Tryezë e rrumbullakët

Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës organizoi:
Tryezë të rrumbullakët “Roli i islamit në parandalimin e dhunës me bazë gjinore”
dhe Hutbe kushtuar pozitës së femrës në Islam
Në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të institucionit të Bashkësisë Isalame të Republikës së Kosovës (BIK) dhe Fondit Ndërkombëtar për Popullsinë (UNFPA), në disa nga komunat e Kosovës u organizuan tryeza të rrumbullakëta, në të cilat u trajtua çështja e gruas në Islam dhe rolin e islamit në parandalimin e dhunës në baza gjinore.

E tëra filloi në muajt e parë të këtij viti, kur gjatë takimit në mes të përfaqësuesve të UNFPA-së, znj. Visare Mujko Nimani dhe Linda Abazi, dhe përfaqësuesve të BIK, z. Vedat Sahiti dhe z. Fatmir Iljazi, u diskutua tema e trajtimit të femrës sipas spjegimeve të fesë islame. Të dyja palët u dakorduan që bashkarisht të realizojnë projektin në të cilin trajtohet pozita e femrës në shoqëri . Përfaqësuesit e BIK shprehën gatishmërinë për të punuar në këtë projekt. Kjo, për arsye të vetëdijësimit të opinionit më të gjerë, atyre që nuk janë prezent në xhami dhe atyre që më pak kanë njohuri mbi këtë çështje e që nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë me literaturën islame të përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Tryeza e parë e rrumbullakët u organizua në Prishtinë në maj të këtij viti, referues i së cilës ishte edhe vetë Myftiu Naim ef. Tërnava, fjalimi i të cilit zgjoi interesim të madh tek pjesmarrësit, për të vazhduar më tej gjatë diskutimit me pyetje të panumërta nga ana e të pranishmëve.
Projekti u zgjerua në tri pilot komuna, Gjakovë me 19 shtator 2013, Dragash me 18 nëntor 2013 për të përfunduar me Gjilanin me 16 dhjetor 2013.
Trajtimi i kësaj çështjeje nga ana e zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, zgjoi mjaft kurreshtje dhe provokoi ndërgjegjen e pjesmarrësve.
Në bazë të reagimeve të pjesmarrësve dhe të mediave, u konstatua se vërtetë kishte nevojë për organizime të tilla, aq më tepër kur përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave tjera lokale, që, në fillim ishin skeptik dhe në mëdyshje, se a do të prezentojnë apo jo në këto tubime, u shprehën haptas “se ia ka vlejtë që kemi marrë pjesë dhe nuk kemi qenë në dijeni se feja islame e trajtoka me kaq seriozitet çështjen e gruas, të drejtat e saj dhe ndaloka çdo lloj ushtrimi të dhunës ndaj saj”.
Bashkësia Islame e Kosovës falënderon të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij projekti, si: znj. Visare Mujko Nimani, znj. Linda Abazi, znj. Besa Ismajli, znj. Nora Gjakova, Fatmir ef. Iljazi, Vedat ef. Sahiti, Ahmet ef. Hoxha, Munir ef. Salkurti, Xhemal ef. Abdullahu, Xhafer ef. Fejziu, Nail ef. Halimi, Sulejman ef. Osmani, duke çmuar dhe vlerësuar lartë kontributin e secilit në këtë drejtim.
Vlen të theksohet, se në kuadër të këtij bashkëpunimi, kryeimami i Kosovës, Sabri ef. Bajgora ka rekomanduar të gjithë imamët e Kosovës që një nga ligjëratat e ditës së premte t’i kushtohet pikërisht pozitës së gruas në Islam, të drejtat e saj dhe parandalimi i dhunës në baza gjinore. Ligjëratat janë mbajtur në tërë xhamitë e territorit të Republikës së Kosovës me datën 06.12.2013.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kursistet e mësim-besimit e Prishtinës organizojnë program për nder të mevludit

Prishtinë, 20 nëntor 2020 Kursistet e mësim-besimit, në Këshillit të Bashkësisë Islame të …