NË HISTORINË TONË KOMBËTARE MIGRIMI ËSHTË MË SE I NJOHUR, TE NE AI U PËRSËRIT NDËR VITE E PERIUDHA TË NDRYSHME*

Mbrojtja e All-llahut qoftë mbi ne, nga intrigat e djallit dhe aleatëve të tij!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Të Madhit Zot, Krijuesit të botëve. Salavatet, selamet, bekimet e All-llahut dhe përshëndetjet tona qofshin mbi zotëriun tonë, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij të bekuar, mbi shokët e tij të urtë, dhe pasuesit e tij të ndershëm.

Të nderuar të pranishëm, mirë se erdhët, dhe më lejoni që t’ju përshëndes me përshëndetjen islame: السلام عليكم و رحمة الله و بركاته (Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju!)

I nderuar kryetar i Kuvendit të BI-së,
I nderuar dekan i Fakultetit të Studimeve Islame,
Të nderuar profesorë dhe dashamirës të fjalës së shkruar,
Të nderuar mysafirë, dhe ju të pranishëm!
Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të myftiut Naim ef. Tërnava, organeve dhe institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës, t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju dëshiroj mirëseardhje dhe sukses në këtë Sesion shkencor, të organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame.
Përgëzoj organizatorin, Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, që ka ndërmarrë këtë nismë për trajtimin e çështjes së migrimit, duke vështruar nga aspekti historik dhe ai aktual, migrim ky që po gëlltit një pjesë të popullit tim, dhe atë pjesën më vitale të tij.
Në fillim dua të ritheksoj faktin se fenomeni i migrimit – hixhretit siç njihet tek ne myslimanët – pra lëvizjes së njerëzve për shkaqe dhe arsye të ndryshme, është i vjetër po aq sa edhe vetë njerëzimi.
Madje, ky fenomen është aq i hershëm edhe sa vetë shfaqja e njeriut në tokë. Thënë shkurt, ky fenomen daton nga vetë Ademi a.s. – njeriu i parë dhe babai i njerëzimit, i cili migroi nga xheneti – parajsa, në këtë botë, ku tani jetojmë.
Migrimi; ky fenomen është i mirënjohur në traditën e gjithë pejgamberëve – të dërguarve të Zotit, pra edhe në traditën e Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., përgjithësisht njihet si “Hixhret”, me të cilin në historinë islame fillon një periudhë e re, dhe u bë datë e shënuar me të cilën fillon edhe njësimi i kalendarit islam ose kalendarit hixhri.

Të nderuar të pranishëm, të respektuar njerëz të dijes – studiues të vlerave!
Edhe në historinë tonë kombëtare migrimi është më se i njohur. Ai u përsërit ndër vite e periudha të ndryshme, dhe u karakterizua me shkaqe, arsye, rrethana dhe pasoja të ndryshme, nga njëra periudhë në tjetrën. Me gjithë dhimbjet dhe ndjesitë që ka sjellë migrimi në popullin tonë, ç’është e vërteta, ishte pikërisht kjo pjesë e ndarë nga trungu ynë që kurrë nuk e harroi vendin e vet dhe kontribuoi dukshëm në mbijetesën dhe çlirimin e atdheut. Nuk mund të lë pa përmendur këtu mërgatën shqiptare në Turqi – Stamboll e gjetkë, në Sofje, Bukuresht, Egjipt-Misir, Liban, Siri, Jordan, ShBA, Evropë, Australi e vende të tjera, të cilët ishin zëri më i fuqishëm i atdheut të tyre.
Ç’është e vërteta, vendi ynë edhe këto ditë po përballët me migrimin, që për shumëkënd është i pashpjegueshëm dhe i paarsyeshëm. Natyrisht që ky fenomen ka shkaqet, rrethanat dhe pasojat e veta, e për të dhënë fakte dhe shpjegime për të gjitha këto sigurisht që më meritorët dhe më kompetentët janë hulumtuesit – njerëzit e dijes, studiuesit e mirëfilltë, pjesëmarrës në këtë sesion shkencor, të cilët do ta thonë fjalën e tyre.
Shpresojmë që ky tubim i sotëm të jetë një hap i mirë për ndriçimin dhe trajtimin e këtij fenomeni, dhe përfundimisht i bereqetshëm për popullin dhe vendin tim.
Shpresoj që këtë tubim ta mbulojnë melaqet – engjëjt më krahët e mëshirës dhe lutjes së tyre, që ju dhe të gjithë ne të jemi të shpërblyer prej Allahut.
Duke ju përshëndetur me selam, ju uroj punë të mbarë!

Ju faleminderit!

*Fjala përshëndetëse e zëvendëskryetari të Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat ef. Mexhidi, mbajtur në Sesionin shkencor “Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat – 1912/2015”, Prishtinë, 28 shkurt 2015.

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…