Fjala përshëndetëse e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava në hapje të Konferencës shkencore “Revista Ditura Islame” tri dekada jetë, punë, sfida dhe suksese”
I nderuar kryminist1ër i Republikës së Kosovës z Isa Mustafa
I nderuari kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruqaj,
I nderuari Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë Sulejman ef.Rexhepi
I nderuari Ipeshkv i Kosovës, Dodë Gjergji.
Të nderuar studiues,
Të nderuar efendilerë,
Zonja dhe zotërinj;
Kam nderin që sonte para jush t’ju drejtohem, t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj në emër të Kryesisë së BIK, në emër të institucione e organeve të saj, si dhe në emrin tim personal për praninë tuaj në shënimin e një përvjetori të rëndësishëm për kulturën tonë kombëtare e fetare – në 30-Vjetorin veprimtarisë së suksesshme të revistës “Dituria Islame”.
Jemi mbledhur sot, në këtë manifestim, për të vlerësuar dhe për të nderuar angazhimin, punën, përkushtimin, vizionin, dijen dhe kontributin e të gjithë atyre që punuan për tri dekada në rritën, zhvillimin dhe formësimin e revistës “Dituria Islame”, dhe përmes saj përçuan tek popullata, vlerat hyjnore, humane, kombëtare e kulturore.
Prandaj, me këtë rast, shpreh mirënjohjen më të sinqertë dhe konsideratat më të thella për drejtuesit – kryeredaktorët, redaktorët dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e revistës “Dituria Islame”. Një mirënjohje të veçantë në këtë përvjetorë, gjithsesi e meritojnë lexuesit tanë të nderuar nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora, të cilit me interesimin dhe besnikërinë e tyre për revistën “Dituria Islame”, ishin dhe vazhdojnë të jenë garancia më e fuqishme dhe motivi kryesor për punën dhe angazhimin tonë.
Të nderuar të pranishëm!
Revista “Dituria Islame” misionin dhe rrugëtimin e saj e nisi para tri dekadash. Vendimi për botimin e saj, sigurisht që është një ndër vendimet më të rëndësishme që atëbotë mori Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. Në vetvete, marrja e këtij vendimi kaq me rëndësi për të pasur një revistë me karakter fetar në një kohë kur feja nuk ishte e mirëpritur nga ish-sistemi, dhe në një kohë trazirash e turbullirash për vendin tonë, përveç se ishte sfidë e vërtetë, ajo në fakt, më tepër ishte përgjegjësi, ishte mision, ishte detyrë, me një fjalë, ishte farz.
Sepse Allahu xh.sh. thotë:
اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ . خَلَقَ الْإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ . اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ . الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ . عَلَّمَ الْإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَم. .
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El Alek, 1-5)
Kurse Muhamedi a.s. në hadith thotë hadith “Ai që vdes duke kërkuar dije për të ringjallur fenë me të, është vetëm një gradë poshtë pejgamberëve në Xhenet”. (Muslimi dhe Tirmidhi)
Të nderuar të pranishëm
Ndonëse “Dituria Islame” në nismën e saj i kishte vënë synim vetes që të ishte një revistë fetare dhe informative, mision që e përmbushi me sukses gjatë gjithë daljes së saj, megjithatë për shkak të krijimit të rrethanave të reja në Kosovë pas vitit 1989, ajo fitoi edhe dimension tjetër. Kjo sepse vendi ynë u përballë me rrethana dhe zhvillime të mëdha. Prandaj edhe “Dituria Islame” nga ky vit e këndej mori një format tjetër për t’iu përgjigjur sfidave e rrethanave të reja aspak të favorshme për BIK në veçanti dhe popullin dhe vendin tonë në përgjithësi.
Kështu, në vitin 1990 kur pushteti okupues serb ndaloi mjetet e informimit në gjuhën shqipe dhe mbylli të përditshmen e vetme gazetën “Rilindja” si edhe Radio Televizionin e Prishtinën-redaksia në gjuhën shqipe, atëherë “Dituria Islame” pa asnjë hezitim u vu në dispozicion të informimit të popullatës shqiptare dhe, si të thuash, në një farë mënyre mori rolin e një reviste informative, ku denonconte dhe informonte për dhunën që pushteti serb ushtronte mbi shqiptarët.
Përveç kësaj, “Dituria Islame”, ndonëse asokohe dilte në kohë të këqija, ajo ka një meritë të veçantë edhe për kujdesin e shtuar që tregoi për zhvillimet demokratike që përfshinë shtetin amë-Shqipërinë. Dhe jo vetëm kaq, por “Dituria Islame”, përmes bashkëpunëtorëve dhe shkrimeve të saj, nisi rivënien e lidhjeve dhe kështu neve në Kosovë na mundësoi që ta njohim sa më mirë Shqipërinë, kurse atyre në Shqipëri ju dha krah dhe ju gjettë pranë që ata t’u kthehen vlerave fetare.
Vëllezër e motra!
Revista “Dituria Islame” me punën e saj u bë një tribunë e mendimin fetar e kombëtar duke qenë e hapur dhe duke mirëpritur shkrimet dhe kontributet e poetëve tanë, historianëëve, gazetarëve dhe studiuesve të fushave të ndryshme, studentëve dhe të gjithë atyre që ishin të zotë te penës ose synonin të bëheshin të tillë.
