Prishtinë, 7 prill 2016
Më 7 prill, Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, mori pjesë në promovimi i dy librave të hoxhës së respektuar, mulla Iljas ef. Rrahmani, me titull “77 degët e imanit” dhe “Nën hijen e diturisë”. Ky organizim u mbajt në sallën e konferencave të Fakultetit të Studimeve Islame.

Fillimisht të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, i cili përveç tjerash tha se “ajo që e ngrit në piedestal punën dhe kontributin e mulla Iliaz ef. Rrahmanit është botimi i dy librave të tij, të cilët sot edhe po i promovojmë.” “Në librin me titull “Nën hijen e diturisë” mulla Iljaz ef. Rrahmani me mjeshtëri të madhe dhe me stil të lartë poetik ka shkruar disa poezi me përmbajtje fetare, e që kanë të bëjnë kryesisht me besimin në Zotin e vërtetë, me kushtet e besimit, me dhuntitë që Zoti i jep njeriut, si dhe disa me karakter kombëtar, si poezia për himnin e flamurit dhe poezia për luftën në Kosovë dhe përjetimet gjatë saj. Po ashtu dua të theksoj se kontributi i hoxhës Mulla Iliaz ef. Rrahmanit, në arsimimin fetar të shumë gjeneratave të reja, dhe veprimtaria fetare, kombëtare e politike e shumë hoxhallarëve të tjerë, pastaj edhe kontributi i tyre në kulturën islame dhe në zhvillimin dhe përhapjen e arsimit shqip në masën e popullit, veçmas gjatë shek. 20, janë të pakontestueshme dhe jetike për popullin tonë.”, tha ndër të tjera dekani Rexhepi.

Ndërsa, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, foli rreth librave të hoxhës, duke potencuar katër veçori të mulla Iljas ef. Rrahmanit: mençurinë, urtësinë, bujarinë, dhe punën e vazhdueshme. “Mulla Iljazi në veprat e tij e bën një interpretim të drejtë dhe të thellë e parimor të Islamit, përkundër kushteve që mbizotëronin në atë kohë. Këto libra janë të shtjelluar me një precizitet, dije, dhe guxim, që në vete ngërthen dijen dhe njohuritë e shumta që i ka mulla Iljazi. Çdo temë e shtjelluar është e argumentuar me ajet dhe hadith, e duke i komentuar dhe dhënë mendimin e tij në lidhje me këto trajtesa hoxha jonë binomin fe e atdhe nuk e ndanë asnjëherë”, tha myftiu Naim ef. Tërnava

Myftiu Tërnava përmes vargjeve të poezisë së shkruar nga vetë autori e përshkruan bindjen e hoxhës Iljaz ef. Rrahmani:

Kemi bërë shkollë e dituri, që s’mund të jetojmë më në robëri, mbi këtë flamur Perëndia, Ai vetë me dorë të vet e ka shkrue, për shqiptar do të jetë Shqipëria, kush e prek ai qoftë mallkue!”

Panelistët e këtij promovimi ishin Prof. Ahmet Sadriu dhe Prof. Ass. Dr. Lulzim Esati.

Prof. Ahmet ef. Sadriu nënvizoi se, kur flasim për hoxhën e nderuar, “duhet theksuar që në fillim se kemi të bëjmë me një figurë shumdimensionale, një personalitet të cilit Krijuesi i gjithësisë i dha begatinë për t’i shërbyer fesë dhe vatanit.”

Kurse Prof. Ass. Dr. Lulzim Esati foli për librin “77 degët e imanit”, duke theksuar se janë të pajisura me poezi autoriale të hoxhës Iljaz ef. Rrahmani. Veçori e këtyre librave është fakti se nuk dihet data e fillimit të tyre, por pretendohet se diku rreth 40-50 vjet më parë kanë filluar të shkruhen. Ato janë shkruar në gjuhën shqipe, duke përdorur alfabetin arab dhe persian.
Në fund autori i këtyre dy librave përshëndeti tubimin, dhe tha që ndihet mirënjohës dhe falënderues për të gjithë ata që u bënë shkaktarë të këtij promovimi, për çka e luti Zotin që t’i shpërblejë me Xhenet. Ai gjithashtu i porositi të rinjtë që të ndihmojnë vazhdimisht për fenë dhe atdheun.
Në fund të këtij promovimi, hoxhës së nderuar iu dha në mirënjohje për kontributin e dhënë, dhe u vlerësua se veprat e tij janë thesar fetar dhe kombëtar.

[layerslider id=”2″]
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…