Me rekomandim të Myftiut Tërnava, afro 800 xhami në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, me datë 5 qershor, trajtuan teorikisht dhe praktikisht çështjen e ruajtjes dhe kujdesit ndaj ambientit që na rrethon.
Nga minberet e shtëpive të Zotit prijësit fetarë thirrën edhe një herë, ashtu siç shpesh ndodh në ligjëratat e tyre, që ta ruajmë pastërtinë e hapësirave publike, t’i largojmë mbeturinat dhe pengesat nga rruga, – si pjesë e besimit islam, të mbjellin fidane e pemë frutore, qoftë kjo edhe vepra e fundit e njeriut në këtë botë; dhe krejt kjo të jetë me qëllim që të tjerët t’i shfrytëzojnë ato për hije dhe për t’u ushqyer nga ato, njerëz qofshin apo kafshë e shpezë.

Ishte Myftiu Naim ef. Tërnava ai që i priu kësaj nisme, i shoqëruar nga Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dr. Ferid Agani, të cilët mbëltuan drunj frutorë në oborrin e xhamisë së Madhe në Prishtinë.
“Të mbash pastër veten dhe mjedisin ku jeton është obligim i çdo besimtari. Është diçka që thirret për të në çdo ditë të vitit, sepse feja jonë e pastër na urdhëron kështu. Ne sot, simbolikisht, mbollëm këto pemë, dhe ky është një motiv për ne dhe për çdo qytetar të këtij nënqielli, që të ndërgjegjësohet dhe vetëdijesohet edhe më tepër, kur është në pyetje kujdesi për ambientin, si një nga fondamentet bazë për të cilat porosit Islami, feja jonë e shenjtë”, theksoi Myftiu Tërnava.
Edhe ministri Agani bëri thirrje për ruajtje të mjedisit, si dëshmi e vlerave qytetëruese të një vendi. “Mbajtja e ligjëratave në 800 xhami të Kosovës, e duke trajtuar temën mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, mendoj se paraqet një kontribut substancial  dhe gjithëpërfshirës sa i përket vetëdijesimit të popullatës sonë për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, për rëndësinë e bartjes së vlerave të familjeve tona edhe në hapësirat publike. Ta ruajmë këtë pasuri, ta përparojmë, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta tregojmë përgjegjësinë që kemi ndaj vetes, familjeve tona dhe shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh ministri Agani.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava u prit në takim nga sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame RABITA, dr. Muhamed Abdulkerim al Isa

Prishtinë, më 23 prill 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…