Prishtinë, më 30 mars 2022

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, sot ka zhvilluar një takim me kryetarët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ky takim u organizua me qëllimin e vetëm, atë të koordinimit dhe organizimit sa më të mirë të aktiviteteve në terren të organizuara nga BIK-u. 

Myftiu Tërnava fillimisht i dëshiroi mirëseardhje kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të rajonit të Gorës, Miralem ef. Misini, si një Këshill i formuar së fundi nga Kuvendi i BIK-ut. Ai i dëshiroi punë të mbarë dhe të suksesshme në udhëheqjen e këtij Këshilli.

Më pas ai ua rikujtoi atyre përgjegjësinë që kanë për organizimin dhe udhëheqjen e jetës fetare në këshillat e BI-së. Në fokus të takimit ishin edhe organizimi dhe aktivitetet fetare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit si dhe koordinimi sa më i mirë mes Kryesisë së BIK-ut dhe këshillave të BI-së nëpër terren, në mënyrë që bashkërisht t’i bashkërendojnë punët gjatë këtij muaji si dhe të tejkalohen problemet dhe sfidat që po ballafaqohemi për çdo ditë. Myftiu Tërnava po ashtu porositi kryetarët e këshillave të BI-së që të jenë më afër me xhematin.

Ai tha se gjatë këtij muaji kemi pasur takime të shumta me kryetarë komunash ku kemi biseduar dhe i kemi falënderuar për bashkëpunimin shumë të mirë që kemi, si në nivele lokal ashtu edhe qendrore, si dhe i kemi falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që janë duke ua dhënë këshillave të BI-së nëpër komuna.

Po ashtu kemi pasur takime të shumta me xhemat, kryetar të këshillave, punonjës dhe kemi dëgjuar nga ata për çdo gjë që mund të bëhet në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të Islamit dhe ardhmërisë së tij në këto troje.

Myftiu Tërnava ka shprehur mirënjohje për kontributin që kanë dhënë kryetarët e KBI-ve dhe të gjithë imamët për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Ai tha se BIK-u vazhdimisht ka punuar dhe është interesuar për përmirësimin dhe ruajtjen shëndetit publik te qytetarët. Në këtë mbledhje u tregua edhe njëherë përkushtimi i BIK-ut që të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet shëndetësore, duke pasur parasysh se BIK-u ka marrë të gjitha hapat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së kësaj pandemie.

Myftiu Tërnava tha se falë Zotit dhe angazhimi tonë në përgjithësi, në këto vitet e fundit kemi shënuar rezultate të mira, sidomos në ndërtimin e infrastrukturës, si të xhamive ashtu edhe të objekteve të tjera, siç janë ndërtimi i selive nëpër këshillat e Bashkësisë Islame dhe ndërtimi i objekteve për vakëfe, të cilat janë një bazë e mirë për funksionimin e BIK-ut.

Myftiu Tërnava u kërkoi që të bashkëpunojnë edhe më shumë ndërmjet vete, të shkëmbejnë përvoja me njëri-tjetrin në mënyrë që aktivitetet të jenë në të mirë të xhematëve, si dhe porosia e tij ishte që të jemi unik në mendime e qëndrime përballë sfidave të kohës dhe jetës që kemi para nesh.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U inaugurua selia qendrore e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Prishtinë, më 20 nëntor 2024 Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka inauguruar sot seli…