Prishtinë, 16 qershor 2021

Organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me Mediterranean Women Mediators Network, të mërkurën më 9 dhe 16 qershor, u mbajt tryeza virtuale “Promovimi i Lirisë Fetare dhe Dialogut Ndëretnik në Kosovë”. Kjo tryezë në ditën e parë, temë diskutimi kishte liritë fetare në Kosovë, ndërsa në ditën e dytë, më 16 qershor, fokusi kryesor ishte te bashkësitë fetare dhe dialogu.

Në këtë tryezë Bashkësinë Islame të Kosovës e përfaqësoi kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, ndërkaq morën pjesë edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, don Mikel Sopi, përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjillore, Driton Krasniqi, si dhe përfaqësues nga zyra e kryeministrit.

Fillimisht, drejtori ekzekutiv i IKD-së, z. Ehat Miftaraj, bëri një përmbledhje të legjislacionit në fuqi sa i përket lirive fetare, duke iu referuar edhe standardeve ndërkombëtare që derivojnë nga instrumente dhe konventa ndërkombëtare në zbatim të gjerë në botë.

Në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve, kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti tha se: “Bashkësia Islame e Kosovës konsideron  se ligji për Lirinë fetare në Kosovë medoemos duhet të hartohet duke u nisur nga  premisat  vendor,  fillimisht nga historiku i organizimit të jetës fetare të bashkësive tradicionale fetare në vendin tonë ,trashëgiminë kulturore e fetare e bashkëjetesën  ndërfetare,  në mënyrë që përmes këtij ligji të  garantoj mbrojtjen e bashkësive fetare  dhe të ofroj  garancitë e duhura  për funksionimin dhe sigurinë e tyre.”

Ai po ashtu dha edhe vërejtjet e tij dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës rreth projektligjit, duke përmendur se ky projektligj nuk përmend fare problemin e restituim të pronave të bashkësive fetare në vend. “Ky projektligj nuk përmend fare  problemin e restituimit (ligji për kthimin e pronave) të pronave të bashkësive fetare në vend  që janë nacionalizuar nga pushteti komunist  gjatë periudhës Jugosllave, që vërtetë  është një problem mjaft i madh si dhe shumë çështje tjera të rëndësishme.”

Në tryezën e dytë, tema kryesore ishte bashkësitë fetare dhe dialogu. Kryeimami Sahiti në fjalë e tij rreth dialogut tha se: “Këtë nevojë, si askush tjetër, të parët e kanë kuptuar prijësit fetarë, të cilët, me gjithë problemet dhe vështirësitë me të cilat shoqëria kosovare u ballafaqua gjatë periudhës së kaluar shoqëria kosovare, i prinë dialogut ndërfetar në Kosovë, madje shumë më përpara dialogut të rrafshit politik.”

Përfaqësuesit e bashkësive fetare konsideruan se ligji i vitit 2007 për liritë fetare është i tejkaluar dhe ka nevojë të menjëhershme për plotësim/ndryshim të tij. Sipas tyre, ligji i plotësuar duhet të rregullojë statusin juridik të bashkësive fetare në Kosovë, duke u bazuar në trashëgiminë historike të bashkësive fetare ku dominon bashkëjetesa dhe harmonia fetare, e jo duke u bazuar në praktika të shteteve tjera, të cilat nuk e kanë të kultivuar këtë bashkëjetesë. Me qëllim të mbrojtjes së pavarësisë së bashkësive fetare në Kosovë, u kërkua që organizimi i brendshëm të mos rregullohet me ligj, por të sigurohet një standard minimal i transparencës së bashkësive fetare në Kosovë. Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë kërkuan që përmes ligjit të ri, mos ketë imponime ligjore nga Qeveria dhe të ketë gjithëpërfshirje.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…