Prishtinë, më 28 mars 2022

Në mënyrë solemne, nën këndimin e tekbireve dhe ajeteve kuranore me praninë e përfaqësuesve nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, përfaqësuesve të qeverisjes lokale, përfaqësuesve të këshillave të Bashkësisë Islame të qyteteve të tjera të Kosovës, imamëve, e shumë besimtarëve, u bë përurimi i renovimit të xhamisë së fshatit Softaj në Ferizaj. Në emër të Myftiut të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava dhe në emër të BIK-ut, këtë tubim e përshëndeti kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili përcolli mesazhet e Myftiut Tërnava për banorët në lidhje me këtë përurim.

“Është kënaqësi që këtë gëzim ta ndajmë së bashku me të gjithë ju, andaj uroj të gjithë ata që kanë kontribuuar për renovimin e kësaj shtëpie të Zotit. Lus Zotin që atyre t’u japë shëndet e bereqet në punën e tyre. Ftoj që edhe xhematët e tjera ta ndjekin këtë model të kësaj xhamie, që t’i avancojmë shërbimet dhe që të kemi vende më komode për kryerjen e faljeve, sepse xhamitë janë vetëm për Zotin dhe në to madhërohet vetëm Zoti. Më lejoni të përshëndes edhe imamin Ilir ef. Maliqin dhe të gjithë ata që kontribuuan që kjo xhami të duket sot kaq e bukur” – tha ndër tjera kryeimami Sahiti.

Këtë manifestim e përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit të Ferizajt, Xhavit Zariqi, i cili uroi komunitetin për këtë xhami kaq të bukur dhe uroi që të gjithë kontributdhënësit në renovimin e kësaj xhamie Zoti t’i shpërblejë.

Kryetari i KBI-së së Ferizajt, Fehmi ef. Mehmeti, tha se kujdesi ndaj xhamive është ndër veprat shumë të mira dhe të dashura te Zoti xh.sh dhe ai që ndërton një xhami, Allahu atij do t’ia ndërtojë një shtëpi në xhenet, ashtu siç thotë edhe Muhamedi a.s.. Ai apeloi te xhemati që të jenë aktivë edhe në shërbim të objekteve të tjera, që do të mundësoj që jeta fetare të avancohet dhe të kemi kushte sa më komode në kryerjen e ibadeteve.

 Edhe imami i kësaj xhamie, Ilir ef. Maliqi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë përurim, si dhe luti Zotin që t’i shpërblejë të gjithë ata që kanë ndihmuar që kjo xhami të duket kështu. Në fund u ndanë disa mirënjohje për bamirësit dhe donatorët që kanë përkrahur këtë projekt. Më pas u lexuan disa ilahi nga hfz. Besir Musliu dhe Avdush ef. Krosa.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt mbledhja e Këshillit organizativ për Konferencën “Myftiu dr. Rexhep Bojës – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”

Prishtinë, më 7 tetor 2024 Këshilli organizativ i Konferencës shkencore “Myftiu dr. Rexhep…