DETYRË E PRIJËSVE FETARË DUHET TË JETË PËRQENDRIMI NË PARIMET FETARE
Jam shumë mirënjohës si kosovar, por edhe si lider shpirtëror i myslimanëve të Kosovës për mundësinë që po më jepet që, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ta përshëndes këtë simpozium ndërfetar dhe ndërkulturor që po mbahet këtu në ShBA, me iniciativën e Universitetit të Yellit dhe Organizatës Al-Al-Bejt nga Amani. Më gëzon fakti se këtu do të kem mundësinë të them edhe disa fjalë për vendin tim, Kosovën, shtetin me te ri në Evropë dhe në botë, në këtë institut, i cili bën përpjekje për promovimin e paqes dhe stabilitetit gjithandej në mbarë botën.
Deri para gjashtë muajsh për Kosovën diskutohej si për një problem që donte zgjidhje urgjente. Për fat të mirë, me angazhimin e Bashkësisë Ndërkombëtare, dhe sidomos të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian si dhe me mirëkuptimin e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, u arrit një konsensus i përbashkët, që Kosova të shpallte pavarësinë e mbikëqyrur, sipas propozimit të z. Marti Ahtisarit, i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Kështu Parlamenti i Kosovës, më 17 shkurt 2008, në mënyrë solemne aprovoi Deklaratën Kushtetuese për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Kjo deklaratë u aprovua dhe u nënshkrua nga 109 deputetë të Parlamentit të Kosovës, prej gjithsej 120 sa numëron ai.
Menjëherë pas Shpalljes së Deklaratës Kushtetuese filloi edhe njohja e shtetit më të ri në botë nga vende të ndryshme evropiane dhe nga vende të tjera të botës. Ky numër tash ka arritur në 43 shtete, nga të gjitha kontinentet, me prirjen për t’u rritur për çdo dit.
Duke pasur parasysh se këtu në këtë sallë ka dijetarë e hulumtues të shumtë të fushave të ndryshme nga shtete të shumta, që njohin problemet globale nëpër botë më mirë se unë, në fjalën time dëshiroj të përqendrohem në aspektin e perspektivës fetare dhe rolit të fesë në rrjedhat jetësore të individit dhe të shoqërisë, me theks të veçantë në rastin e Kosovës. Për më tepër, feja, sot, është një temë ë pashmangshme në të gjitha rrjedhat shoqërore, politike e gjeostrategjike. Një numër i madh problemesh akute të botës së sotme zanafillën e tyre e kanë edhe në mosmarrëveshjet fetare ose edhe në keqinterpretimin e fesë për qëllime politike, ekonomike e të ngjashme. Andaj, studimi i këtyre problemeve edhe në aspektin fetar, mund të na ndihmojë në eliminimin e disa keqkuptimeve, të cilat kohë pas kohe shfaqen jo vetëm në rajonin ballkanik e në opinionin kosovar, por edhe më gjerë, për shkak të mosnjohjes së rolit dhe misionit që duhet të luajnë fetë në shoqërinë njerëzore.
Të nderuar të pranishëm !
Të gjithë ne jemi të njohur për peripecitë, vuajtjet dhe krajatat nëpër të cilat kaloi Kosova dhe populli i saj gjatë dekadave të fundit të shekullit njëzet. Këtë e dimë më së miri ne prijësit fetarë të Kosovës, të cilët ishim më afër se çdokush tjetër pranë të gjitha shtresave të popullatës sonë. Prandaj, duke u nisur nga përvoja e së kaluarës, e them me plotë bindje se detyrë e prijësve fetarë duhet të jetë përqendrimi në parimet fetare, t’i kushtohet kujdesi i merituar dashurisë ndaj Zotit,ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht nga besimi ,vendi ku jeton apo gjuha që flet, që nëpërmjet predikimeve të tyre tek masa e gjerë e popullit të mbjellin ndjenjën e dashurisë, respektit e mirëqenies së përgjithshme, – të cilat në parim janë edhe vlera të të gjitha besimeve qiellore.
Largimi nga mësimet e fesë dhe mospredikimi i tyre në masën e nevojshme, ka bërë që në shoqëritë tona të kemi mosmarrëveshje të shumta. Në vend që të respektojmë besimin e njëri-tjetrit ,atë në esencë e urrejmë, edhe pse paraqitemi se jemi tolerantë dhe në vazhdimësi bëjmë thirrje për paqe.
