Prishtinë, 10 mars 2022

Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjegjësisht nga Drejtoria për Kulturë dhe Veprimtari botuese, sot u mbajt tryeza shkencore “Sfidat bashkëkohore të periodikut të Bashkësisë Islame të Kosovës”. Në këtë tryezë morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, dekani i FSI-së, dr. Fahrush Rexhepi, drejtori i medresesë së mesme “Alauddin” në Prishtinë, Fadil ef. Hasani, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora, kryeredaktorë, redaktorë, publicistë e kontribuues të ndryshëm në faqet e periodikut fetar islam.

Të pranishmëve mirëseardhje iu dëshiroi drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, i cili foli për sfidat dhe etapat që ka kaluar shtypi fetar islam në Kosovë, duke veçuar se ne jemi dalluar, sepse kemi qenë shtyp me vlera konservatore dhe se ka nevojë që periodiku fetar të ri profilizohet dhe secila revistë të ketë stilin e trajtimit të temave dhe mos të jenë të njëjta, duke bërë me dije se BIK-u është e vetmja në rajon që ka tre revista fetare më jetëgjata.

Më pas, një fjalë rasti mbajti Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që dhanë kontribut që periodiku fetar të arrij deri këtu ku është. Ai më pas potencoi vlerën dhe rëndësinë e fjalës së shkruar që nëpërmjet saj është përçuar mesazhi i fesë islame dhe vlerat islame deri te masa. Më pas, ai i inkurajoi të pranishmit që ta japin mundin e tyre drejt objektivave të qarta dhe sukseseve që e presin periodikun e BIK-ut në kuadër të sfidave bashkëkohore me të cilat po ballafaqohet shtypi sot në botë, e që është në presion të jashtëzakonshëm të teknologjisë dhe digjitalizimit.

“Ky ajet kuranor është ombrellë dhe simbol identifikues i fesë sonë islame, sepse duhet të lexojmë, studiojmë, të ecim përpara duke na bërë me dije se injoranca është kundër asaj që na urdhëron Allahu. Ne duhet ta japim mundin tonë për ndërtimin e shoqërisë në përgjithësi. Kurani i jep rëndësi të madhe shkrimit dhe leximit edhe shpërblimin atij që shkruan e lexon. Zoti në Kuran betohet në lapsin dhe ne duhet ta përdorim atë në të mirë të njerëzimit. Në Kosovë, dihet se para 50 vjetëve s’kemi pasur asnjë revistë dhe kemi filluar në vitet shtatëdhjeta me revistën “Takvimi”, “Edukata Islame”, pastaj “Dituria Islame” dhe filluan ulematë tanë të japin kontribut edhe në fjalën e shkruar që të edukohet brezi i ri”- tha Myftiu Tërnava, duke nënvizuar se sot kemi literaturë të bollshme të shkruar, por nuk është mjaft asnjëherë dhe duhet të vazhdohet tutje me punë dhe angazhim të mëtejshëm për të kultivuar mesazhin islamë në fjalën e shkruar në periodikët tanë.

Më pas të pranishmit dhanë kontributin dhe mendimet e tyre në lidhje se si duhet dukur periodiku fetar i BIK-ut në kohën tonë bashkëkohore duke ofruar edhe mendime konkrete në këtë rrafsh.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Fondacioni “Shejh Zajed”

Prishtinë, më 8 nëntor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…