Nëse shfletojmë “Diturinë Islame”, do të shohim se në aspektin fetarë ajo falë firmave të vëna aty, si Haxhi Sherif Ahmeti, Hajrullah Hoxha, Avni Aliu, Resul Rexhepi, Qazim Qazimi, Nexhat Ibrahimi, Sabri Bajgora dhe shumë e shumë të tjerë, ose të vëna në fund të shkrimeve të përkthyera nga gjuhë të tjera që për autorë kanë emra të shquar përmasash botërore, si: Hysein Gjozo, Gazali, Mevdudi, Kardavi, Sharavi, Mustafa Mahmudi, Rozhe Garodi, Murad Hoffman, Moris Bikej, Seid H etj., do të shohim se me plotë kuptimin e fjalës ajo ka luajtur një rol të çmuar në ngritjen dhe kultivimin e vlerave fetare. Ajo u bë një shkollë e veçantë e mendimit fetar islam tek ne.
Revista “Dituria Islame” po ashtu me botimin e përkthyer të pjesëve nga enciklopedia e Sami Farshërit “Kamusul ‘Alam” nga Mehdi Polisi, pastaj me kontributet e historianëve tanë të shquar si Skënder Rizaj, Gazmend Shpuza, Zekerija Cana, Iljaz Rexha, Muhamet Pirraku, Masar Rizvanolli, Hakif Bajrami, Nehat Krasniqi etj., pa harruar këtu edhe kontributin e intelektualëve të shquar nga fusha të tejra, si Pajazit Nushi, Feti Mehdiu, Shefqet Pllana, Isa Bajçinca, Mahmud Hysa, Zejnullah Gruda, Ferid Agani, Shyqri Nimani, Qemajl Morina, Don Lush Gjergji, Elez Osmani, Mehdi Hyseni, Ejup Sahiti, Idris Vuçitërna, Ali Iljazi e shumë të tjerë që sigurisht nuk do të na shohin për të madhe që nuk po mund t’i përmendim, – ajo pati një rol të rëndësishëm dhe dha një kontribut të pamohueshëm edhe në rrafshin e gjithmbarshëm kombëtarë, shkencor, historik e kulturor.
Të nderuar të pranishëm!
“Dituria Islame” veçohet edhe për një segment shumë të rëndësishëm për popullin tonë, sidomos nëse kemi parasysh kohën kur nisi të dalë dhe lëshoi shtat. Ajo luajti një rol të rëndeshim edhe në kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin e harmonisë ndërfetare – vlerë kjo identifikuese e populli tonë që na e lanë amanet të parët tonë. Në kohën kur pushteti serb mundohej të luante në kartën e përçarjeve ndërfetare tek shqiptarët dhe kur investonte më të madhe në propaganda të tilla, revista “Dituar Islame” u bë mburojë e fuqishme kundër të gjitha këtyre sulmeve qëllimkëqija, duke demaskuar e demantuar fuqishëm këto projekte antishqiptare. Në faqet kryesore të saj, të paralajmëruara në ballina me foto e më faksimile, “Dituria Isl;ame” asokohe botonte intervistat me prijësit e shquar katolikë si me Ipeshkvin Nikë Prela, i cili porositë e fundit të tij përmes një interviste i dha pikërisht në “Diturinë Islame”. Po ashtu “Dituria Islame” ishte revista e parë që për lexuesit tonë në Kosovë, përmes intervistës, e solli Patër Zef Pllumbin, historinë dhe mesazhet e tij.
Janë antologjike dhe tepër domethënëse dhe emblematike kur kundrohen nga konteksti kohor, intervistat me prijësin dhe udhëheqësin e parë pas komunizmit në Shqipëri, kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptarë Hafiz Sabri ef. Koçin dhe kryetarin e Bashkësisë fetare Islame të Maqedonisë, Reisin Sulejman Rexhepin.
Të nderuar vëllezër dhe motra
“Dituria Islame” nuk ishte vetëm një revistë që shkruante për shqiptarët, por ajo i tejkalonte kufijtë lokal të shqiptarëve. Kështu ajo u bë një denoncuese e haptë e gjenocidit dhe masakrave serbe mbi popullin boshnjakë. Ajo përveç informimit, me editorialet e saj ngrinte zërin dhe sensibilizonte opinion kundër dhunës e padrejtësive që bënte pushteti serb në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Kurse, është e tepër të thuhet këtu se “Dituria Islame” u bë pjesë e zërit lajmëtar për zhvillimet e më pastajme në Kosovë; për Lëvizjen Paqësore, pastaj për Lëvizjen e studentëve, për Lëvizjen Çlirimtare dhe përkrahëse e luftës së UÇK-së për lirinë e Kosovës.
“Dituria Islame” edhe pas çlirimit të Kosovës dhe krijimit të rrethanave të reja, vazhdon suksesshëm dhe me besnikëri rrugën e nisur dhe të kultivuar që nga fillimi, duke iu përshtatur kështu kushteve dhe kërkesave dhe duke iu përgjigjur sfidave të kohës në të cilën po jetojmë.
Të nderur të pranishëm!
Për kontributin shumëdimensional dhe gjithëpërfshirës të revistës “Dituria islame”, po edhe për sfidat dhe perspektivat e saj, sigurisht që më hollësisht dhe më me kompetencë do të flasin studiuesit e fushave të ndryshme në Pjesën shkencore të Konferencës që i zhvillon punimet nesër dhe pasnesër.
Kurse mua, nuk më mbetët tjetër, veçse të them se Revista “Dituria Islame” në këto tri dekada veprimtari, e kreu me sukses misionin e saj, dhe se nuk mund të shkruhet e plotë historia më e re e BIK dhe e Kosovës pa iu referuar faqeve të saj.
Revistës “Dituria Islame” i urojmë jetë të gjatë në rrugën e drejtë të Zotit dhe të kauzës e qytetërimit tonë.
Kurse juve, ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen dhe për durimin që patët!
Prishtinë, 18 nëntor 2016
Naim ef. Tërnava
Myfti i Kosovës