Në Shkup, më 4-5 prill, organizuar nga Bashkësia Fetare Islame në bashkëpunim me Bankën Islame për Zhvillim dhe Ministrin e Vakëfit të Kuvajtit u mbajt Seminari Ndërkombëtarë me temë: “Menaxhimi me vakëfin, investimet dhe sfidat”, i cili ka për qëllim të kontribuojë për përgatitjen e një lidershipi të ri, të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të rendit të ri botëror, në nivele nacionale, rajonale, evropiane dhe globale, për sa i përket mënyrës se re të menaxhimit me pronën e vakëfit të Bashkësive Fetare Islame në Evropën Juglindore.
Në hapjen solemne të seminarit qenë të pranishëm Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi, përfaqësues nga Banka Islame për Zhvillim, Dr. Abdulkader Shashi, Ministria e Vakëfit të Kuvajtit, si dhe përfaqësuesit e Bashkësive Islame të Shqipërisë, Kosovës, Turqisë dhe Bosnjës, si dhe të ftuar të tjerë.
Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës në këtë seminar e përfaqësoi këshilltari i myftiut Vedat Sahiti dhe Ramadan Shkodra nga Shërbimi për Informim.
Gjatë dy ditëve të seminarit përfaqësuesit më kumtesa nga shtetet pjesëmarrëse si nga Turqia, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Maqedonia shpalosën përvojat e tyre në menaxhimin e vakëfeve si dhe sfidat me të cilat përballen .
Gjatë qëndrimit në Shkup, pjesëmarrësit e seminarit vizituan institucionet e BFIM , si medresenë “Isa Beu”, Fakultetin e Teologjisë si dhe disa xhami të Shkupit.