Prishtinë, 16 maj 2019
Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në ambientet e Medresesë së Mesme “Alauddin” në Prishtinë, u bë promovimi i librit “Medreseja Alauddin e Prishtinës 65 vjet në shërbim të arsimit fetar dhe kombëtar”, botuar nga Kryesia e BIRK-ut. Libri parqet të përmbledhura kontributet për medresenë “Alaudin” të dala nga konferenca shkencore kushtuar 65 vjetorit të veprimtarisë së medresesë. Si i tillë, ky botim i realizuar nga Kryesia e Bashkërisë Islame të Kosovës, është ndër më të realizuarit që i kushtohet jo vetëm medresesë “Alaudin” të Prishtinës, por edhe institucioneve arsimore islame në trevat shqiptare, qoftë për kah vëllimi, qoftë për kah tematika që shtjellon e trajton.
Mysafirëve mirëseardhje u dëshiroi drejtoi i Medresesë “Alauddin” në Prishtinë Jakup ef. Çunaku, i cili potencoi vlerën dhe peshën e këtij tempulli fetar dhe kombëtar të dijes përgjatë viteve. “Librin të cilin sot po e promovojmë ka një karakter të jashtëzakonshëm pasi që për t’u ruajtur historia duhet të shkruhet dhe atë që ka bërë BIRK-u me të gjithë akterët e tij nëpër dekada në ngritjen dhe funksiononim e tij kanë arritur që ta përmbledhin në një libër rreth medresesë, edhe ka organizuar një konferencë ku studiuesit kanë paraqitur kumtesa dhe kanë shtjelluar gjerësisht aktivitetin dhe jetën e kësaj shkolle”- tha mes të tjerash drejtoi Çunaku.
Në këtë promovim libri mori pjesë kryetari i Kryesisë së BIRK-ut, Myftiu Naim ef. Tërnava i cili me këtë rast mbajti edhe një fjalë rasti para të pranishmëve, duke thënë:”…kjo medrese ka qenë qendër e aktivitetit fetar dhe kombëtar, këtu në këtë vend kanë kaluar kokat më të ditura dhe të ngritura të kombit tonë që kanë punuar për çështjen kombëtar, këtu është punuar për ardhmërinë e vendit. Këtu janë dhënë shumë vizione të qarta se kah duhet të ecte populli në ato kushte tepër të vështira në të cilat jetonte populli ynë. Andaj, jo rastësisht e kemi zgjedhur këtë vend për promovimin e këtij libri. Medreseja dha kontribut përtej mundësive që kishte, ngase kështu thërriste atdheu ynë, ora e lirisë dhe ne u gjetëm aty edhe pse ka tentativa nga disa që të minimizojnë kontributin e kësaj shkolle, megjithatë atë nuk do ta arrijë askush, sepse ajo dha provimin e saj e e edhe BIRK-u që ne sot të jemi të lirë. Nxënësit e Medresesë i gjejmë të rreshtuar drejt dhe mirë përgjatë viteve, sikurse janë demostrat e viteve 68-69, pra ishin pjesë përbërëse e proceseve për çlirim nga okupatori serb. Kjo neve na gëzon dhe na bën më të fuqishëm. Medreseja dha po ashtu një kontribut tepër të madh përgjatë viteve 1989-99, dëshmitarë për këtë janë shumë aktivistë të çështjes kombëtare, të arsimit shqip, ata të aktiviteteve politike, kulturore. Ky amfiteatër ka qenë parlament, kuvendet e partive politike kanë mbajtur kuvendet e tyre dhe të gjithë e gjetën veten këtu që nga fëmijët e deri tek akademikët”- tha Myftiu Tërnava.
Me kumtesa të tyre në këtë promovim libri u paraqitën veprimtari i çështjes kombëtare Selatin Novosella si dhe drejtori për shtyp, veprimtari botuese dhe kulturë Ramadan Shkodra.
Novosella gjatë vlerësimit mbi librin në fjalë theksoi: ” … kjo shkollë përpos që ishte vatër e arsimit ka qenë edhe depoja më e sigurt që ka punuar 24 orë për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj ju nxënës duhet të jeni shumë krenarë që mësoni në këtë shkollë, kurse ne si gjenratë e vjetër jemi shumë të lumtur që kemi bërë diçka për ju dhe lirinë tuaj. Promovimi i këtij libri është një festë e vogël. Libri “Medreseja Alauddin e Prishtinës 65 vjet në shërbim të arsimit fetar dhe kombëtar”, botim i BIRK-ut, dëshmon edhe një herë se tashmë Kryesia e BIRK-ut po vazhdon traditën e mirë të librave të rëndësishëm nga sesionet dhe konferencat që po organizon. Andaj 45 kumtesat që janë mbajtur në konferencën shkencore mbi Medresenë sot janë të duar të lexuesve të të sistemuara në 592 faqe. Besoj që ky libër i veçantë do të duhej ta pajisej me një rezyme të shkurtë në gjuhën angleze. Kështu që jam i bindur që studiuesit e huaj do të kishin mundësi ta përdoronin si referencë për studimet e tyre, sepse Medreseja “Alauddin” do të jetë një burim reference jo vetëm e kësaj shkolle, apo të shkollës shqipe në Kosovë, por edhe për historinë e Kosovës të kësaj periudhe.” [srizonfbalbum id=21]
Më pas, drejtori për shtyp, veprimtari botuese dhe kulturë Ramadan Shkodra duke folur për rëndësinë e librit, theksoi: “… të vlerësohen 65vjet të një institucioni arsimor, është një punë që kërkon goxha angazhim dhe përkushtim, sepse 65 vjet nuk janë pak. Nuk janë pak, sepse ato janë 65 vjet punë, angazhime, sfida, probleme, peripeci e suksese. Prandaj ne jemi të bindur se për medresenë “Alaudin” nuk mund të thuhen të gjithat në një konferencë dhe as në një monografi të vetme. Për kontributin e Medresesë “Alaudin” sigurisht që do të flitet dhe do të shkruhet edhe shumëçka në konferenca dhe në vite jubilare të saj. Por ky botim të cilin po e promovojmë sot, sigurisht që do të shërbejë si një gurë i mirë i hedhur në themel të sigurt, mbi të cilin do të ngrihet e pasqyruar veprimtaria edukative arsimore e Medresesë “Alaudin” të Prishtinës. Urojmë dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen të kemi dhe të promovojmë këso veprash që ndriçojnë historikun dhe të kaluarën e bujshme të Medresesë “Alaudin” të Prishtinës”.