Ballina Fjalime Fjalimi i Myftiut Tërnava në takimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës

Fjalimi i Myftiut Tërnava në takimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës

Fjalimi i Myftiut Tërnava:

I nderuari z. Agim Gashi,

shef i Zyrës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë,

i nderuari z. Prenk Gjetaj,

kryesues i komisionit qeveritar për persona te zhdukur,

i nderuari z. Ibrahim Makolli,

kryesues i delegacionit të bisedimeve për personat e zhdukur,

nderuar kryetarë të këshillave të Bashkësisë Islame,

nderuar të pranishëm!

 

Tragjedia dhe vështirësitë nëpër të cilat kaloi Kosova dhe populli i saj gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX janë të njohura për të gjithë ne.

Duke filluar nga  mohimi i të drejtave elementare kombëtare, fetare  e gjuhësore, pastrimet me karakter etnik e fetar deri në gjenocid, vrasjet masakrat e  dhunimet,  ishin pjesë e terrorit shtetëror serb që ushtrohej ndaj popullit tonë të pambrojtur.

Kur vijmë te periudha e  pasluftës lirisht mund të themi se ajo periudhë nuk ishte aq e lehtë për popullin e Kosovës .

Populli ynë  ballafaqohej me vështirësi të mëdha që kishte lënë lufta dhe kryesisht mbizotëronte atmosferë solidariteti.

Është shumë e vërtetë se lufta kishte pushuar fizikisht, porse pasojat fatale që kishte lënë  pas  ishin  prezente në jetën e njerëzve dhe në ndërdijen e popullit.

Një nga problemet më të mëdha që nga paslufta e këtej padyshim se është edhe çështja e fatit të të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë, e cila akoma  vazhdon të jetë e pazgjidhur edhe sot e kësaj dite.

Ka varreza masive në Serbi, prej nga ende nuk janë kthyer të gjithë familjaret tanë,  pastaj fakti se  me rastin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe paramilitare serbe nga Kosova kishin marrë peng mbi 2150 shqiptarë ndër të cilët 13 femra e 35 të mitur. Po të marrim parasysh edhe shkatërrimet që i  kishin bërë gjatë luftës, këto të dhëna tregojnë më së miri se me çfarë katastrofe humane, sociale e ekonomike po përballej populli ynë që nga paslufta e këtej.

Megjithatë, populli ynë me një kurajo të pashoqe dhe falë ndihmës dhe përkrahjes së  bashkësisë dhe organizatave ndërkombëtare, ia doli që në masë të madhe t’i tejkalojë problemet që shkaktoi lufta dhe sot gjendja e popullit tonë është shumë e mirë në shumë aspekte edhe pse ende kemi vështirësi të shumta.

Me këtë rast më lejoni të përmend faktin se Bashkësia Islame e Kosovës me të gjitha institucionet e saj dhe kuadrin e vet sikur para dhe gjatë luftës që u vu në shërbim të popullit, po ashtu edhe pas luftës me një mobilizim të forcave dhe kuadrit u vu në shërbim të kauzës kombëtare duke dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për zbutjen dhe zgjidhjen e problemeve sociale e ekonomike të popullit tonë deri në realizimin e ëndrrës sonë shekullore.

Sa për ilustrim shkurtimisht të theksoj vetëm disa segmente të kontributit tonë në rrafshin humanitar, ku ne si Bashkësi Islame kemi dhënë mbështetjen dhe ndihmën  tonë  morale e  materiale:

Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha  rivarrimet anekënd Kosovës.

Këtu para jush  do  të përmend vetëm  rivarrimet  në komunën e Gjakovës, ku isha i shoqëruar nga të gjithë imamët e komunës së Gjakovës si në Mejë, Korenicë dhe në varrezat e martirëve në Çabrat, ku u bëmë thirrje institucioneve vendore dhe faktorit ndërkombëtar që të bëhet më shumë për zgjidhjen e çështjes  së të pagjeturve, si dhe për kthimin e mbetjeve mortore të të zhdukurve nga varrezat masive, që janë në Serbi, në tokën mëmë të Kosovës, ku edhe do të preheshin të qetë përjetësisht.

Me një fjalë, Bashkësia Islame e Kosovës qëndroi pranë familjarëve të të zhdukurve në çdo kohë, fillimisht duke qenë pjesëmarrëse në rivarrime, duke vizituar  familjet për ngushëllime, duke mbështetur  zyrën e organizatës joqeveritare “Thirrjet e Nënave”,  duke bashkëpunuar ngushtë me komisionin qeveritar për personat e zhdukur   dhe duke  përkrahur vazhdimisht në aspektin moral e material  familjarët e të zhdukurve nëpërmjet skemave sociale të shoqatës sonë “Bereqeti”.

 

Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon të japë kontributin e saj edhe në vetëdijësimin e popullatës së Kosovës për gratë e dhunuara në luftën e fundit në Kosovë.

Në vazhdimësi kemi bërë thirrje për sensibilizim dhe ndërgjegjësim të shoqërisë kosovare për detyrat dhe obligimet tona që kemi karshi kësaj shtrese të shoqërisë sonë.

Kemi apeluar nga  të gjitha xhamitë  e Kosovës, duke përgatitur tema të veçanta enkas për to, që gratë e dhunuara të mos jenë të stigmatizuara nga familjet dhe shoqëria në përgjithësi, t’u qëndrojmë afër, t’u ndihmojmë që t’i harrojnë ato vuajtje, plagë e dhembje shpirtërore, t’i respektojmë dhe t’u mundësojmë që të rikthehen në jetën normale pa brenga e shqetësime që i takojnë së kaluarës.

Në anën tjetër, janë realizuar aktivitete të ndryshme, tryeza të rrumbullakëta, seminare e të ngjashme në disa komuna të Kosovës, si në Gjakovë, Dragash, Gjilan, Podujevë, Prizren etj., me imamë dhe qytetarë për fuqizimin e rolit të gruas shqiptare në familje e shoqëri dhe për ndaljen e dhunës ndaj grave ne familje.

Meqë Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq merret edhe me monitorimin e qendrave të parandalimit dhe burgjeve më duhet të përmend faktin se Bashkësia islame e Kosovës  ka dhënë një kontribut të çmuar për rehabilitimin e të burgosurve dhe për parandalimin e radikalizmit në burgjet e Kosovës.

Dhe krejt në fund dua të theksoj para jush qëndrimin e palëkundur të  Bashkësisë Islame të Kosovës se ne, me përkushtimin më të madh, do të vazhdojmë punën tonë humane për një mirëqenie sa më të mirë të familjarëve të të zhdukurve deri ne kthimin e tyre në mëmëdhe, ngase kështu na mëson Kurani, kështu na mëson Pejgamberi a.s., kështu na kanë mësuar ulemaja jonë e ndritur.

Faleminderit!

Myftiu Naim TËRNAVA

Prishtinë, 20 mars 2018

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

URIMI I MYFTIUT PËR KURBAN-BAJRAM 2018

بسم الله الرحمـن الرحيـــم Me emrin e Allahut. Mëshiruesit, Mëshirëplotit! Të dashur qytet…