Prishtinë, 8 tetor 2012

 


Me një ceremoni madhështore, në të cilën merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, presidentja znj. Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri i Kosovës , Hashim Thaçi, pastaj përfaqësuesit e bashkësive fetare, ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, peshkopi i kishës ortodokse serbe për Kosovë, Teodosije, prijësit e bashkësive islame nga Shqipëria e Maqedonia, haxhi Selim Muça dhe Sulejman Rexhepi, ministra, ambasadorë,  përfaqësues të spektrit politik e jopolitik, si dhe shumë besimtarë nga të gjitha rrethet e vendit, u bë hedhja e gurthemelit për xhaminë Qendrore në Prishtinë.

 

Duke iu drejtua të pranishmëve, presidentja e vendit- znj. Atifete Jahjaga, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, ndër të tjerat, tha: “Feja në Kosovë, sot është një promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe solidaritetit mes njerëzve, është urëlidhëse mes të gjitha komuniteteve. Ajo mund të ndërtojë të sotmen e përbashkët, duke hapur rrugë të së ardhmes për shtetin tonë gjithëpërfshirës.
Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë.
Ju përgëzoj ju besimtarë për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie me urimin që devotshmëria juaj dhe solidariteti që tregoni ndaj njëri tjetrit të shpërblehet me gjetje të paqes shpirtërore”.
Myftiut Tërnava, pasi përshëndeti e falënderoj të pranishmit për në fillim të fjalës së tij, tha: “Jemi mbledhur sot këtu për të vënë gurthemelin e xhamisë qendrore, një objekt që i ka munguar kryeqendrës sonë prej kohësh, një objekt që u ka munguar besimtarëve tanë, një objekt që u ka munguar të rinjve tanë, një objekt që na ka munguar të gjithëve.
Ndërtimi i xhamisë në kryeqytetin tonë, ka qenë nevojë e kahershme, por rrethanat nëpër të cilat kaloi Kosova dhe regjimet, sistemet dhe ideologjitë që njohu vendi ynë, jo që nuk ishin në favor të ndërtimit të xhamive a faltoreve të tjera, por, për më tepër, edhe ato që i kishin ndërtuar të parët tanë dhe na i kishin lënë trashëgim, na i dhunuan, na i përbuzën, na i tjetërsuan dhe na i shkatërruan”.

Më pas, Myftiu ka folur për historikun e xhamive e faltoren që kanë pasur gjatë histrorisë së njerëzimit, si dhe për rëndësinë e vlerën që kanë xhamitë në Islam.
“Besimtarët tanë qysh herët ndërtuan xhami për të falënderuar, për të madhëruar dhe për të adhuruar Zotin e tyre. Duke i ndërtuar ato, ata na lanë një trashëgimi të pasur me vepra madhështore  që u bënë pjesë e qytetërimit tonë  në veçanti, dhe atij botëror në përgjithësi, si xhamia e Haxhi Et’hem Beut në Tiranë, Xhamia e Pashës në Tetovë, Xhamia e Sinan Pashës në Prizren, Xhamia e Hadum Agës në Gjakovë, xhamia e Çarshisë në Prishtinë etj.
Në ambientet e këtyre Shtëpive të Zotit zunë fill dhe u zhvilluan edhe shumë ngjarje me rëndësi jetike për popullin dhe vendin tonë, duke u vënë kështu në shërbim të çështjes kombëtare. Ato përveçse si xhami u shndërruan në shkolla e kuvende burrash, nga aty dolën dhe i prinë popullit ulematë e atdhetaret tanë të spikatur, që u vunë në ballë të proceseve të rëndësishme historike, politike e kombëtare. Le të kujtojmë këtu Haxhi Ymer Prizrenin, Haxhi Zekën, Vehbi ef. Dibren, Hoxhë Kadri Prishtinën, Mulla Idriz Gjilanin e shumë të tjerë”- tha myftiu Tëranva.
 Në fund të fjalës së tij myftiu Tërnava tha: “Ndërtimi i xhamisë që po e nisim sot, do të jetë një projekt madhështor, një projekt që në vete ngërthen vlerat e këtij populli të shprehura ndër shekuj, një gërshetim i tradicionales dhe bashkëkohores. Një objekt që do t’i bëj nder Prishtinës dhe qytetarëve të saj në veçanti, dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi. Kjo xhami do t’ia shtojë hijeshinë kryeqytetit tonë, do ta plotësoj mozaikun kulturor dhe fetar të kryeqytetit.
Për ta realizuar këtë projekt konform kërkesave dhe nevojave të besimtarëve tanë dhe të qytetit të Prishtinës, për ne është e nevojshme përkrahja e qytetarëve tanë, ekspertëve të fushave të ndryshme, institucioneve, njerëzve të biznesit, bamirësve e vakëflënësve tanë, është e nevojshme mbështetja, kontributi, përkrahja dhe ndihma juaj, qoftë me këshilla, me fjalë, me zemër, me dua, si dhe me mjete materiale”.

Duke uruar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të pranishmit, kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se ka një kohë të gjatë që Prishtinës i ka munguar një xhami e këtyre përmasave, për të siguruar hapësirë të mjaftueshme që besimtarët të kryejnë në kushte optimale ritet fetare. Ai tha se e drejta e fesë është e garantuar me Kushtetutën tonë, prandaj duhet krijuar edhe kushtet e ushtrimit të besimit të qytetarëve.
“Qytetarët e Kosovës, historikisht, i ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe e bashkëpunimit ndërkonfesional. Bashkëjetesa e feve të ndryshme në Kosovë është një vlerë e ruajtur ndër shekuj dhe që duhet kultivuar edhe në të ardhmen”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se feja dhe besimi kanë qenë dhe do të jenë faktorë fisnikërimi për njerëzit
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pasi uroj vënien e gurthemelit të Xhamisë në Prishtinë, duke thënë se edhe pse Kosova është shteti më i ri në Botë, populli i Kosovës ka një traditë të gjatë të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
“Kosova shtet i ri, mirëpo është një shembull për rajonin dhe botën për harmonin ndërfetare. Ky fakt bëhet edhe më i rëndësishëm kur në kohën e sotme çështja e bashkëjetesës së kulturave dhe feve është një ndër sfidat më të rëndësishme që po kapërcen bota jonë në saje të procesit të globalizmit, i cili ka ofruar dhe ngjitur dallimet kulturore dhe fetare”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Urimit për vënien e guthemelit të Xhamisë qendrore në Prishtinë, iu bashkëngjit edhe kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili, përveç tjerash, theksoi se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu i Kosovës shtroi iftari për nder të Fitores së Bedrit

Prishtinë, më 27 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…