ مبارَك ، فرَضَ اللَّهُ عزَّ وجَلَّ عليكُم صيامَه ، تُفَتَّحُ فيهِ أبوابُ السَّماءِ ، وتغَلَّقُ فيهِ أبوابُ الجحيمِ، وتُغَلُّ فيهِ مَرَدَةُ الشَّياطينِ ، للَّهِ فيهِ ليلةٌ خيرٌ من ألفِ شَهرٍ ، مَن حُرِمَ خيرَها فقد حُرِمَ«
“Ju erdhi Ramazani, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit ua obligoi Allahu i Madhëruar. Në të hapen dyert e qiejve dhe mbyllen ato të xhehenemit ndërsa djajtë e tërbuar lidhen në zinxhirë. Allahu ka një natë në këtë muaj e cila është më e mirë se njëmijë muaj; kush privohet nga mirësia e saj, ai vërtetë është i privuar.”
Duke iu referuar kësaj myzhdeje profetike, dijetarët kanë thënë se duhet të gëzohemi e ta urojmë njëri-tjetrin, e si të mos përgëzohet besimtari për hapjen e dyerve të xhenetit, si të mos përgëzohet mëkatari për mbylljen e dyerve të xhehenemit, si të mos i merret myzhde të mençurit për periudhën kohore në të cilën djajtë prangosen?!
Edhe ne, në këtë xhuma të parë për këtë Ramazan, përfitojmë nga rasti dhe, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të saja, dhe në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava, ju urojmë për këtë muaj të bekuar, këtë muaj të adhurimeve të shumta, të mundësive të rralla e të shpërblimeve të mëdha, duke e lutur Allahun që të na lehtësojë agjërimin, të na jep forcë e vullnet për adhurime dhe t’i pranojë ato prej nesh!

Xhematlinj të nderuar!
Kjo myzhde profetike që përmendëm është më shumë se thjesht një lajm sihariques. Në vete përmban mesazhe rëndësia e të cilave është shumëdimensionale:
1) nga aspekti normativ, na bëhet me dije se agjërimi i këtij muaji është farz, mu ashtu siç na mëson Allahu i madhëruar në Kur’an:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ ‎﴿١٨٣﴾
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [Bekare: 183]
﴿فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ ۖ﴾
“…Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!…” [Bekare: 185]
Agjërimi, me këtë pozitë që ka, paraqet një vepër me shpërblim të madh. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e agjëron ramazanin me besim dhe llogaritje në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme.”
2) nga aspekti i vlerave, na bëhet me dije se ky muaj është muaj i bekuar, që nënkupton muaj i mirësive të shumta, i hairit të madh.
3) nga aspekti motivues nxitemi të shtojmë veprat e mira sepse:

  • në këtë muaj fuqia dhe ndikimi çorientues i djajve minimizohet,
  • hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen ato të xhehenemit, duke thirrur kështu besimtarin e devotshëm që të shtojë të mirat dhe duke thirrur besimtarin mëkatar që të përfitojë nga kjo mundësi kur mbyllen dyert e xhehenemit dhe t’i kthehet Zotit me pendim e përkushtim. Madje në një prej versioneve të këtij hadithi tekstualisht qëndron: “…dhe thërret një thirrës: o ju që kërkoni të mirën, ejani! O ju që kërkoni të keqen, ndalni dhe përmbahuni!…” Ndaluni dhe përmbahuni ka kuptimin e pendimit sepse Ramazani është kohë kur pendimi pranohet.
  • për çdo natë gjatë këtij muaji, Allahu amniston besimtarë nga zjarri i xhehenemit,
  • në këtë muaj është Nata e Kadrit, nata më e mirë se njëmijë muaj. Nata e Kadrit është në fakt mirësia me të cilën Allahu i madhëruar e nderoi këtë ymet, prandaj është një mundësi që nuk duhet lëshuar.
    Në fakt, kjo myzhde provokon edhe xhelozinë tonë prej besimtarëve që synojmë fitimin e kënaqësisë së Allahut duke na bërë me dije se, po patëm tërë këto mundësi dhe nuk i shfrytëzuam, atëherë ne vërtetë jemi të privuar. Keqardhjen për lëshim të këtyre mundësive pa i shfrytëzuar, Pejgamberi ﷺ e ka përmendur edhe në një rast tjetër kur kishte thënë: “Qoftë i poshtëruar ai që e kalon tërë Ramazanin ndërsa nuk i falen mëkatet!”

Vëllezër myslimanë!
Muaji i Ramazanit është dhe muaji i Kur’anit. Me urtësinë e Vet, Allahu përzgjodhi që pikërisht në këtë muaj, në natën e bekuar të tij, Natën e Kadrit, të fillojë me shpalljen e Kur’anit.
‎﴿ شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ ﴾
“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)….” [Bekare: 185]
﴿ إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ‎﴿١﴾‏
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” [Kadr: 1]
Ramazani, në të vërtetë, është muaji në të cilin u shpallën edhe librat e mëparshëm.
Muaji Ramazan është muaji i teravive, namazit të vetëm vullnetar që falet në mënyrë kolektive. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush falet në ramazan me besim dhe llogaritje në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e mëparshme.”
Muaji ramazan është muaj i lutjes, i lutjes së pranuar. Pejgamberi ﷺ na ka treguar se lutja e agjëruesit nuk refuzohet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tre lutje janë të pranuara: lutja e agjëruesit, lutja e të dëmtuarit dhe lutja e udhëtarit.”
Muaji Ramazan është muaji i iftareve, muaj i solidaritetit, muaji në të cilin uria që përjetojmë me vullnet të lirë na bën që të mendojmë për ata që urinë e kanë të imponuar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e ushqen një agjërues atij i takon shpërblimi i njëjtë me të, edhe pse këtij të fundit nuk i pakësohet shpërblimi aspak.”
Ndërsa flasim për këtë dimension solidar të agjërimit, ne ju bëjmë thirrje që edhe këtë vit, sikur viteve tjera, ta përkrahni aksionin humanitar tashmë tradicional të Bashkësisë Islame ‘Sofra e Ramazanit’ në mënyrë që vëllezërve dhe motrave tona në nevojë t’iu dalim në ndihmë. Ne, me këtë rast, do të donim t’ju falënderojmë sepse falë këtij bashkëpunimi të ndërsjellë e të besueshëm që kemi krijuar kemi arritur të jemi lider humanitar në Kosovë.

Vëllezër myslimanë!
Ramazani është muaji që synon ndryshimin në tre rrafshe: shpirtëror, etik dhe shoqëror. Pra, synon të vë raportet të shëndosha e të suksesshme me Krijuesin tonë, vetveten dhe të tjerët, andaj, tani që jemi në fillim, të përcaktohemi qartë dhe me vullnet e vendosmëri për ta bërë këtë ndryshim, të mos lejojmë asgjë dhe askënd të na shmang nga realizimi i këtyre qëllimeve më fisnike e sublime të mundshme, të mos lejojmë të na ikin mundësitë që na ofron ky muaj!
Edhe një herë, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të saja, dhe në emër të Myftiut Naim ef. Tërnava, ju urojmë për këtë muaj të bekuar, këtë muaj të adhurimeve të shumta, të mundësive të rralla e të shpërblimeve të mëdha, duke e lutur Allahun që të na lehtësojë agjërimin, të na jep forcë e vullnet për adhurime dhe t’i pranojë ato prej nesh!

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…