E nderuar familje Lata

Të nderuar drejtues të Dibrës

Të nderuar udhëheqës e drejtues të Bashkësisë fetare islame  të Maqedonisë e posaçërisht ju të Myftinisë së Dibrës

Miq e shokë të rahmetliut

Qytetarë të Dibrës

Të nderuar të pranishëm

Sot jam këtu në mesin tuaj që të ndaj dhimbjen së bashku më ju me rastin e kalimin në ahiret të kolegut tonë të shtrenjtë profesorit, myftiut, e kryetari tonë të shquar Ruzhdi Lata, andaj me lejoni që t’ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta në emër  të Bashkërisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, duke ndarë me ju dhembjen si dhe duke lutur Zotin që rahmetliun ta marrë në mëshirën e tij.

Lindja, jeta dhe vdekja janë vetëm në kompetencën e të Madhit Allah, e Ai, Allahu i madhëruar kaq i paska dhënë jetë mikut tonë të shtrenjtë, Ruzhdi Latës.

Familja, farefisi , Dibra e Prishtina gjithherë do e kujtojnë profesorin Ruzhdi si një njeri të përkushtuar, ambicioz, njeri i edukuar e i formësuar në frymën kombëtare e fetare.

Ai do kujtohet si nxënës e student i zellshëm, si profesor i përkushtuar, si myfti i dalluar, e së fundi si udhëheqës i dashur e i respektuar i Dibrës dhe jo vetëm saj.

Profesor Ruzhdiu pavarësisht në çfarë detyre a pozite u gjet ai asnjëherë nuk kurse asgjë nga vetja që të bëjë më të mirën për komunitetin, xhematin, besimtarët, studentët e qytetarët qoftë në Dibër, Shkup apo Prishtinë.

Ai për program jete pati Kuranin, synetin e Resullulahit, pastaj platformën e rilindësve të shquar e sidomos për yrnek pati prijësin tonë të madh Haxhi Vehbi Dibrën.

Përveç këtyre profesor Ruzhdiu, një kontribut të çmuar ka dhënë edhe për fushën e shkencës, kulturës e letërsisë, sidomos në fushën e islamistikës dhe orientalistikës.

Ne sot po ndahemi fizikisht nga kolegu ynë Ruzhdiu, mirëpo kujtimi për të do jetë gjithherë i freskët, veprat e tij do të jetojnë në mesin tonë, veprimtaria e tij prej atdhetari të flakët do jetë pjesë e historisë sonë, si dhe angazhimi për ngritjen e jetës fetare, infrastrukturës se Myftinës do zënë vend meriton në  historikun e Bashkësisë Islame.

Të nderuar të pranishëm, me lejoni edhe një herë që të ndaj dhembjen me ju, familjes Zoti sabër e gajret dhe të jenë krenar me birin e tyre i cili tërë jetën qe në shërbim të fesë e atdheut. Ndërsa qytetarët e Dibrës dhe të të gjitha trojeve shqiptare sot po ndahen nga një pedagog, udhëheqës e drejtues i shquar ta kujtojnë e nderojnë  gjithherë ashtu siç e meritonte rahmetliu.

Zoti e gradoftë me Xhenet mikun tonë të shtrejt Ruzhdi Latën!

 

Dibër                                                                           Myftiu i Kosovës

25 nëntor 2018                                                            Naim ef. Tërnava
Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në manifestimin “Pejgamberi a.s. dhe rinia”

I nderuari kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Dijanetit të Turqisë, prof. dr. Ali …