Prishtinë, 20 mars 2018

Organizuar nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) me seli në Gjenevë të Zvicrës; u mbajt një takim me kryetarët e këshillave të BIRK-ut që të kërkohet roli i autoritetit fetar për të ndihmuar të pagjeturit dhe të prekurit e luftës në Kosovë dhe për t’u lehtësuar dhimbjet dhe ankthin familjeve të cilave u mungojnë anëtarët e tyre qe 20 vjet. Në këtë takim, mori pjesë edhe vetë kryetari i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i cili në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve falënderoi për punën madhore që bën Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Kosovë, në veçanti për gjetjen e personave të pagjetur, pastaj falënderoi edhe kryetarët e këshillave të BIRK-ut që po japin kontribut në këtë drejtim duke kërkuar nga ta që të japin kontribut edhe më shumë në të gjitha proceset që çojnë Kosovën përpara për një mirëqenie sa më të mirë për të gjithë.

Ai më pas tha se tragjedia dhe vështirësitë që kaloi Kosova dhe populli i saj gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullin XX janë të njohura për të gjithë ne, duke filluar nga mohimi i të drejtave elementare kombëtare, fetare e gjuhësore, spastrimet me karakter fetare e etnik deri në gjenocid, vrasjet, masakrat e dhunimet, që ishin pjesë e terrorit serb që ushtrohej ndaj popullit tonë të pambrojtur. Periudha e pasluftës nuk qe e lehtë për popullin e Kosovës duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha që dolën pas luftës.

“Një nga problemet më të mëdha pas luftës e këndej është çështja e fatit të të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë, e cila vazhdon të jetë e pazgjidhur deri më sot. Ka varreza masive në Serbi, nga ku ende nuk janë kthyer të gjithë familjarët tanë. Gjatë tërheqjes së tyre, forcat ushtarake e policore serbe kishin marrë peng mbi dy mijë e njëqind e pesëdhjetë shqiptarë, në mesin e të cilëve 13 femra dhe 35 të mitur. Kur marrim parasysh edhe shkatërrimin që ia kishin bërë Kosovës, këto të dhëna tregojnë më së miri se me çfarë katastrofe humane, sociale e ekonomike po përballej populli ynë që nga paslufta e këndej”- tha Myftiu Tërnava.

Ai në vazhdim ka potencuar rolin dhe përkushtimin e BIRK-ut që me tërë potencialin e vet para dhe pas luftës u vë në shërbim të popullit. BIRK-u ka qenë afër familjarëve të të pagjeturve, duke vizituar familjarët dhe zyrën e organizatës joqeveritare “Thirrjet e nënave”, duke bashkëpunuar ngushtë me komisionin qeveritar për personat e pagjetur, duke i përkrahur vazhdimisht si në aspektin moral ashtu edhe në atë material familjarët e të pagjeturve nëpërmjet skemës sociale të shoqatës sonë “Bereqeti”, duke marrë pjesë rregullisht në të gjitha ceremonitë e rivarrimeve anekënd Kosovës dhe si Bashkësi Islame i kemi bërë thirrje faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar të bëjnë më shumë që të zbardhet fati i të pagjeturve si dhe për kthimin e mbetjeve mortore të të zhdukurve nga varrezat masive në Serbi për t’u kthyer në tokën mëmë, ku edhe do të preheshin të qetë përjetësisht. BIRK-u po ashtu ka dhënë kontribut të çmueshëm për rehabilitimin e të burgosurve dhe parandalimin e radikalizmit brenda burgjeve të Kosovës.

Myftiu Tërnava në fund tha se BIRK-u do të vazhdojë punën e tij humane me përkushtimin më të madh për një mirëqenie sa më të mirë të familjarëve të të pagjeturve deri në kthimin e tyre në mëmëdhe, ngase kështu na mëson feja jonë islame.

Në fund të këtij takimi, shefi i KNKK-së, z. Agim Gashi dhe stafi i tij, Kushtrim Koci, Iles Mudaev, Naim Imeri dhe të tjerë ofruan të dhëna në lidhje me aktivitetin e organizatës ICRS me përmasa botërore.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…