Prishtinë, më 21 dhjetor 2023

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka promovuar sot veprat e Myftiut Naim ef. Tërnava, “Besimi Islam” në dy vëllime, “Shkenca e Imul Kelamit” dhe “Ligjërime për fenë dhe atdheun 3”.

Myftiu Tërnava në veprën “Bazat e besimit” dhe “Shkenca e Ilmul Kelamit”, trajton temat e shkencës së Akaidit, të cilat janë vetë baza mbi të cilën ngrihet Islami me mësimet e tij, të cilat kanë të bëjnë direkt me jetën e njeriut në këtë dhe botën tjetër. Ndërsa, në botimin tjetër, “Ligjërime për fenë e atdheun”, paraqitet puna, aktivitetet dhe qëndrimet e tij si prijës i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Reisul Ulema, Shaqir ef. Fetahi, çmoi lart kontributin e Myftiut Naim ef. Tërnava, në veçanti edhe me botimet e tij.

Botimet që u promovuan sot u vlerësuan jashtëzakonisht lart edhe nga zv.myftiu i Malit të Zi, Omer Kaloshaj dhe aktivisti, Burhan Fili.

Redaktorët tregojnë rëndësinë e këtyre botimeve. Ata thonë se këto vepra shpjegojnë bazën e fesë islame si dhe të kuptuarit e drejtë të Islamit.

“Gjatë shfletimit të këtij libri, do të shohim copëza historie, fjalime me karaktere fetare, adresime të ndryshme në kohë dhe rrethana historike, ndaj me plot të drejtë mund të themi, se këto fjalime dhe adresime të Myftiut, do të mbeten pjesë të historisë sonë më te re, dhe vetëm pas disa vitesh e mbase edhe dekadash, këto ide dhe vizione të tij do të vlerësohen e çmohen edhe më shumë, për shkak të qëndrueshmërisë së tyre, sepse janë qëndrime të drejta, të cilat nuk i shkeli koha e as rrethana” – tha ndër të tjera prof. Sabri ef. Bajgora.

“Unë nuk mund të flas më shumë sesa është botuar në këto vëllime, por mund të them dhe marrë të drejtën që këtë vepër të shpalli kryevepër të fushës së Akaidit, për arsye se çdo gjë që e meriton është e shkruar dhe e prezantuar në këto botime”, citoi prof. Faredin Ebibi.

“Një fillim i tillë, lexuesit i ofron një qasje më të përafërt në renditjen e tematikave me karakter besimor, duke filluar nga gjeneza e Fesë, për të shpjeguar pastaj bazat e besimit islam si dhe për të vazhduar tutje me shtjellimin e kuptimit të drejtë dhe të zhdrejtë të këtyre tematikave.

Qysh nga fillimi i librit gjejmë shpjegimin dhe trajtimin e relacionit njeri – besim, gjegjësisht nevojës njerëzore për të besuar në Zotin një. Këtu autori trajton konceptin e shpalljes, nga e cila rrjedh thirrja për besim. Shpallja si forma e veçantë e kontaktit në mes të hyjnores dhe njerëzores, në libër trajtohet si koncept që ndërlidh rolin e pejgamberisë në iluminimin e njerëzimit, kur ajo paraqitet si rrugë që në bazë të lirisë së përzgjedhjes, njeriu shpreh vullnetin e vet, të jetë i rreshtuar komfor urdhrave të Zotit Krijues, drejt rrugës së amshueshmërisë”, tha dr. Bahri Hoxha.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se këto botime i adresohen audiencës shqiptare dhe atyre që duan të analizojnë. Ai thotë se këto botime përmbajnë tema të ndjeshme pas një izolimi diktarioal dhe të pushtuar në të cilin kaloi Kosova.

“Temat e shkencës së Akaidit, të trajtuara në librin e parë “Bazat e besimit” dhe librin tjetër “Shkenca e Ilmul Kelamit”, janë vetë baza mbi të cilën ngrihet apo ndërtohet Islami me mësimet e tij, të cilat kanë të bëjnë direkt me jetën e njeriut në këtë dhe botën tjetër. I shtyrë nga kjo, them këtu para jush se edhe këto tre libra që sot i kemi para vetes janë ndërtuar në këtë frymë të shtjellimit dhe shpjegimit, të përgjigjeve të shumta, të cilat e mundojnë dhe e shtynë njeriun në mendime të thella. Në fenë tonë islame, argumenti është baza mbi të cilën ngrihet vepra, andaj edhe shumë përgjigje janë argumentuar me ajetet nga Kurani e hadithet e Muhamedit a.s., dhe nga mendimet e shumta të kolosëve të mëdhenj, të cilët shtjelluan tema të ndryshme e të shumta, dhe të cilët na mundësuan që sa më mirë t’i kuptojmë problematikat me të cilat merret kjo shkencë.”

Sipas autorit të botimeve, kjo punë është rezultat i më shumë se katër dekadave.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

U mbajt program festiv për nder të 28 Nëntorit në “Medresenë Alauddin”

Prishtinë, më 27 nëntor 2024 Në ambientet e “Medresesë Alauddin” u organizua një program f…