Resul Rexhepi
Të nderuar efendilerë,
Të nderuar dashamirë të fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe,
Të dashur miq e të ftuar,
Vëllezër dhe motra!
Es-Selamu alejkum!
Kam kënaqësi të veçantë që para këtij auditori të nderuar, në këtë vend të bekuar, t’u drejtohem me një fjalë rasti për promovimin e një vepre monumentale, dëshmi e një pune kolosale të një brezi të shquar të mendimtarëve fetarë shqiptarë e realizuar në një kohë historike e domethënëse për shtetësinë dhe kombin shqiptarë, e të cilën vepër e risjellë në një vëllim puna me plot përkushtim e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në të vërtetë, vëllimi i revistës “Zani Naltë”, të cilin po e promovojmë sot, përmbledh 20 numrat e parë me gjithsej 704 faqe të kësaj reviste që dolën në qarkun kohore midis viteve 1923-1925, dhe është vëllimi i parë në kuadër të kolonës së “Zanit të Naltë” që pritet të botohet në tërësi.
Të nderuar të pranishëm!
Botimi i këtij Vëllimi sot është i një rëndësie të veçantë edhe për faktin se përveç se na mundëson të njohim punën e vlefshme të paraardhësëve tanë, po ashtu na mundëson që ta vlerësojmë drejt e objektivisht frymën, pikëpamjet dhe qëndrimet e Komunitetit Mysliman Shqiptar karshi problemeve dhe nevojave të kohës, të shprehura përmes organit të tyre që i dhanë një emër sa simbolikë po aq edhe domethënës – “Zani i Naltë”.
Ribotimi i këtij vëllimi vjen si një ndihmesë e madhe edhe për komunitetet islame në trojet tona, të cilët tashmë kanë mundësinë e mirë që të njohin e të trajtojnë një pjesë të trashëgimisë së shkruar islame shqiptare në fillim të dekadës së dytë të shekulli të shkuar.
Përmbajtja e këtij vëllimi që po e promovojmë sot, sikundër edhe gjithë numrat e “Zanit të Naltë” paraqet një punë të shkëlqyer që ngërthen në vete vlera shumëdimensionale, si në aspektin kombëtar, fetar, kulturor, edukativ e historik. Kjo, sikurse shihet edhe në editorialin e numrit të parë të kësaj reviste, kishte qenë edhe qëllimi i drejtuesve dhe botuesit të kësaj reviste, ku thuhet se “Zani i Naltë” ka për qëllim: “…M’ia zbulue popullit mysliman shqiptar të vërtetën e besimit në një mënyrë të thjeshtë e të pandërlikume…, si dhe me plotësue vllazninë ndërmjet të gjithë elementeve në Shqipni”. Kjo me qëllim që, sikurse thuhet aty, “Me forcue themelet e nji politikes së shëndoshtë e të thjeshte kombëtare në Shtetin tonë”.
Që nga numri i parë e deri në numrin e fundit që doli në vitin 1939, drejtuesit e revistës “Zani i Naltë” i mbeten besnik dhe i kultivuan këto parime të shenjta e madhore.
Të nderuar pjesëmarrës!
Revista “Zani i Naltë” është një ndërmarrje e projektuar nga njerëz të mëdhenj, nga atdhetarë e ulema vizionar e largpamës, të cilët me punën e tyre dhanë kontribut të çmuar në shpjegimin e mësimeve të fesë islame drejtë dhe saktë dhe në bërjen e shtetit e formësimin e kombit. Është ky brezi i artë i prijësve të shquar myslimanë që lanë gjurmë të pashlyera në historinë tonë kombëtare dhe fetare, si Haxhi Vebi Dibra-hoxha që dhe fetvanë për aktin e shpalljes së Pavarësisë, e më vonë edhe themelues dhe kryetar i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ulematë e dëshmuar: Hafiz Ali Korça, Hafiz Ismet Dibra, Ismajl Maçi, Jonuz Bulej, Haki Sharofi, Ferit Vokopola, Qazim Hoxha, e shumë të tjerë, pa lënë anash këtu edhe personalitetet e tjera të mendimit politik, kulturore e letrar, siç ishte Mit’hat Frashëri dhe bashkëmendimtarë të tjerë. Kjo ka bërë që edhe 90 vjet pas, shkrimet që janë botuar në “Zanin e Naltë”, të mbesin prore aktuale dhe të tingëllojnë si të jenë thënë sot.
