Prishtinë, 27 qershor 2014
Të nderuar- vëllezër e motra!
Nesër e shtunë,  28.06.2014 është dita e parë e muajit të shenjët të bekuar të Ramazanit, në të cilin i Madhi Zot zbriti Kuranin, librin udhërrëfyes dhe drejtues për mbar njerëzimin, përmes së cilit edhe obligoi agjërimin e këtij muaji. Ndaj më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së  Kosovës t’ua uroi këtë muaj të bekuar e shumë dobi prurës për të gjithë besimtarët.

{jathumbnail}Këtë muaj Allahu xh.sh, me zbritjen e Kuranit  e dalloi dhe e veçoi nga muajt e tjerë, ngriti vlerën e këtij muaji, dhe vlerën e ati  i cili kryen obligimet të cilat urdhërohen përmes këtij muaji.
Ti përkushtohemi më shumë se muajve të tjerë ngase edhe vet Muhamedi a.s. ishte ai i cili shtonte në adhurim e përkushtim, ndihmë e solidaritet edhe më të madh gjatë këtij muaji. Me qëllimin e vetëm që të fitojmë kënaqësinë dhe begatit e Allahut xh sh. të cilat i sjell ky muaj, nëse obligimet i kryejmë me përkushtim e zemër të pastër.

Allahu xh. sh. thotë:
O ju që keni besuar, agjërimi është bërë obligim-farz, sikur që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush.

Forca e besimit në Zotin Një, e cila fuqizohet edhe më shumë gjatë këtij muaji  e shtyn besimtarin të jetë edhe më i devotshëm e më bujar. Kjo forcë morale e cila buron nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës bënë që besimtari me tërë qenien e tij, t’iu nënshtrohet urdhrave të Allahut xh. sh. që të punoi edhe më shumë për të fituar kënaqësinë e të Madhit Zot.

Ramazani ka për qëllim të trokas thellë në shpirtin  e besimtarit për të rizgjuar ndjenjën e strukur thellë në vetën e tij, nga mos angazhimi i bollshëm në përgatitjen e një shoqërie me vlera të larta e cila duhet të jetë edhe më solidare me të varfrin, skamnorin e jetimin. Shoqëri me vlera të larta e cila synon respektin e paqen mes njerëzve e jo armiqësinë e hasmërinë.
Ky muaj përmes besimit e agjërimit kërkon afrimin e njerëzve mes vete, largimin e zënkave, pastrimin e zemrës e shpirtit, krijon mundësin e shtrirjes së dorës së pajtimit mes njerëzve.
Si asnjëherë më parë gjatë këtij muaji edhe më shumë na kujtohet edhe llogaria që do ta japim para Allahut xh.sh. për veprat e bëra gjatë kësaj jete qofshin të mira a të liga ato vepra.
Ndaj mësimet e këtij muaji porosisin që zemra e shpirti i besimtarëve në vazhdimësi të jenë në shërbim të mirës dhe largimin nga e keqja, duke qenë në gjendje që të pranojnë agjërimin si një disiplinë morale e njerëzore.

Besimtar të nderuar!
Vëllezër e motra!
Syfyri dhe Iftari janë dy momente kur jemi të ulur pran sofrës dhe ushqehemi nga begatit e shumta të dhuruara nga ana e Allahut xh.sh. Momente kur duhet të mendojmë edhe më shumë për ata të cilët nuk kanë çfarë të servojnë në sofrën e tyre. Të mendojmë se edhe i varfëri ka agjëruar me një përkushtim të madh, por sofra e tij është e mangët. Ndaj unë ju porosisë të ofrojmë ndihmë duke shtrirë  dorën e mëshirës,nëse dëshirojmë të fitojmë mëshirën e pakufishme të Allahut. Të mos lejojmë që me pa kujdesin tonë të thyhen zemra të shumë fëmijëve, që faqet e tyre të njoma të përlotën në mungesë të një pakujdesie tonë, por të solidarizohemi dhe të ndajmë çfarë kemi bashkërisht.

Agjërimi dhe adhurimi të cilat i kryejmë vetëm në shenjë respekti e bindje për Krijuesin e Universit,përmes së cilave lartësojmë shpirtin tonë,e pastrojmë atë nga mëkatet e mëparshme,dhe të pastër e përgatisim për takim me Allahun xh.sh. Kjo arrihet vetëm kur e kuptojmë mirë porosinë e këtij muaji,e këtë porosi më së miri e kuptojmë nga porosia e Muhamedit  a.s.i cili thotë:
Ai që agjëron Ramazanin me bindje,sinqeritet e përkushtim të plotë ,do t’i falen mëkatet e tij të më hershme.
Islami është fe e paqes, harmonisë e dashurisë, ndërsa Ramazani është muaji i mëshirës,  rahmetit e solidaritetit, ndaj të lutemi që ky muaj i madh, ky ibadet të jetë një reflektim për ndaljen e konflikteve, trazirave e gjakderdhjeve në vatrat e krizës  e njerëzimi të  jetoj në paqe e me lumturi.

Vëllezër e motra!
Ramazani kësaj radhe na gjen edhe më një të arritur të çmuar për popullin tonë në rrugën drejt BE, kështu në prag të Ramazanit nga Brukseli, erdhi lajmi i mirë i shumëpritur,  Shqipëria mori statusin e vendin kandidat për BE, përse uroj e përgëzoj gjithë popullin dhe të gjithë akterët që kontribuuan për këtë arritje, me shpesë se së shpejti do jemi pjesë e BE.

Të nderuar motra e vëllezër!
Kam kënaqësinë që në emër të KBIRK, institucioneve të saja,dhe në emrin tim personal t’ju uroj muajin e Ramazanit, të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona etnike dhe mbar mërgatës kudo që ata gjenden nëpër botë. Le të shpresojmë që me fillimin e agjërimit të muajit të Ramazanit,të gjithëve të na shoqërojë mëshira e Allahut dhe falja e Tij.
Edhe njëherë urime ardhja e muajit të Ramazanit!.

Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…