Të nderuar studiues dhe pjesëmarrës të këtij sesioni shkencor,
Te nderuar përfaqësues të Qeverisë së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të BIK-së,
Të nderuar përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj!

Është kënaqësi e veçantë për mua, që në emër të Fakultetit të Studimeve Islame, stafit akademik dhe në emër të të gjithë studentëve, t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë sesion shkencor, me temë: “Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat – 1912-2015”, organizues i të cilit është Fakulteti i Studimeve Islame, i ndihmuar edhe na BIK-ja.
Unë vlerësoj se organizimi i sesioneve shkencore dhe i debateve me pjesëmarrjen e shumë studiuesve dhe personaliteteve nga Kosova dhe jashtë, për elaborimin dhe studimin e temës së migrimit të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjitha trojet etnike shqiptare, është shumë i rëndësishëm dhe i mirëpritur. Organizimet e tilla janë të rëndësishme veçmas sot, kur Kosova po zbrazet për çdo ditë e më shumë nga qytetarët e saj, e veçmas nga rinia e saj, edhe pas 15 vjet çlirimi nga pushtuesi shekullor serb, dhe 8 vjet pas pavarësisë.
Të nderuar pjesëmarrës, ne të gjithë e dimë se fenomeni i migrimit të shqiptarëve është njëra ndër plagët e hershme e historisë së kombit shqiptar, që ka kaluar nëpër disa etapa historike. Populli shqiptar gjithnjë ka pësuar si rezultat i shpërnguljes së një pjese të konsiderueshme të tij në drejtime të ndryshme, shpeshherë të panjohura dhe në rrugë pa kthim në trojet etnike.
Vetëm në periudhën e viteve 1918-1941, si rrjedhojë e politikës kolonialiste serbe, nga Kosova u shpërngulën rreth 240.000 shqiptarë. Ndërsa në periudhën e viteve 1950-1966, si pasojë e po asaj politike serbosllave, u shpërngulën rreth 400.000 shqiptarë.
Sipas studiuesve dhe njohësve të kësaj fushe, shpërnguljet në këto periudha historike kanë ndodhur kryesisht si shkak i dhunës, pushtimeve, persekutimeve, varfërisë dhe presioneve të ndryshme që i kishe përjetuar populli shqiptarë nga ardhacakët.
Mirëpo, eksodi i ikjes së shqiptarëve nga Kosova, i cili në këtë dimër të pakënaqësive të mëdha dhe pikërisht në prag të 17 shkurtit, ka arritur shifra alarmante dhe është i dhimbshëm dhe i pakrahasueshëm me periudhat e mëhershme. Madje, sociologët dhe psikologët këtë dramë dhe këtë gjendje e shohin si një tragjedi kombëtare dhe si baraspeshë me tragjedinë e kombit. Ata thonë se një ditë edhe gjuha që e ruan dhe e mban një komb dhe një identitet kombëtar do të tretet. Prandaj, këtu mund të vihet deri te konstatimi se braktisja e tokës tënde është një nga rrugët më të shkurtëra të shfarosjes së kombit dhe tjetërsimit kulturorë të tij”.
Nëse nuk merren masa sa më shpejt dhe me urgjencë, për t`a ndaluar këtë eksod dhe për t`i kthyer sërish të shpërngulurit në Kosovë, duke ua garantuar një jetë më të mirë, atëherë këta të rinj dhe këto familje shqiptare më nuk do të kthehen në Kosovë. Nuk do të kthehen sepse migrimi masiv i sotëm është një refleks i mllefit dhe i revoltës, pasi që populli 15 vjet me radhë është duke pritur një të ardhme më të ndritur dhe një jetë më të mirë, si në aspektin ekonomik social, ashtu edhe në atë të punësimit, arsimimit dhe edukimit më të mirë.
Ne mendojmë se ky eksod i ikjes së shqiptarëve sot ka karakter krejtësisht tjetër nga periudhat tjera të migrimit. Tani popullata jonë po migron për të mos u kthyer më, ashtu siç ndodhi me shqiptarët në Shqipëri, gjatë vitit 1991-1992.
Në vitin 1999 mëse një milion shqiptarë të Kosovës e braktisën vendin, por me shpresë që pas çlirimit të kthehen në Kosovë. Pas ndërhyrjes së NATO-së dhe largimit të ushtrisë serbe ata shumë shpejt u kthyen me shpresë për një jetë më të mirë. Kurse tani, kur ëndrra e tyre nuk u realizua, banorët e Kosovës po e lëshojnë vendin e tyre të zhgënjyer, të demoralizuar dhe me shpresë të thyer. Të thyer moralisht ata nuk shohin perspektivë as për vete e as për fëmijët e tyre. Ata nuk mund të pajtohen që deri në fund të kësaj bote të jenë shtresa e ultë e shoqërisë. Populli shqiptarë nuk luftoi për t’u çliruar nga pushtuesit serb, për të rënë nën sundimin e oligarkëve të vet. Këtu, me të drejtë, shtrojmë pyetjen se ç`u bë me idealizimin shqiptarë për liri, pavarësi dhe demokraci?! Një shekull sakrificë e përpjekje për t`u çliruar nga pushtuesi serb, e sot shqiptarët,  për të ikur nëpër vende të ndryshme të Evropës, kërkojnë pasaportë serbe apo kalojnë lirshëm me letërnjoftime nëpër tokën e Serbisë.
Për migrimin e shqiptarëve nga Kosova këtyre muajve shumë mirë ka funksionuar edhe plani mafioz, përfshirë këtu edhe shërbimet me përfitime të mëdha që po ofron Serbia.
Ne mendojmë se në këtë projekt është e implikuar drejtpërdrejt edhe Serbia, dhe atë për shkaqe më tepër politike, për të dëshmuar para botës dhe Evropës se shqiptarët edhe pas pavarësisë nuk mund të mbajnë shtet, nuk mund të krijojnë stabilitet politik e as ekonomik, dhe këta (shqiptarët) i shkaktojnë probleme edhe Evropës, edhe përmes eksodit të ikjes.
Në fund, duke e shpallur këtë sesion të hapur, mendojmë se trajtimi i kësaj teme të gjerë është një vlerë më shumë për zgjidhjen e këtij problemi të shoqërisë sonë, i cili ka nevojë për ndriçimin që vjen nga studiues mendjendritur, që merren me hulumtime dhe që sjellin të vërteta shkencore për të cilat të gjithë kemi nevojë.

*Fjala e hapjes e dekanit të FSI, prof. dr. Fahrush Rexhepi në Sesionin shkencor “Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat – 1912/2015”, e të mbajtur në Prishtinë, më 28 shkurt 2015.

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…