Të nderuar pjesëmarrës!
Duke shfletuar e lexuar faqet e revistës “Zani i Naltë”, lexuesi s’ka si të mos bindet se firmat e vena në këto shkrime u përkasin atyre dijetarëve që qenë njohës të mirë të mësimeve të fesë, kulturës e qytetërimit islam. Ata, përmes revistës “Zani i Naltë”, këto njohuri, i shprehen dhe ua ofruan lexuesve shqipfolës. Mirëpo, drejtuesit e revistës “Zani i Naltë” dhe bashkëpunëtorët e tyre, përveç se njihnin mirë mësimet fetare, ata njihnin mirë edhe traditën dhe historinë tonë. Ata e dinin se për çka kishte nevojë dhe çfarë i duhej shpirtit dhe mendjes së popullit shqiptarë në atë kohë. Ata ishin të bindur se ngritja e ndjenjës fetare dhe kombëtare në një kohë kur po sendërtohej kombi dhe po jetësohej shteti, ishte detyrim i tyre nga Zoti dhe nga gjaku. Prandaj, revista “Zani i Naltë”, s’kishe si të ishte tjetër veçse projekt i kolosëve të binomit Fe e Atdhe.
Pikërisht për këtë, nuk na habit fakti se themeluesit dhe penat e para të revistës “Zani i Naltë” qenë pjesëmarrës aktiv dhe patën rol aktiv në shpalljen e Pavarësisë, në krijimin e Shqipërisë së lirë e të pamvarme, në themelimin e Komunitet Mysliman Shqiptar, dhe më pastaj krijim e organeve dhe institucioneve të tjera, në nxjerrjen e të parës revistë islame në gjuhën shqipe. Ata me mprehtësinë e lapsit, thellësinë e mendjes, motivimin hyjnor e atdhetar, kultivuan mësimet për njohjen e Krijuesit, edukimin shpirtëror, motivin për atdhedashuri dhe kultivim të gjuhës e të kulturës shqiptare.
Të nderuar të pranishëm!
“Zani i Naltë” shtroi shtrat këtu e 90 vjet më parë, kur vendi gjendej përballë sfidave të mëdha. Mirëpo, megjithëkëtë, kjo revistë, falë drejtuesve të KMSH-së të saj kohe, arriti të bëhej një zë i fuqishëm i së vërtetës, vazhdimësi e frymës dhe mendimit të rilindësve tanë.
Tematika e lloj-llojshme dhe cilësia e tyre, niveli i lartë teologjik, shkencor e kulturor i bashkëpunëtorëve, e kanë bërë revistën “Zani i Naltë” të njohur dhe të çmuar brenda e jashtë vendit, si një organ që ka dhënë mësime e mesazhe diturie, paqe mirësie bashkëpunimi, mirëkuptimi e tolerance ndërfetare për të mirën e vendit.
“Zani i Naltë” qe një tribunë në të cilën gjetën hapësirën e duhur parashtrimi, analiza, diskutimi, dhe debati për marrëdhëniet shoqërore e familjare, për emancipimi e femrës myslimane, për qëndrimet ndaj hallallit e haramit, kuptimi i drejtë i civilizimit dhe progresit, lufta kundër veseve shoqërore etj.. Një segment të rëndësishëm revista i ka kushtuar kultivimit të mirëkuptimit e bashkëjetesës, në përputhje me parimet kombëtare pa cenuar ato fetare të asnjë feje a besimi.
Me një fjalë, përmbajtja e Revistës “Zani i Naltë” është një pasuri e çmueshme kulturore, është një traditë e bukur fetaro-atdhetare, është një ndihmesë e vyer në publicistikën e shkencën shqiptare në përgjithësi dhe në fushat islame në veçanti, sepse “Zani i Naltë” nuk ishte vetëm një tribunë për lëvizjen e mendimit islam në Shqipëri të cilës i dha trajtë, shpirt e formë, por është e rëndësishme edhe për vetë historinë e shtypit tonë kombëtar.
