Të dashur vëllezër dhe motra besimtarë!

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në vigjilje të Hixhretit – Vitit të Ri Hixhri, t’ju drejtohem me urimet dhe përgëzimet më të thella e më të sinqerta, duke e kujtuar Hixhretin si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e botës myslimane, me të cilën filloi njësimi i kalendarit hënor.

Hixhreti i Pejgamberit a.s. nga Meka për në Medine, në vetvete është shprehje e triumfit ndaj dhunës, urrejtjes e mosdurimit, dhe në të njëjtën kohë promovon lirinë, paqen, respektin dhe mirëbesimin.

Kur kujtojmë Hixhretin, kujtojmë Pejgamberin tonë, Muhamedin a.s., i cili la vendlindjen e tij të bekuar – Mekën, për të emigruar në Medine, me qëllim që të realizonte misionin që qe ngarkuar nga i Madhi Zot.
Me këtë veprim të të Dërguarit a.s., u krijuan bazat themelore për përhapjen e besimit, kulturës e të qytetërimit islam, si dhe për themelimin e një shoqërie të re, e cila do të jetonte e lirë, në paqe e me mirëkuptim.

Edhe tani, kur njerëzimi po përballet me luftë, konflikte, refugjatë e të zhvendosur, mesazhet dhe mësimet e Hixhretit duhen kuptuar drejt, në funksion të ndaljes së konflikteve, forcimit të paqes, solidaritetit, dashurisë dhe respektit të ndërsjellë.

Duke ju uruar e përgëzuar, lusim Allahun xh.sh. që në këtë vit të ri hixhri 1446, të sjellë paqe, begati, mirësi për mbarë njerëzimin, dhe të bëjë që të mbretërojnë dashuria dhe toleranca në zemrat tona.

Zoti na bekoftë të gjithëve!

Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Përfundoi aksioni i shpërndarjes së mishit të kurbanit

Prishtinë, më 10 korrik 2024 Rreth 20 mijë kurbane janë therur dhe janë shpërndarë nga Bas…