Me emrin e Zotit Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Zotit të botëve, Atë e madhëron çfarë ka në tokë e çfarë ka në qiej, Ai është i Gjithëpushtetshmi, Absoluti.

Salatet e selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë, Muhamed Mustafasë, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnikë.

Të dashur besimtarë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Vëllezër e motra!

Sonte është natë e madhe, Nata e Fitër-Bajramit, me iftarin e së cilës besimtarët myslimanë përfundojnë agjërimin e muajit të madhëruar Ramazan dhe bëhen gati për të shënuar festën e Fitër-Bajramit, si një ndër festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman.

Agjërimi në islam është ibadet që kryhet në kohë të caktuar e me orar të caktuar, me norma e rregulla të caktuara, të cilin besimtarët e kryejnë vetëm për hir dhe kënaqësi të Krijuesit të Gjithësisë.

Përmes agjërimit, besimtari u afrua te Krijuesi, u bë edhe më i ndjeshëm ndaj familjes, rrethit e shoqërisë, më dorëlirë e solidar, si dhe më human e tolerant me familjen, nevojtarin e shoqërinë.

Muaji Ramazan në vete ka bartur momente e ibadete të veçanta, të cilat na kanë shoqëruar duke na fisnikëruar e urtësuar më nimetet e iftairit, syfyrit, namazit të teravive, pastaj lutjet e duatë si dhe veprat e hajrit që bëhen vetëm për Krijuesin.

Po ashtu, gjatë muajit Ramazan i kemi shtuar ibadetet e adhurimet, si dhe jemi kujdesur për tjetrin. Ishim më shumë pranë me të dashurve tanë, pranë njëri-tjetrit me ndjesinë për të dëgjuar e ndihmuar tjetrin.

Pas një muaji agjërimi, sakrifice e përkushtimi, nesër myslimanët kudo që gjenden festojnë festën e Fitër-Bajramit, të bindur që kanë kryer një nga kushtet që i ka obliguar Zoti i Madhëruar, e për të cilin ka premtuar që Ai do ta shpërblejë me shpërblim të veçantë.

Vëllezër e motra!

Festa e Fitër-Bajramit edhe te ne, si në tërë botën myslimane, është ndër festat më të dashura, më familjare e më popullore, e shtresuar thellë në identitetin e kulturën e popullit tonë.

Festa e Bajramit si asnjë festë tjetër, sjellë gëzim, ngrohtësi e qetësi shpirtërore, për të gjitha kategoritë e shoqërisë pa marrë parasysh moshën, gjininë, statusin social e shoqërorë.

Është festë që ofron prindërit më fëmijët, fëmijët me prindërit, të rinjtë me të moshuarit, të pasurit më të varfrit, festë që e ndien dhe e përjeton e gjithë shoqëria.

Vëllezër e motra

Edhe këtë Ramazan, si edhe Ramazanin e vitit të shkuar, e rrjedhimisht edhe këtë Bajram, po e presim të përballuar me pandeminë Covid-19, e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshet.

Në këtë natë të madhe, e në vigjilje të festës së Fitër-Bajramit kujtojmë me rahmet të gjithë ata që kaluan në Ahiret, duke lutur Krijuesin që t’i marrë në mëshirën e Tij, ndërsa të infektuarit të gjejnë shërim sa më parë.

Ne, nesër kemi festë dhe bashkërisht do të jemi në xhamitë për ta falur namazin e Fitër-Bajramit, por të kemi kujdes se virusi ende është në mesin tonë, andaj për ta ruajtur vetën e shëndetin publik, ne kemi hequr dorë nga ana ceremoniale e manifestimit tradicional të Bajramit. Në xhami do të jemi duke i respektuar protokollet anti-covid dhe për ta falur vetëm namazin e Fitër-Bajramit.

Ju ftoj që të bëni kujdes edhe me vizitat tradicionale të Bajramit, do ta ruajmë karakterin e festës, do të jemi pranë njëri-tjetrit, por do të kemi kujdes për shëndetin publik sepse rreziku nga pandemia nuk ka kaluar.

Vëllezër e motra

Duke lutur Zotin që ta ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët tona të mira, kudo që jeni ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve Festën e Fitër-Bajramit.

Me hajr e me të mira na qoftë Fitër-Bajrami!

Prishtinë, 12 maj 2021                                     

Myftiu i Kosovës

Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…