Këtë, me të drejtë, e ka vënë në dukje edhe profesori i historisë bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë, Roberto Maroco della Roca, i cili duke dhënë vlerësime për revistën “Zani i Naltë, në veprën e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri, 1920-1944″, konstaton, citoj: “Zani i Naltë” është një rrjedhojë për realizmin faktik të pavarësisë së shpallur më 1912… Revista ka tone të spikatura patriotike. “Zani i Naltë”, – thekson ky Profesor, – “jo pa një frymë triumfalizmi të vërtetë të fesë islame, nënvizon përhapjen e saj në tërë botën. Është për t’u shënuar këmbëngulja e revistës për sa i përket përhapjes së Islamit që po ndodhte në Perëndim, në Evropën që “ka humbur Perëndinë””.
Por jo vetëm kaq, roli i “Zanit të Naltë”, dilte edhe përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë së sotme. Në kohën kur doli kjo revistë, Kosova, krahinat shqiptare në Maqedoni dhe vise të tëra në Serbi e Mal të Zi, po kalonin një nga periudhat më të vështira, ata po vuanin nën sundimin e Mbretërisë Jugosllave, ku gjuha dhe mësimi shqip ishin rreptësisht të ndaluara. Megjithatë, edhe në këtë kohë u gjeten mënyra që literatura islame në gjuhën shqipe që botohej asokohe në Shqipëri të depërtonte në këto vise. Këtë e dëshmon fakti se në bibliotekat e ulemave tanë të mëhershëm kemi gjetur ekzemplarë jo vetëm të revistës “Zani i Naltë”, po edhe të botimeve të tjera të botuara nga Këshilli i Naltë i Sheriatit në Tiranë.
Të nderuar të pranishëm!
Megjithëse revista “Zani i Naltë” kishte krijuar identitetin e saj, dhe megjithëse kishte arritur të krijonte një masë të konsiderueshme të lexuesve, ajo për shkaqe subjektive më 1939 ndërpreu botimin e saj, për të lënë pas një bagazh të çmuar fetarë, kombëtar e kulturor, si dhe për t’i trasuar rrugë simotrave të tjera që u themeluan më vonë. Ndikimi i i “Zanit të Naltë” qe i madh dhe sa më shumë që rridhnin ditët, aq më shumë i shtohej vlera dhe rëndësia kësaj reviste. “Zani i Naltë” mbeti si pikë referimi për studiuesit e kësaj periudhe, sepse ai ishte një si kronikë e kohës, ai u bë model për themeluesit e revistave të tjera që dolën më pastaj, sepse i tillë ishte “Zani i Naltë”.
Të nderuar të pranishëm!
Mua nuk më mbetet tjetër të them, veçse të përgëzoj edhe njëherë punën që ka bërë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që ka marrë iniciativën për “rikthimin” e “Zanit të Naltë” dhe atë t’ua ofrojë masës së gjerë të lexuesve. Konsideroj se vëllim i revistës “Zani i Naltë” patjetër duhet që të zë vend në bibliotekat tona, në bibliotekat e fakulteteve dhe medreseve tona dhe jo vetëm, dhe të na shërbej si një mbështetje e fortë në rrugëtimin tonë drejtë njohurive dhe të arriturave të reja.
Dhe fare në fund, më lejoni të shpreh gëzimin tim për ndërmarrjen e Komunitetit Mysliman shqiptar për rinxjerrjen e kësaj reviste dhe vazhdimin e kësaj tradite të begatë. Kështu kjo revistë po i kthehet institucionit i cili i dha emrin, i dha fizionominë, e rriti dhe e zhvilloi këtë revistë.
Po ashtu, më lejoni të shpreh një mirënjohje të posaçme për ish-kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muçën, nën përkujdesjen e të cilit u përgatit ky vëllim, i cili sigurisht, që do të pasohet edhe nga vëllime të tjera, derisa të përmbyllet në tërësi i gjithë projekti. Përgëzoj, po ashtu, edhe drejtorin për kulturë në KMSH zotëri Genti Krujën, i cili ka bërë një punë të madhe në mbledhjen dhe përgatitjen teknike të këtij vëllimi.
Lusim Zotin e Madhërishëm që këso punë të hajrit të urojmë sa më shpesh dhe sa më shumë!
Ju faleminderit!
(Referat i mbajtur në përurimin e Vëllimit të parë të ribotimit të revistës “Zani i Naltë”, Prishtinë 24 nëntor 2014).