Prishtinë, 6 qershor 2021
Me qëllim të rritjes dhe fuqizimit të mëtejshëm të njohurive dhe kapaciteteve të përfaqësuesve të KP-së dhe bashkësive fetare për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që çojnë në terrorizëm, si dhe për ndërtimin e rrjeteve për bashkëpunim në të ardhmen, misioni i OSBE-së në Kosovë, organizoi një seminar multidisiplinar mbi shenjat e radikalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm.
Pjesëmarrës në këtë seminar ishin përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës.
Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, në fjalën e tij rreth parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit theksoi se: “Parandalimi, si linja e parë e mbrojtjes, është një investim jetik për paqen dhe sigurinë kombëtare. Përvojat, studimet dhe hulumtimet e shumta kanë treguar se faktorë të ndryshëm si mungesa e mundësive, varfëria, padrejtësia sociale dhe margjinalizimi luajnë një rol të madh në nxitjen e ideologjive ekstreme dhe shumë shpejt mund të transformojnë ankesat e thjeshta në ekstremizëm dhe radikalizëm, siç kemi parë të ndodhë në shumë pjesë të botës.”
Kryeimami Sahiti tha se ekstremizmi nuk njeh kufij, etni, komunitet, fe a ideologji. Bota historikisht është përballur me mësime ekstreme që kanë çuar në veprime të dhunshme. “Ekstremizmi nuk ka kufij, ai nuk njeh etni, komunitet, fe a ideologji dhe bota historikisht është përballuar me mësime ekstreme që kanë çuar në veprime të dhunshme, gjakderdhje e tragjedi të mëdha të cilat besoj se duhet të na shërbejnë si mësime nga e kaluara që mos të na përsëritën në të ardhmen. Besoj se institucionet e vendit dhe ne si institucion fetar e si shoqëri duhet të ndërmarrim e të kemi një “qasje gjithëpërfshirëse ” në parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni duke e angazhuar edhe shoqërinë civile, botën akademike ,mediat e sigurisht edhe të rinjtë” – tha ndër tjerash kryeimami Sahiti.
Në kuadër të bashkëpunimit të mirë ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës, OSBE-së dhe Policisë së Kosovës, gjatë muajit qershor janë mbajtur edhe tri takime të tjera, të ngjashme me përfaqësues nga këto institucione.
Më 31 maj, në Pejë është mbajtur punëtoria me temën “Roli i policisë, përfaqësuesve të komunave, forumeve lokale të sigurisë në bashkësi dhe komunitetit fetar lidhur me rolin e tyre në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”.
Po ashtu, me temën e njëjtë, më 14 qershor në Prizren dhe më 21 qershor në Gjilan është mbajtur një takim i tillë me përfaqësuesit e këtyre tri institucioneve.
Sugjerimi kryesor nga këto takime ishte që edhe më tutje të vazhdohet organizimi i takimeve të tilla për të eksploruar mundësitë e aktiviteteve të përbashkëta për parandalimin e radikalizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm, si dhe për ngritjen e vetëdijes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.