Bindja, dashuria ,përgjegjësia e sinqertë ndaj Zotit, e shtyjnë njeriun edhe për të respektuar fqinjët, ndaj të cilëve , sipas Islamit, kemi obligime e detyra të shumta. Përshëndetja, vizitat,bashkëpunimi,ardhja e shkuarja midis tyre, ndihma, – janë rrugë të cilat njeriun e shpien në respektin e dashurinë ndaj fqinjit, pavarësisht nga besimi që i takon .
Nëse Kosova dhe populli i saj shoqërisë botërore nuk mund t’i ofrojnë shumë në aspektin e shkencës, ekonomisë dhe teknologjisë, ajo, edhe pse e vogël, mund t’i ofrojë përvojën e saj lidhur me respektin dhe tolerancën ndërfetare në mesin e popullit shqiptar. Historikisht është e njohur se populli shqiptar, megjithëse u takon tri besimeve: islam, katolik dhe ortodoks, asnjëherë nuk kanë ndodhur luftëra ose konflikte për shkak të fesë ose për shkak të përkatësisë fetare. Të gjithë intelektualët shqiptarë, dhe jo vetëm ata, shumë herë e kanë vlerësuar këtë si vlerën më të madhe të këtij populli, i cili, edhe pse i paktë nga numri, ka një lashtësi të konsideruar. Me këtë rast po ju rikujtoj thënien e kryeministrit aktual shqiptar, i cili këtë vlerë të popullit tonë e ka prezantuar në takimet e tij më të rëndësishme dhe me njerëzit më me ndikim në botë: “Mirëkuptimi, toleranca dhe bashkëjetesa e popullit tonë, që u takon tri besimeve, është vlera më kulmore jona dhe këtë do ta kultivojmë gjithmonë. Kjo për ne është e paprekshme”.
Edhe sot në vendin tim, në disa qytete ka faltore: xhami dhe kisha, që gjenden njëra pranë tjetrës. Myslimanët shqiptarë të Kosovës, që nga shekujt e mesjetës, kanë treguar interesim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e trashëgimisë së krishterë. Me këtë rast po përmend vetëm angazhimin e tyre për ruajtjen deri në këtë kohë të Patrikanës së Pejës dhe Manastirit të Deçanit. Edhe sot në Kosovë ka myslimanë të cilët, për shkak të kujdesit të vazhdueshëm për ruajtjen e këtyre monumenteve, mbajnë mbiemrin Vojvodë. Ndoshta mund të duket e çuditshme, por kjo është realitet, se edhe sot në Kosovë kemi familje që jetojnë nën një kulm, por që u takojnë besimeve të ndryshme, dhe secili respekton tjetrin.
Prandaj, të nderuar të pranishëm, kam bindjen e thellë se shumë vende të botës kanë mundësi të mësojnë nga kjo përvojë e kalitur dhe e brumosur ndër shekuj te populli shqiptar.
Lufta e fundit në Kosovë, gjatë viteve 1998-99, ka lënë pasoja të mëdha , të cilat edhe tash 9 vjet pas, akoma nuk po rigjenerohen. Na janë djegur dhe shkatërruar 218 objekte fetare islame, shumicën e të cilave, falë Zotit, i kemi rindërtuar, mirëpo traumat e luftës vazhdojnë të jenë të pranishme. Janë edhe rreth 2000 persona shqiptarë dhe 300 serbë të pagjetur. Familjet e tyre vazhdojnë të vuajnë, sepse nuk i dinë se ku gjenden eshtrat e tyre.
Ju e dini se gjatë marsit 2004 në Kosovë ka pasur trazira, të cilat, për fat të keq, kanë rezultuar me djegien e disa kishave serbe. Edhe pse ky ka qenë veprim i individëve të papërgjegjshëm, ne e kemi dënuar ashpër. Edhe ky veprim, edhe pse i dëmshëm për palën shqiptare, me bindje të thellë pohoj se nuk ka ndodhur për hakmarrje.
Është për keqardhje se si Kisha Ortodokse Serbe, pas tërë atij zullumi që ka bërë pushteti serb, nuk gjen forcë për të kërkuar falje. Falja, sigurisht se do të ndikonte në zbutjen e zemrave të të dëmtuarve. Në fakt, kjo do të shënonte një nismë të re paqësore në Kosovë.
