Më 21 shtator, organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame (IHSI), që vepron në kuadër të BIK-ut, u mbajt Konferenca shkencore me titull: “Një shekull nga botimi i përkthimit të Kuranit prej Ilo Mitkë Qafëzezit.” Në këtë Konferencë morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar ef. Spahiu, Reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu, studiues, akademik, hulumtues e dashamirës të shkencës nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
Në emër të Këshillit organizativ të Konferencës, foli Vedat ef. Sahti, i cili tha se kjo Konferencë po mbahet në shënimin e 100 vjetorit të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe nga rilindësi ynë i shquar Ilo Mitkë Qafëzezit, ku përmes kësaj Konference nga IHSI-ja, si asnjëherë deri tani, ri sjell për studiuesit e fushave të ndryshme nismën e parë serioze për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri Bajgora, theksoi se në kuadër të objektivave dhe punës së IHSI-së, bënë pjesë edhe organizimi i konferencave të këtilla shkencore siç është kjo Konferencë e sotme “Një shekull nga botimi i përkthimit të Kuranit nga Ilo Mitkë Qafëzezi”. Ç ‘është e drejta, kjo Konferencë, do të synojë që ta trajtojë sa më gjithanshëm aspekte të ndryshme të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe nga Ilo Mitkë Qafëzezi. “Gjithsesi 100 vjet të nismës dhe botimit të parë të Kuranit në gjuhën shqipe është një ngjarje që meriton të shënohet e të analizohet me qëllimin e përbashkët që të ofrohen përgjigje sa më të qëndrueshme lidhur me këtë nismë dhe me këtë botim të parë të Kuranit në gjuhën shqipe. Popujt e qytetëruar kane ecur përpara në saje të vëmendjes që kanë treguar për të kaluarën e tyre dhe mirënjohjes për kontributin e pararendësve të tyre. Duke dashur që fjalën për çështjet që lidhen me përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe nga Ilo Mitkë Qafëzezi, t’ua le studiuesve kompetentë pjesëmarrës në këtë Konferencë, më lejoni që edhe një herë t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe po ashtu t’ju ftojë të gjithëve që t’i dilni krah punës dhe mbarëvajtjes shkencore të Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame” – tha Bajgora.
Kryetari i BIK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku pos të tjerash tha se ky aktivitet i kushtohet një përvjetori të rëndësishëm për kulturën dhe historinë tonë. “Me këtë rast, falënderoj Institutin për Hulumtime dhe Studime Islame, që kanë ndërmarr këtë hap për të shënuar 100 vjetorin e daljes në dritë të përkthimit të pjesshëm të Kuranit nga rilindësi ynë i shquar Ilo Mitkë Qafëzezi, në formën më të mirë, duke organizuar Konferencë shkencore kushtuar kësaj vepre. Vepra e Qafëzezit, e botuar dhe realizuar në një kohë delikate e plot kthesa për popullin tonë, një vepër e realizuar nga një bashkëkombës yni ortodoks për vëllezërit e tij myslimanë, për çudi as në të kaluarën e as sot, nuk ka marrë vëmendjen e merituar të studiuesve që merren me historinë e literaturës shqipe. Ai përmendi se ndonëse një vepër e tillë në fushën e përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe tashmë është tejkaluar, ajo pa diskutim mbetët një ndër veprat më të rëndësishme për kohën kur është botuar dhe për qëllimin që ka mbartur si vazhdimësi e frymës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, andaj mbetet detyrë e studiuesve tanë që këtë vepër ta trajtojnë shkencërisht dhe me kompetencë.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetari i KMSH-së, Bujar ef. Spahiu, si dhe reisi i BFI-së në RMV, hfz. Shaqir ef. Fetahi.
“Përkthimi i Kuranit është një nevojë e myslimanëve në mbarë botën. Nisur nga kjo, edhe në gjuhën shqipe kemi përpjekje në këtë drejtim. Për shqiptarët, si edhe për popujt e tjerë, që nuk e kanë arabishten gjuhë të folur, ishte një nevojë urgjente përkthimi i Kuranit në gjuhët e veta amtare. Megjithëse në mënyrë të pjesshme, shikojmë një interesim të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe nga Ilo Mitko Qafëzezi, një shqiptar i krishterë ortodoks nga Korça. Ai në vitin 1921 bëri përkthimin e parë dhe të pjesshëm të Kuranit në gjuhën shqipe, duke iu referuar përkthimit të Kuranit nga George Sale, në gjuhën angleze. Megjithatë, është fakt se edhe para këtij përkthimi të Ilo Mitko Qafëzezit, në vitin 1894, pjesë dhe sure nga Kurani, i përktheu edhe shkrimtari i famshëm shqiptar Naim Frashëri me titull: “Thelb i Kuranit”, botuar në librin e tij “Mësime”, në Bukuresht” – tha ndër tjera, kryetari i KMSH-së, Bujar ef. Spahiu.
