Prishtinë, 28 tetor 2021
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava priti sot në takim delegacionin e lartë nga Arabia Saudite të kryesuar nga shkëlqesia e Tij, dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz al-Shejkh, ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Myftiu Tërnava pasi i dëshiroi mirëseardhje ministrit Al Shejkh dhe delegacionit të cilin e kryeson, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe shprehu dëshirën për t’i forcuar më tej ato, sidomos në fushën e fesë. Myftiu Tërnava me këtë rast shprehu falënderim për udhëheqësin dhe për popullin e Arabisë Saudite në krye me shërbyesin e dy Xhamive të Shenjta, mbretin Selman bin Abdulaziz, për çdo derë mirësie që Mbretëria e Arabisë Saudite ka hapur për myslimanët kudo ndodhen si dhe për njerëzimin mbarë.
Më tej Myftiu Tërnava njohu mysafirët me historikun dhe funksionimin e BIK-ut duke veçuar se BIK-u vazhdimisht është përpjekur që Kosova të jetë një vend që dallohet për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërmjet komuniteteve fetare dhe është model tolerance për shtetet e tjera.
“Për BIK-un dhe Kosovën është nder të kemi mysafirë shkëlqesinë e tij, dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz al-Shejkh, ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ambasadorin e Arabisë Sauditë në Tiranë, si dhe vetë delegacionin që kanë ardhur për të na vizituar në selinë e Kryesisë së BIK-ut. BIK-u falënderon qeverinë dhe popullin e Arabisë Saudite për ndihmën që i kanë ofruar popullit të Kosovës gjatë luftës, edhe për ndihmën në rindërtimin e Kosovës qe njëzet vjet, por edhe ndihmat në ushqim e veshmbathje, shkollave, spitaleve e shumë gjërave të tjera. Sigurisht që edhe ne si BIK do të luftojmë çdo gjë që është në kundërshtim me parimet e shëndosha, pastra e humane islame. Ne do të punojmë në promovimin e paqes, harmonisë e lumturisë dhe respektin ndërmjet njerëzve, sepse kështu na mësojnë vlerat tona fetare dhe nuk do të lejojmë askënd që në emër të Islamit ta përlyej fenë tonë islame”- tha Myftiu Tërnava.
Nga ana e tij shkëlqesia e tij, dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz al-Shejkh, shprehu kënaqësinë e tij që po viziton Kosovën dhe ndjehet mirë që Kosova ka treguar sukses në rrugën e zhvillimit të saj ekonomik dhe në të gjitha fushat. Ai shprehu vlerësime maksimale për Myftiun Tërnava dhe BIK-un, dhe se udhëheqja e saj është për t’u marrë shembull nga të gjitha vendet e rajonit. Ministri Al-Shejkh, tha se do të punojnë që bashkëpunimi mes dy shteteve të thellohet.
“Është një nënshkrim i marrëveshjes që e kemi nënshkruar më herët në Riad, nuk është e tëra do të ketë edhe bashkëpunime të tjera me të thella. E falënderoj Qeverinë e Kosovës dhe Myftiun, i cili u tregua shumë i kujdesshëm ndaj nesh. Duke u kujdesur që të vazhdojmë bashkëpunimin, jemi darkorduar për përhapjen e Islamit mesatar të moderuar dhe në luftimin e të gjitha formave të ekstremizmit, radikalizmit e dhunës, pasi feja jonë është e paqes dhe tolerancës. Jemi të përqendruar që të luftojmë të gjitha llojet e ekstremizmit dhe të gjitha keqkuptimet që i janë ngjitur fesë sonë nga disa qarqe me dekada që e kanë keqpërdorur fenë për aspirata politike.”
Në përfundim të takimit të sotëm në selinë e Kryesisë së BIK-ut, Myftiu Tërnava dhe ministri Al Sheikh shkëmbyen disa dhurata simbolike.
Më pas Myftiu Tërnava dhe delegacioni saudit vizituan Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë, ku u pritën nga prof. Ahmet ef. Rama dhe stafi edukativo-arsimor, si dhe më pas patën rastin të takohen dhe të bisedojnë edhe me nxënësit e Medresesë.
Delegacioni saudit nesër pritet që të ketë takim me krerët shtetëror të Kosovës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava po merr pjesë në sesionin e 23-të të Bordit të Lartë të Akademisë së Jurisprudencës Islame

Prishtinë, më 20 prill 2024 Në Riad të Arabisë Saudite, ka filluar punimet sesioni i 23-të…