Prishtinë, 27 korrik 2014

Nesër është dita e parë e Fitër – Bajramit, e cila vjen si shpërblim i agjërimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, ndaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të organeve dhe institucioneve të saja, dhe në emrin tim personal, tu urojë festën e madhe të Fitër – Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh. që të na ketë pranuar agjërimin dhe adhurimin që e kemi bërë edhe gjatë këtij muaji të Kuranit.

Sinqeriteti dhe besnikëria janë vlera morale të pastra që shoqërojnë besimtarin në kryerjen e obligimeve që dalin nga Kurani, me qëllimin e vetëm të arrijë kënaqësinë e Allahut xh.sh. përmes agjërimit dhe adhurimeve tjera. Ata gjatë këtij muaji u sprovuan me besim e devotshmëri shpirtërore, duke iu përkushtuar edhe më shumë besimit që e ndien në shpirtin e zemrën e tij.

Besimtari e beson dhe e thotë të vërtetën, ai e mban premtimin e dhënë Allahut xh.sh. duron vështirësitë dhe sprovat, i përgjigjet atij që është në nevojë, e ndihmon të dobëtin,e mëshiron të voglin, dhe kujdeset për mirësjellje vetëm për hir të Allahut. Për njerëzit e devotshëm Thotë Allahu xh.sh:

 

“Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër” El-Insan -8.

 Të mos largohemi  nga kjo botë pa shijuar më të mirën që ka kjo botë, e kjo është dashuria ndaj Allahut xh.sh. besimi e njohja e Tij. Kjo dashuri ndriçon zemrat me dritën hyjnore, gjuha  e njeriut nderohet me përmendjen e Allahut xh.sh. dhe gjymtyrët e njeriut zbukurohen me shërbimin ndaj Allahut të Madhërishëm.

Allahu xh.sh. thotë:

  “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre” .En-nah l:97

 

Vëllezër e motra!

Mëkatet e mëparshme të mos jenë pengesë e pendimit, kthehu, që jetës  ti japish kuptim e domethënie të vërtet,ngase këtë  jetë e krijoi i Madhi Zot. Dyert e kësaj feje universale për botën mbarë pa dallim kohe,gjuhe,race a vendi janë të hapura. Zoti është i mëshirshëm, e mëshirën e tij në raport me njeriun e tregon edhe me këtë ajet kuranor.

Allahu xh.sh. thotë:

 “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt”, Fusilet-34.

Ndaj edhe me rastin e kësaj feste të cilës i gëzohet çdo besimtarë,juve të respektuar e të nderuar vëllezër e motra, iu porosisë, që të  shtrini dorën e ndihmës te ata të cilat kanë nevojë, të varfrit, jetimët, njerëzit e shtyrë  në moshë që kanë mbetur pa përkujdesje, fëmijët e braktisur. Ti gëzojmë ata edhe gjatë kësaj feste ashtu siç i gëzuat me ndihmat e juaja edhe gjatë muajit të Ramazanit, ngase kështu po na thërret Allahu xh.sh. dhe Muhamedi  a.s.

 

Vëllezër e motra besimtarë!

Kur toka  po gjëmon nga shumë padrejtësi, ne të tregohemi solidar e zemërgjerë me njëri tjetrin. Kur nëpër botë po luftohet, ne të promovojmë paqe dhe harmoni. Kur ne dëgjojmë vajin e fëmijëve, shohim skena trishtuese të masakrave të njerëzve të pafajshëm,të këtyre fëmijëve të pafajshëm, kur ka humbur njerëzorja e arsyeja, kur mbizotëron padrejtësia dhe egoja nëpër rajonet e trazuara me luftë. Të mundohemi që këtë vajë ta shndërrojmë në buzëqeshje dhe përqafim të fëmijëve tanë, në mënyrë që ta kuptojmë dhembshurinë e fëmijëve të cilët  po masakrohen e vriten padrejtësisht,nga ata që e kanë për detyre të përkujdesën për ta, si në Siri, Irak, Mijan Mar e Gaza. 

Dita e nesërme e Fitër – Bajramit  është ditë kur besimtarët ndajnë gëzimin dhe shkëmbejnë urimet mes vete, duke e lutur Zotin që mëkatet e mundshme të na i falë, dhe bashkërisht të punojmë për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë.

Duke ditur se feja Islame dhe mësimet  e saja promovojnë: Dashuri, dhembshuri, falje, paqe, dhe të jetuarit sipas standardeve të larta morale të cilat i mbështet Kurani, duke përhapur, respekt, harmoni e kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pranë tij.

Të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës respektit të ndërsjellë edhe me besimet e tjera,që Kosova të jetë vend i harmonisë, bashkëpunimit të tolerancës e paqes. Islami është fe e cila iu është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit.

Ky është edhe mesazhi universal i cili del nga kuptimi i drejt i agjërimit të muajit të shenjët të Ramazanit, mesazh i cili në vazhdimësi troket në ndërgjegjen e njeriut për ta rizgjuar atë, në mënyrë që bota të përqafoi paqen.

 

Të nderuar e shumë të respektuar besimtarë!

Më lejoni që edhe njëherë tua uroi festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve në Kosovë dhe brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe të gjithë vëllezërve e motrave në mërgatën  tanë kudo që gjendën ata. 

Me fat festa e Fitër Bajramit!

 

*(Mesazhi i Myftiut të Kosovës për qytetarët e Kosovës me rastin e festës së  Fitër – Bajramit)

 

 

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…