Në fjalën e tij përshëndetëse, reisi i BFI-së, Shaqir ef. Fetai, tha se: “Përkthimi i Kuranit famëlartë para plot 100 vjetësh, është një gjurmë e madhe faktografike për interesimin e shqiptarëve për t’ju ofruar sa më afër kuptimin e Fjalës së Zotit dhe domethënies e tij, për të ngritur vetëdijen e tij në kohë dhe hapësirë. Andaj, ky përkthim i Kuranit famëlartë nga I. M. Qafëzezit, hapi edhe më tepër dyert e përkthimit dhe kuptimit të fjalës kuranore dhe mbeti inspirim i gjallë për të ardhmen drejt përkthimeve që vijuan më pastaj nga Hafiz Ali Korça, Hafzi Ibrahim Dalliu, akademik Fetiu Mehdiu, H. Sherif ef. Ahmeti, H. Hasan ef. Nahi dhe shumë të tjerë.”
Më pas, Konferenca vazhdoi punimet, ku referuesit pasqyruan me studimet e tyre këtë ngjarje historike dhe fetare të kombit shqiptar.
Seanca e parë u kryesua nga Feti Mehdiu, Qazim Qazimi, Hysen Matoshi, ndërsa me kumtesa u paraqitën: Ramadan Shkodra: “Përkthimi i Kuranit nga Qafëzezi-akt i rëndësishëm për literaturën shqipe”, Sadik Mehmeti: “Ilo Mitkë Qafëzezi – përkthyesyni (histori e identitet)”, Zeqirja Ibrahimi: “Përkthimi i Kuranit të I. M. Qafëzezit – ngjarje e rëndësishme e kulturës dhe e filologjisë shqiptare”, Selim Sylejmani: “Ilo Mitkë Qafëzezi -përkthyes i parë i Kuranit në shqip”, Ziber Lata: “Vonimi i përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe”, Azmir Jusufi: “Përkthimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe dhe në gjuhët sllave” dhe Muhamed Mustafi: “Përkthimi i përkthimit”. Ndërsa seanca e dytë u kryesua nga Rahim Ombashi, Islam Hasani, Ziber Lata. Referuesit: Sabri Bajgora: “Leksiku islam në përkthimin e Qafëzezit”. Qazim Qazimi: “Gjuha e përkthimit të Kuranit nga Ilo M. Qafëzezi”. Abdurrahim Maxhuni: “Një vështrim gjuhësor përkthimit të Kuranit nga I.M. Qafëzezi”. Rahim Ombashi: “Sprova shekullore nga I. M. Qafëzezi si qasje kulturore në ngjizjen e ndërgjegjes kombëtare”. Isa Memishi: “George Sale dhe Ilo Mitkë Qafëzezi: Përkthimi i Kuranit në kontekstin historik”. Elez Osmani: “Ndikimi i përkthimit të George Sales në përkthimin e Ilo Mitkë Qafëzezit”. Seanca e tretë u kryesua nga Isa Memishi, Elez Osmani Sadik Mehmeti. Referuesit: Feti Mehdiu: “Kurani (Këndimi) i Ilo Mitkë Qafëzezit në burime të shkruara”. Hysen Matoshi: “Ilo Mitkë Qafëzezi-Rilindës”. Islam Hasani: “Ajetet që trajtojnë çështje ekonomike në përkthimin e Qafëzezit”. Fahrush Rexhepi: “Veprimtaria krijuese dhe botuese e Ilo Mitkë Qafëzezit”. Besnik Jaha: “Diskursi retorik dhe diskursi letrar në përkthimin e Kuranit të Ilo M. Qafëzezit”. Bashkim Mehani: “Aspekte teknike dhe estetike në botimin e përkthimin të Kuranit prej I. M. Qafëzezit”.