Të motivuar nga kjo përvojë, Bashkësia Islame e Kosovës por edhe Kisha Katolike Shqiptare asnjëherë nuk kanë hezituar të japin kontributin e tyre për një mirëqenie të besimeve,për dialog ndërfetar dhe tolerancë ndërfetare, për respekt ndaj fqinjit.
Këtë më së miri e vërteton edhe gatishmëria e menjëhershme kur, me iniciativën e Konferencës Botërore Fetë për Paqe me seli në Nju-Jork, në mars të vitit 1998, është iniciuar praktika e dialogut ndërfetar në Kosovë si një prej metodave për uljen e tensioneve dhe kthimin e besimit të ndërsjellë tek qytetaret e Kosovës të etnive dhe besimeve të ndryshme.
Me qëllimin për të dhënë kontributin në afrimin e shqiptarëve dhe të serbëve, për një jetë në paqe, Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në parimet Islame dhe interesin e përgjithshëm të shoqërisë kosovare, asnjëherë nuk ka hezituar të përkrahë çfarëdo iniciative, e cila ka qenë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, besimi a kulture.
U mbajtën takime të përfaqësuesve të tri komuniteteve si në nivele grupesh dhe të prijësve fetarë në Prishtinë,Vjenë, Aman,Sarajevë,Oslo,Bruksel,Stamboll,Tiranë etj. Në të gjitha këto takime u nënshkruan deklarata të përbashkëta për afrimin e popujve midis tyre, për një jetë më të mirë për të gjithë, takime të cilat u vlerësuan tejet të frytshme si nga faktori vendor dhe nga ai ndërkombëtar.
Vlen të theksohet se të gjitha këto takime janë mbajtur me vullnetin dhe dëshirën e tri komuniteteve tradicionale në Kosovë dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Kisha Ortodokse Serbe është tërhequr kohët e fundit nga ky dialog,dhe fatkeqësisht ka rënë nën ndikimin e politikës ditore të Beogradit, një qëndrim ky joparimor i Kishës Ortodokse Serbe të Kosovës. Sepse, me bojkotim dhe refuzim të dialogut, duke e ditur edhe rolin jo të mirë të Kishës Serbe gjatë luftës në Kosovë, nuk arrihet asgjë vetëm se i bëhet dëm vetë popullit serb, i cili jeton në Kosovë ,dhe mbjell ndjenjën e urrejtjes,mostolerancës dhe jorespektit të ndërsjellë etj.
Paqja është më se e domosdoshme në mes njerëzve. Feja Islame urdhëron për paqe dhe kjo thirrje për paqe është shumë e qartë në Kuran: “Në qoftë se ata, anojnë kah paqja ano edhe ti kah ajo, e mbështetu në All-llahun. Ai është që dëgjon dhe di”. (Enfal:61)
Pastaj, ajeti “O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (Përqafoni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik i juaji i hapët”. (Bekare:208).
Ne jemi të bindur se dallimet në mes njerëzve në besim,në gjuhë,në ngjyrë, kanë ndodhur me dëshirën e Allahut,sepse, sikur të kishte dashur Allahu t’i krijonte të gjithë njerëzit një popull, do ta bënte këtë. Allahu thotë: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, ai e di pse). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete)”, (Hud:118)
Prandaj, nuk është e rastit pse i Madhi Zot u bën me dije të gjithë njerëzve, pa dallim feje e race, se të gjithë janë të krijuar nga një mashkull e nga një femër dhe popuj e fise me qëllim që të njihen e të respektohen në mes tyre dhe jo të luftojnë. Pra argumentet kuranore janë të qarta dhe ato ndalojnë armiqësinë në mes njerëzve. Allahu xh. sh. thotë: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e All-llahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (Huxhurat:13)
Për të ekzistuar paqja ,harmonia e toleranca në mes popujve dhe për dialog të suksesshëm, nevojitet respekt i ndërsjellë në mes besimeve,duhet mirëkuptim dhe bashkëpunim i vazhdueshëm, sinqeritet e jo dyfytyrësi gjatë dialogut ,duhen ndërmarrë aktivitete të përbashkëta si në fushën e hulumtimeve të përbashkëta shkencore,duke mbrojtur të drejtat e çdonjërit, në bashkëpunim të përhershëm edhe në luftimin e krimit të organizuar, i çfarëdo natyre qoftë, me aksione të përbashkëta në luftë kundër terrorizmit,drogës e shumë sëmundjeve të tjera, që janë rrezik për shoqërinë njerëzore.
