Prishtinë, 27 tetor 2021
Me ftesë të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, një delegacion i lartë nga Mbretëria e Arabisë Saudite, i kryesuar nga shkëlqesia e tij, dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz al Shejkh, ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Në pritje të delegacionit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” doli Myftiu Tërnava me stafin e tij, duke iu dëshiruar mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Kosovë.
Myftiu Tërnava me këtë rast shprehu falënderim për udhëheqësin dhe për popullin e Arabisë Saudite në krye me shërbyesin e Dy Xhamive të Shenjta, mbretin Selman bin Abdulaziz, për çdo derë mirësie që Mbretëria e Arabisë Saudite ka hapur për myslimanët kudo ndodhen si dhe për njerëzimin mbarë. Myftiu Tërnava falënderoi Arabinë Saudite për ndihmën që i kanë ofruar popullit të Kosovës që nga para lufta dhe pas luftës për ngritjen e infrastrukturës së BIK-ut për realizimin e projekteve të ndryshme.
Në emër të delegacionit, shkëlqesia e Tij, dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz al Shejkh, falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen duke konfirmuar qëndrimin zyrtar të Arabisë Saudite për vazhdimësinë e përkrahjes së Kosovës, si dhe cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyeshme. Nesër delegacioni qëndrojnë në Kryesinë e BIK-ut, pastaj do të vizitojnë Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë.
Qëllimi dhe axhenda e kësaj vizite është bashkëpunimi ndërmjet dy popujve tanë, përputhja e vizionit të të dyja palëve rreth rëndësisë së traditës profetike si mënyra më e mirë për të përhapur paqen dhe tolerancën ndërmjet popujve.
Ministri do të zhvillojë një vizitë zyrtare 3 ditore në Kosovë ku pjesë e takimeve do të jenë edhe takimet me krerët më të lartë shtetëror të Kosovës.