Në Kryesinë e BIK-ut, sot më 04. 06. 2015, në prag të muajit të shenjtë Ramazan, Myftiu Tërnava ftoi në takimin e rregullt, tashmë tradicional, kryetarët dhe kryeimamët e Këshillave të BIK-ut, për të diskutuar rreth aktiviteteve të përbashkëta fetare gjatë muajit të shenjtë Ramazan. Ky takim vjen pas vizitës së kryeimamit Bajgora në 28 komuna të Kosovës, ku me imamë të komunave përkatëse u koordinuan aktivitetet e parapara për Ramazan.
Takimi i sotëm u hap me lexim të disa verseteve kuranore, lexuar nga Blerim ef. Musliu, për t’i përshëndetur më pas dhe për t’u uruar mirëseardhje të pranishmëve edhe vetë Myftiu Naim ef. Tërnava, me ç’rast edhe njëherë çmoi dhe vlerësoi lart punën, angazhimin dhe kontributin e udhëheqësve të Këshillave të BIK-ut dhe stafit të nderuar të imamëve, sidomos në ngritjen e fjalës së Zotit, në zhvillimin dhe ripërtëritjen e jetës fetare në përgjithësi.
Ai shprehu gatishmërinë e plotë të tij, të Kryesisë dhe të bashkpunëtorëve të tij, për përmbushje të obligimeve të tyre karshi xhematit dhe kërkesave të tyre, çdoherë që e kërkon nevoja, si dhe njëherit porositi nëpunësit e BIK-ut që të kenë parasysh përgjegjësitë që kanë mbi supet e tyre.
“Sigurisht se asnjëherë nuk është e tepërt t’ia rikujtojmë njëri-tjetrit përgjegjësitë që kemi para Krijuesit dhe para besimtarëve në këtë vend. Kemi pasur fatin më të madh që Allahu na ka caktuar të jemi në shërbim të fjalës së Tij – Kuranit, dhe në shërbim të porosive të të Dërguarit të Tij – Muhamedit a.s. Prandaj lirisht mund të themi se punë më të ndershme, më bujare e më fisnike sesa të thërrasësh njerëzit në adhurim të Krijuesit, në moral, pastërti, norma dhe edukatë, nuk ka në fytyrën e tokës. Ata që ishin para nesh ishin vërtet burra, duke i dhënë shpirt dhe gjallëri vatanit dhe fesë së bukur islame, anipse kaluan nëpër kushte tejet të vështira e duke përjetuar gjëra që vështirë përshkruhen. Ata e ruajtën këtë fe, dhe të njëjtën e përcollën të plotë te brezat që erdhën pas tyre. Është shumë e kapshme dhe e logjikshme që të përgatitemi dhe ta presim ashtu siç ai e meriton, kryemysafirin – muajin e shenjtë Ramazan, muaj në të cilin Allahu e zbriti Kuranin, muaj në të cilin drita islame e shndriti tërë universin”, u shpreh ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Myftiu porositi të gjithë që të kenë kujdes në ligjërimet e tyre, të zgjedhin gjuhën më të bukur të komunikimit në raport me xhematin dhe ata që kanë para vetes. “Motoja e komunikimit të mirë është vetë fjala e Allahut xh.sh. kur i drejtohet Pejgamberit a.s.: “Dhe thirr ti në rrugën e Zotit tënd me urtësi, me mençuri dhe me këshillë të mirë”, tha ndër të tjera Myftiu Naim ef. Tërnava.{gallery}tkmkkshll15{/gallery}