Në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës u promovua libri “Dëshmi për kohën”, dokumentim i kontributit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit për Lëvizjen Popullore gjatë viteve 1990-1999
Prishtinë, 10 shkurt 2018

Në prani të përfaqësuesve nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, strukturave shtetërore nga pushteti qendor dhe ai lokal, këshilliave të BIRK-ut , dhe mysafirëve të tjerë; Këshilli i Bashkësisë Islame i Gjilanit organizoi manifestim kulturor me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. U bë promovimi i librit “Dëshmi për kohën”, të autorit gjilanas Islam Osmani.

Ky libër është një dokumentim i kontributit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit për Lëvizjen Popullore gjatë viteve 1990-1999. Në emër të Myftiut të Republikës së Kosovës Naim ef. Tërnava dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, foli sekretari i përgjithshëm i BIRK-ut, Resul Rexhepi, i cili për këtë libër ka thënë se është një përmbledhje e angazhimit të komunitetit të hoxhallarëve të Bashkësisë Islame në Gjilan, por edhe të veprimit politik e arsimor në një qëllim të vetëm për liri. “Bashkësia Islame gjithandej Kosovës, së bashku edhe me medresetë, mejtepet, gjatë viteve 90-99 kanë qenë në shërbim të arsimit shqip dhe më pas edhe i kanë destinuar objektet e veta në shërbim të politikës shqiptare e më vonë edhe për angazhimet në kuadër të përkrahjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rrugën e lirisë dhe pavarësisë së vendit”, ka thënë Rexhepi.

Kurse Naim Aliu, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, vlerësoi vendosmërinë e KBI-së së Gjilanit për mbështetjen dhe përkrahjen e institucioneve të atëhershme paralele shqiptare dhe për ndërtimin e shtetit, zhvillimin dhe integrimin e tij. Ai tha gjithashtu se KBI-ja kontributin e vet e ka dhënë gjithnjë në angazhimin e përbashkët për çlirimin e Kosovës nga një okupator, i cili ka qenë shkatërrues i çdo gjëje që ishte shqiptare, duke mos kursyer as objektet fetare, xhamitë, medresetë, mejtepet etj.. Në emër të komunës së Gjilanit, foli kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi Emini, e cila tha se kontributi i KBI-së në Gjilan është jashtëzakonisht i madh, përpos shërbimit për një jetë më të mirë për qytetarët e Komunës së Gjilanit, ky institucion ka qenë derë e hapur e organizimeve për pajtimin e gjaqeve, krijimin e hapësirave për arsimin shqip, vend për veprimtari politike e më pas edhe ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Libri “Dëshmi për kohën” është libër i autorit Islam Osmani, në të cilin, sipas autorit, mund të gjenden detaje të shumta të proceseve të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar posaçërisht gjatë viteve 90-99.

Për librin referuan Hysen Matoshi, Nexhat Rexha dhe autori Islam Osmani. Në fund u dha një program artistik nga kori i medresesë Alaudin nga Prishtina dhe ai i medresesë “Haxhi Sheh Shamia” nga Shkodra.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…