Dialogu me të tjerët ndihmon edhe në pakësimin e varfërisë,arsimimin e atyre që nuk kanë mundësi të arsimohen, e në shumë probleme të tjera.
Ne krerët fetarë duhet të jemi më të zëshëm ,të ngremë zërin tonë tek qendra të shumta ndërkombëtare të vendosjes, nëpërmjet deklaratave të përbashkëta , tek qeveritë tona ,në raport me të këqijat që po përjeton krijesa më e çmuar e Zotit – njeriu.
Është e dhimbshme kur shohim se shumë fëmijë brenda ditës vdesin nga uria,e sa e sa mjete harxhohen në armatim vetëm brenda një dite.
E pra, më pak armatim, më pak luftëra, më pak urrejtje e më shumë dashuri, më shumë tolerancë, dhe më pak gjakderdhje e krime, më shumë repekt e aspak hakmarrje. Vëllazëri e fqinjësi – dhe jo gjakderdhje e armiqësi.
Planeti ynë është lodhur nga luftëra të shumta, prandaj duhet t’i kthehemi arsyes e të jetojmë në paqe.
Si të kthehemi nga e ardhmja?
Me gjithë këto dhembje, vuajtje dhe peripeci, ne në Kosovën tonë, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar, do të gjejmë forcë dhe kurajë që të gjitha vështirësitë t’i tejkalojmë e të mos mbetemi robër të së kaluarës, po t’i kthehemi së ardhmes, natyrisht duke mos e harruar të kaluarën, jo për t’u hakmarrë, po vetëm që të marrim mësime, që ajo të mos na përsëritet asnjëherë në të ardhmen. Tejkalimi i kësaj periudhe nuk është i lehtë, por lypset guxim dhe kurajë qytetare, në veçanti te pala e cila ka qenë shkaktare e agresionit, ka poseduar mekanizmat e forcës dhe ka ushtruar dhunë,krime, dhe dëme ndaj palës së paarmatosur .
Kujtoj që dhimbjet që i shkaktojmë njëri-tjetrit herë pas herë gjatë historisë, janë produkt më tepër i natyrës sonë të errët. Kjo ngase Zoti, në të gjithë librat e shenjtë, na mëson që të jetojmë në harmoni, paqe dhe në tolerancë me njëri-tjetrin.
Kurse, qytetërimet e sotme kryesore botërore, do të duhej t’i forconin edhe më tej dallimet dhe karakteristikat e tyre: kombëtare, fetare e sidomos kulturore, në mënyrë që këto dallime të shërbejnë si një kapital i vlefshëm këmbyes në periudhat dhe proceset që cilat i presin gjeneratat e ardhshme. Tekefundit, ne që besojmë në Krijuesin tonë të përbashkët, kemi edhe për obligim ta bëjmë këtë për hir të dëshirës dhe vullnetit të Tij, që të na bëjë të ndryshëm nga të gjitha gjallesat e tjera që krijoi në këtë botë.
Kemi nevojë për të vërtetën dhe për drejtësi edhe në Kosovë. Është koha që pala serbe, dhe sidomos Kisha Ortodokse Serbe të jetë nismëtare që pavarësinë e Kosovës ta pranojë si realitet,si drejtësi për Kosovën dhe në të njëjtën kohë shans për reformimin e Serbisë. Në këtë drejtim, prijësit fetarë mund të kontribuojnë dukshëm dhe roli i tyre është i pazëvendësueshëm.
Këtu mund të shtrohet pyetja: Cili mund të jetë roli dhe kontributi i bashkësive fetare në kthimin e besimit të humbur për shkak të luftës dhe konflikteve?
