Ballina Lajme Sekretari i përgjithshëm i BIRK-ut, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Matiqanit

Sekretari i përgjithshëm i BIRK-ut, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Matiqanit

Prishtinë, 24 maj 2019

Aktivitetet për nder të muajit të bekuar të Ramazanit, të organizuara nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot vazhduan me përçimin e mesazhit të hytbes së xhumasë në disa komuna të Kosovës.

Në xhaminë e Matiqanit, për t’iu drejtuar xhematit me mesazhin e xhumasë, i pranishëm qe sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së BIRK-ut, Ahmet ef. Sadriu.

Tema e tij kryesisht u fokusua në dhjetë netët e fundit të muajit të Ramazanit, si dhe në përgatitjen shpirtërore që duhet pasur njeriu për t’i kaluar këto net, e që në të cilat gjendet edhe Nata e Kadrit.

“Fillimisht, më lejoni që emër të Myftiut Tërnava, si dhe në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, t’u përshëndes, me lutjet që mëshira, rahmeti dhe bereqeti i Zotit të mbretërojë mbi ne dhe mbi familjet tona. Dalëngadalë po i afrohemi fundit të muajit të bekuar të Ramazanit, ndaj lusim të madhin Zot, që të na i ketë pranuar këto ditë agjërimi, si dhe të na i pranojë duatë, namazet, lutjet tona, e të na bëjë të dalim para Zotit ballëhapur dhe faqebardhë, pa frikë dhe pa dëshpërim.”

Duke folur për veçimin dhe begatitë e muajit Ramazan, sekretari Sadriu tha: “… Allahu e dalloi këtë muaj, duke e shpallur në të Kuranin, në të na obligoi edhe me një ibadet tjetër shtesë, e që është agjërimi. Po ashtu në këtë muaj, Allahu na i hapi dyert e xhenetit, e na i mbylli dyert e xhehenemit, na porositi me namaz të teravive etj. Pejgamberi a.s. rreth këtij muaji ka thënë se: “Pjesa e parë është rahmet, pjesa e dytë është falje, ndërsa pjesa e tretë është largim nga zjarri i xhehenemit.” Andaj veçse po hymë në pjesën e tretë, në të cilën gjendet një natë, e që është më e vlefshme sesa njëmijë muaj.”

Në ligjërimin e tij, sekretari Sadriu, një kujdes të shtuar i kushtoi Natës së Kadrit, e që për të tha se: “Në këtë muaj, Allahu e veçoi një natë, të cilën e vleftësoi me më shumë se njëmijë muaj, atë natë e zbriti Kuranin, e më pas e zbriti te Muhamedi për 23 vjet, në bazë të nevojave dhe shkaqeve. Në këtë natë, zbresin melaqet e Allahut në tokë, e në krye të tyre, zbret edhe Xhibrili a.s. për të përcjellë angazhimet e ymetit të Muhamedit a.s.. Çdo vepër në këtë natë, ka vlerën e njëmijë muajve. Se si kalohen këto dhjetë net të bekuara të Ramazanit, shembullin më të mirë e kemi te Pejgamberi a.s., i cili në këto net mbyllej në xhami për të bërë itikafin, i përkushtohej me tërë qenien e tij Allahut xh.sh., sa që Aisheja r.a. tregonte se, edhe këmbët e Pejgamberit a.s. filluan që t’iu ënjteshin në ibadet Allahut. Qëllimi i krejt kësaj është që ne ta takojmë Natën e Kadrit. Në pyetjen e Aishes r.a., drejtuar Pejgamberit a.s., që nëse e takoj këtë natë, çfarë të them? Pejgmaberi a.s. tha: “O Allah, Ti je falës, e do faljen, më fal mua.”

Krejt në fund, sekretari Sadriu porositi që të shtojmë edhe më ibadetet në këto dhjetë net të fundit, të shtojmë sadakanë, të nxjerrim zeqatin, që ta realizojmë edhe një prej obligimeve të fesë islame. “Allahu në Kuran na porosit në mbi 70 vende që karshi faljes së namazit, të japim edhe zeqatin. Lusim Allahun e Madhëruar që të na e pranojë agjërimin, namazin, lutjet, leximin e Kuranit, të na mundësoj që ta arrijmë Natën e Kadrit, si dhe të na bëjë që ditën e Bajramit, të dalim me fytyra të ndritura dhe me devotshmëri edhe më të madhe.”

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu vizitoi ambasadën e Kosovës në Rijad

19 nëntor 2019 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë dit…