Në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” në kryeqytet, tre hafëzë të rinj u certifikuan nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës, pasi që dëshmuan se kanë memorizuar Kuranin në gjuhën origjinale.

Tre hafëzët e rinj së bashku me mualimin hfz. Fatlum Mehmetin, filluan këtë punë tejet të dashur tri vjet më parë për ta konkretizuar atë të shtunën. Fatlum Mehmeti, në këtë ceremoni, tha se ndjehet krenar me punën që është bërë dhe që vazhdon të bëhet edhe në të ardhmen për memorizimin e Kuranit.

“Këta hafëzë, vërtet, sot po na bëjnë të mburremi me ta dhe shpresojmë që në të ardhmen inshallah do të nxjerrim nxënës dhe hafëzë të tjerë. Është me të vërtetë nder dhe privilegj që sot po shënojmë këtë ditë”, tha ai.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Hetem Sopjani, u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që po dëgjon Kuran nga zëri i bukur i këtyre hafëzëve.

“Sot në këtë xhami të bukur po kemi mundësi t’i shohim dhe t’i dëgjojmë këta hafëzë që na ndriçuan dhe na i zbukurojnë xhamitë tona. Me këtë lexim të bukur të Kuranit nga këta hafëzë na qetësohen zemrat”, tha ai.

Kryeimami i Këshillit në Prishtinë, Burhan Hashani, tha se edukimi i drejtë i rinisë kosovare është më se i nevojshëm, në veçanti në këtë periudhë kohore.

“Me këtë nxënës të rinj, me këta djem dhe vajza është e ardhmja dhe krenaria e popullit tonë, pasi që jemi dëshmitarë të shumë krizave ku rina kosovare po merr edhe rrugë të gabuara, ndërsa këta nxënës janë krenaria jonë, në fakt vetëm një numër i vogël i tyre për shkak se kemi shumë nxënës të tillë”, tha ai.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…