Prishtinë, 8 nëntor 2021
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ferenc Kajári. Në këtë takim, Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje gjeneralmajorit Kajári, të cilin e uroi për detyrën, duke e vlerësuar kontributin e forcës shumëkombëshe në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në Kosovë, si dhe i dëshiroi punë të mbarë dhe të suksesshme në misionin e tij.
Ai më pas e njohu me punët dhe aktivitetet që zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim. Myftiu Tërnava edhe njëherë shprehu mirënjohjen e tij për misionin dhe përkushtimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, duke shprehur kështu vlerësimin dhe respektin e lartë që kanë qytetarët e Kosovës për ta.
Myftiu Tërnava theksoi se forcat e KFOR-it deri më tash kanë kontribuuar jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në projekte të ndryshme infrastrukturore, sikurse edhe në fushën e shëndetësisë në përballje me pandeminë, ku edhe me institucionet e BIK-ut janë zhvilluar shumë projekte të përbashkëta në të mirë të komunitetit.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor, Ferenc Kajári falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe nëpërmes tij vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ka BIK-u për mirëqenien e të gjithë qytetarëve, duke vlerësuar kështu harmoninë ndërfetare, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet gjithë qytetarëve pa dallim. Ai shfaqi gatishmërinë e tij dhe të KFOR-it për krijimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe se bashkëpunimi ndërmjet BIK-ut dhe KFOR-it do të vazhdojë edhe më tej.