Në bazë të përvojës së deritanishme, mendoj se në mesin e tri bashkësive fetare tona tradicionale të Kosovës, Islame,Katolike dhe Ortodokse , bazuar në parimet fetare, ekziston një konsensus i përbashkët, se ne duhet të japim kontributin tonë që na takon si prijës fetarë. Për këtë na obligojnë parimet tona fetare, si dhe interesi i përgjithshëm i besimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës. Ne duhet të përdorim autoritetin tanë për kthimin e besimit të ndërsjellë në mesin e popullatës së Kosovës. Sepse, me këtë krijojmë një klimë të përshtatshme për një jetë normale për të gjithë banorët e saj, pa dallim feje, gjuhe e kombi. Me këtë do t’u dalim në ndihmë si faktorit vendor, ashtu edhe atij ndërkombëtar, për krijimin e një jete më të mirë në Kosovë.
Nuk duhet harruar se disa nga serbët tragjedinë e popullit shqiptar, në dekadën e fundit të shekullit njëzet, e përjetuan si tragjedi të tyre, për se ngritën zërin lart duke demaskuar veprimet e regjimit serb si shkelje të të drejtave elementare të një populli të tërë. Të tillë qenë : Natasha Kandiç , Sonja Biserko, Biljana Kovaçeviç-Vuço etj.
Shembuj të këtillë, nuk ka dyshim se inkurajojnë masën për kthimin e besimit të ndërsjellë, tek njerëzit e thjeshtë të të dy popujve.
Këtu vlen të theksojmë se pas vitit 1999, nën presione të ndryshme, pjesa dërrmuese e popullatës shqiptare që jetonin në Serbi, kryesisht në rajonin e Medvegjës, qenë të detyruar t’i lëshonin shtëpitë dhe të shpërnguleshin, ose, së paku, t’i ndryshonin emrat myslimanë duke u pagëzuar me emra serbo-ortodoksë. Një fatkeqësi e kohës sonë kjo. Për fat të keq, kjo dukuri, për qëllime të caktuara nuk është diskutuar fare në medie.
Pyetja që shtrohet para nesh, është: Ç’duhet të bëjmë më tutje për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne dhe për brezat që do të vijnë pas nesh?
Sipas mendimit tonë, duhet të ndërmerret sa vijon:
- Shumica shqiptare, në veçanti pas pavarësimit të Kosovës, duhet të marrë mbi vete mbrojtjen dhe prosperitetin e të gjitha pakicave të tjera.
- Pakica serbe duhet të pajtohet me realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Kosovën ta njohë si atdhe të vetin dhe fatin e saj duhet ta lidhë me të.
- Kisha Ortodokse Serbe, me veprimet e saj, duhet të tregojë se është përfaqësuese shpirtërore e popullit serb e jo të ndikohet dhe të manipulohet nga politika e dështuar serbe.
- Të tri bashkësitë tradicionale fetare të Kosovës, në punën e tyre publike dhe me besimtarët, të promovojnë vlera të përbashkëta të bazuara në parimet e Islamit dhe të Krishterimit, të punohet për promovimin e tolerancës,paqes dhe drejtësisë.
- Pakica serbe të mos provokojë shumicën shqiptare, çfarëdo veprimesh qofshin.
- Mesazhet e bashkësive fetare, vazhdimisht duhet të jenë në frymën e promovimit të një shoqërie tolerante, multietnike dhe multikonfesionale , në të cilën do të respektohen të drejtat e të gjitha komuniteteve, qofshin ato pakicë apo shumicë .
- Të bëhet meremetimi i të gjitha objekteve fetare të rrënuara gjatë dhe pas luftës, qofshin ato islame apo të krishtera.
- Dialogu ndërfetar në të ardhmen të vazhdojë me një intensitet më të madh dhe të ndërmerren hapa për mbajtjen e konferencës ndërfetare në Kosovë, në pajtim me deklaratën e Patrikanës së Pejës të 2-3 majit 2006.
Dhe krejt në fund më lejoni që edhe njëherë, nëpërmjet jush të pranishmëve në këtë sallë, të ftoj të gjitha ato shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që ta njohin sa më shpejt, një thirrje e veçantë i bëhet Konferencës Islamike me seli në Xhide dhe të gjitha vendeve islame, që ende po ngurrojnë në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, që këtë ta bëjnë sa më shpejt, për se Kosova dhe populli i saj paraprakisht ju falënderon.
Ju faleminderit.
Naim Tërnava
Kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe Myfti i Kosovës
Nju-Jork, 28 gusht 2008